TIRANË- Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, mori pjesë sot në takimin e parë koordinues për projektin “Zhvillimi i Integruar dhe i Qëndrueshëm i Rajonit të Bregdetit Jugor”, ku ishin të pranishëm edhe Hans-Juergen Cassens, Drejtori i Përgjithshëm i GIZ si dhe përfaqësues të qeverisë qendrore dhe vendore.

Pjesëmarrësit në takim diskutuan mbi një plan të integruar zhvillimi për rajonin e bregdetit jugor, si dhe modele të zhvillimit ekonomik të cilat shërbejnë në nxitjen e rritjes ekonomike sidomos të zonave rurale dhe mbrojnë burimet natyrore të rajonit.

Projekti “Zhvillimi i Integruar dhe i Qëndrueshëm i Rajonit të Bregdetit Jugor”, i financuar nga Ministria e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ekonomik në Gjermani dhe i cili do të zbatohet nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ), po asiston Qeverinë Shqiptare në parandalimin e dëmeve të burimeve natyrore dhe ekonomike të bregdetit të jugut.

Gjithashtu, ky projekt ofron mekanizmat e duhur për të nxitur rritjen ekonomike përgjatë të gjithë bregdetit të Jugut përkatësisht në Bashkitë Vlorë, Himarë dhe Sarandë.

Ndër të tjera, projekti ofron një qasje të integruar të zhvillimit të territorit dhe potencialeve turistike, në përputhje me strategjitë ekzistuese sektoriale dhe rajonale, nëpërmjet zbatimit të modeleve bashkëkohore të zhvillimit ekonomik. Këto modele garantojnë gjenerimin e vendeve të reja të punës dhe përfshirjen e popullsisë lokale si një zë aktiv në zbatimin e projektit dhe përfitues i drejtpërdrejtë.

GIZ nëpërmjet këtij projekti është duke ofruar asistencë teknike edhe në hartimin e Planit të Integruar Ndërsektorial për Bregdetin (PINS Bregdeti), një nismë e Ministrisë së Zhvillimit Urban, e që synon integrimin e strategjive të ndryshme sektoriale apo rajonale; masave dhe programeve në fushën e zhvilimit rural, turizmit dhe mbrojtjes së burimeve natyrore dhe kulturore.

Në fjalën e saj, ministrja Gjermeni nënvizoi se, “Plani i Integruar për Bregdetin (PINS Bregdeti) parashikon zhvillimin e këtij rajoni duke mbajtur në fokus zhvillimin e integruar të zonave urbane dhe rurale, si dhe shërben në përmirësimin e kushteve fizike të zonës në mënyrë që zhvillimi i turizmit të jetë sa më i qëndrueshëm”.

Gjithashtu, ministrja Gjermeni e vuri theksin, – në projektet e rigjenerimit urban, të financuara dhe zbatuara nga Qeveria Shqiptare nëpërmjet Fondit të Zhvillimit të Rajoneve përgjatë vitit 2014 dhe 2015, të cilat i kanë dhënë një impuls pozitiv zhvillimit të turizmit përgjatë bregdetit të Jugut.

“Ne jemi të ndërgjegjshëm – u shpreh Gjermeni – se projektet që garantojnë një zhvillim të qëndrueshëm urban dhe rural, shërbejnë në zhvillimin e turizmit në vend, ndaj dhe ky projekt i zbatuar nga një prej partnerëve më të rëndësishëm të Shqipërisë siç është GIZ, ofron një mbështetje të vyer në zhvillimin social ekonomik të rajonit, me në fokus zhvillimin e sektorit të turizmit”.

Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm i GIZ, Hans-Juergen Cassens, nënvizoi se, qëllimi kryesor i projektit është të mundësojë që planifikimi i zhvillimit të këtij rajoni, të jetë sa më i integruar edhe me prioritetin e Ministrisë së Zhvillimit Urban, siç është Plani i Integruar Ndërsektorial për Bregdetin. Ai theksoi se popullsia rurale duhet të përfitojë ekonomikisht nga zhvillimi i integruar dhe i qëndrueshëm i turizmit në rajon, duke mbrojtur e promovuar vlerat, trashëgiminë kulturore dhe burimet natyrore të tij. Për të arritur këtë synim, theksoi z. Cassens – bashkëpunimi i koordinuar me Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe të gjithë partnerët e aktorët e përfshirë në këtë projekt është shumë i rëndësishëm.

Gjithashtu, Cassens solli në vëmendjen e të pranishmëve se situata aktuale e migrimit në botë, tregon se mbështetja e popullsisë që jeton në zona më pak të favorizuara është jetike, për të pasur një zhvillim ekonomik të balancuar të popullsisë rurale e urbane, jo vetëm në Shqipëri, por në Europë dhe në të gjithë botën. Pikërisht ky është misioni i GIZ, mision i cili mundësohet me mbështetjen financiare të Ministrisë së Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ekonomik, në Gjermani.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb