Një zjarr ka rënë mesditën e sotme në lagjen Drapata, në Njësinë Administrative Hotolisht të bashkisë së Librazhdit , duke rrezikuar përfshirjen e një banese nga flakët.
Sipas informacionit të dhënë nga MZSH Librazhd, njoftimi për situatën është marrë rreth orës 12:22, nga Policia dhe një banor i zonës, i cili raportoi se flakët po afroheshin në mënyrë të rrezikshme drejt një banese.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit është organizuar operacioni për izolimin dhe shuarjen e zjarrit. Në terren u angazhuan forca dhe mjete zjarrfikëse nga disa stacione.
Në operacion morën pjesë:
2 mjete zjarrfikëse dhe 7 efektivë të Stacionit të MZSH Librazhd;
1 mjet zjarrfikës dhe 5 efektivë të Stacionit të MZSH Prrenjas;
1 mjet zjarrfikës dhe 4 efektivë të Stacionit të MZSH Elbasan, të cilët ishin të stacionuar në repartin e Librazhdit;
mbi 7 forca të Policisë;
Administratori i Njësisë Administrative Hotolisht;
mbi 10 banorë të zonës;
si dhe strukturat e Emergjencave Civile të Bashkisë Librazhd, raporton gazetari Fatmir Popja.
Falë ndërhyrjes së koordinuar të forcave zjarrfikëse, policisë, banorëve dhe strukturave vendore, u bë e mundur shpëtimi i banesës që rrezikohej nga flakët.
Nga zjarri u përshkuan dhe u dogjën rreth 1 hektar sipërfaqe me barishte dhe shkurre, ndërsa raportohet se janë dëmtuar edhe disa pemë frutore.
Fatmirësisht, nuk ka persona të lënduar apo dëme në njerëz.
Operacioni për shuarjen dhe kontrollin e plotë të vatrës përfundoi rreth orës 17:00 pasi u bë e mundur neutralizimi i rrezikut për banesat dhe zonën përreth.
Ndërkohë, shkaku i rënies së zjarrit mbetet nën hetim nga Policia, e cila po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
