Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur përditësimin e fundit mbi situatën e zjarreve në vend. Deri në orën 17:00 të 21 gushtit janë regjistruar 24 vatra zjarri, prej të cilave 8 vijojnë të jenë aktive, 4 janë nën mbikëqyrje dhe 1 nën kontroll.
Për përballimin e situatës në të gjithë vendin janë angazhuar të paktën 639 forca, përfshirë 369 efektivë të strukturave vendore dhe rajonale dhe 270 efektivë të Forcave të Armatosura. Në operacione janë vënë në dispozicion edhe 5 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Situata më problematike vijon në Gojan–Gjegjan–Tërbun, në Pukë, ku janë angazhuar 255 forca dhe 11 mjete zjarrfikëse. Zjarri vijon të jetë aktiv në drejtim të Gojanit të Vogël dhe zonës së Prozhemit, ndërsa më e rënduar paraqitet situata në lagjen Pepaj, në Gojan të Madh, ku flakët janë afruar pranë banesave.
Deri tani raportohet se janë djegur 4 banesa të pabanuara, ndërsa një banesë e banuar që ishte në rrezik është shpëtuar. Për mbrojtjen e banesave janë dislokuar 5 mjete zjarrfikëse dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura. Ndërhyrja nga ajri vijon me një helikopter.
Në Shtanë të Mirditës, zjarri ka krijuar rrezik për banesat, duke detyruar Policinë e Shtetit të evakuojë banorët e rrezikuar. Në zonë janë angazhuar kapacitetet e bashkisë, ndërsa operacioni mbështetet nga dy helikopterë dhe dy mjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura. Gjithashtu është vendosur në gatishmëri një ambulancë.
Në Dukat të Vlorës, operacioni vijon me forca zjarrfikëse, punonjës të shërbimit pyjor, forca të Njësisë Administrative Orikum dhe efektivë të Forcave të Armatosura. Ndërhyrja nga toka po mbështetet nga dy avionë Air Tractor. Pavarësisht përhapjes së zjarrit drejt malit, aktualisht nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Dajt të Tiranës vijon puna për izolimin e vatrave të mbetura, ndërsa një pjesë e tyre janë izoluar plotësisht. Aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, në Mal Milot të Kurbinit, zjarri është shuar pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, policisë, strukturave bashkiake dhe Forcave të Armatosura, të mbështetura edhe nga një helikopter. Zona vijon të mbahet nën mbikëqyrje.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të Mbrojtjes Civile.
Prioritet i operacioneve mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë, ndërsa të gjitha kapacitetet operacionale vijojnë të jenë në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje.
