TIRANË – Shqipëria dhe Serbia do të ndërtojnë sëbashku infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore ndërmjet dy vendeve me qëllim që të rrisin bashkëpunimin ekonomik. Për projektet e përbashkëta rajonale ka ardhur sot në Tiranë edhe Zv. Kryeministrja dhe Ministrja e Ndërtimit të Serbisë, znj. Zorana Milajloviç, e cila është pritur nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj.

Bëhet fjalë për projektin e autostradës Nish-Prishtinë-Tiranë; të hekurudhës Beograd-Bar-Durrës-Vlorë; autostradës që ka filluar nga Beogradi për në Bar dhe autostradës Adriatiko-Joniane ose “Autostradës së Kaltër”.

Vizita e znj.Milajloviç zhvillohet në kuadër të procesit të iniciuar në Berlin, me qëllim interkontektivitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë takimit, të dy delegacionet ranë dakord që të punohet mbi një dokument të përbashkët mbi projektet rajonale, i cili do t’i prezantohet Komisionit Evropian nga vendet e rajonit. Milajloviç dhe Ahmetaj dhanë edhe një konferencë të përbashkët shtypi sot.

“Qeveritë e Shqipërisë dhe Serbisë, – tha Ahmetaj, -janë duke rakorduar projektet e përbashkëta të infrastrukturës që do të paraqitën në Vjenë dhe në Bashkimin Evropian nga dy Kryeministrat e dy vendeve. Në këtë kuadër, por edhe duke pasur parasysh nevojat infrastrukturore të rajonit, përballë mundësive të kufizuara buxhetore të vendeve tona, po përgatitet një listë projektesh rajonale, të cilat do të ndërlidhin vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke krijuar njëkohësisht premisat për një bashkëpunim akoma të thellë, si tregtar, ashtu edhe ekonomik.

Ndërsa, Zv.Kryeministrja e Serbisë, znj. Zorana Milajloviç që në fillim shprehu solidaritetin për përmbytjet që kanë ndodhur në Shqipëri. “Serbia është një vend që ka kaluar këto fatkeqësi dhe ju ofron ndihmën e saj në këto ngjarje, – tha ajo. – Dua t’ju falënderoj për mikpritjen. Kemi qëllime të përbashkëta, që të përcaktojmë një dokument të përbashkët për projektet me impakt rajonal. Ne synojmë ta paraqesim këtë projekt të përbashkët në muajin maj, gjë që do të shënojë fillimin e bashkëpunimit.

Serbia dhe Shqipëria duan të ecin përpara dhe patjetër që janë partnerë. Në këtë mënyrë, duke qene e autorizuar nga Kryeministri im për të punuar për këto çështje me ju, dua të them që bashkëpunimi nga ana jonë do të jetë i vazhdueshëm, energjik dhe efikas. Në datën 10 prill besoj se do të kemi sugjerimin e parë të dokumentit të përbashkët, që ka të bëjë me rindërtimin e rrugëve, të cilat lidhin jo vetëm Serbinë dhe Shqipërinë, por të gjithë Ballkanin. Dhe në këtë mënyrë do të jemi më të afërt edhe me vendet e tjera të Evropës. Gjithashtu, do të kemi projekte të qarta për rindërtimin e hekurudhave, gjë që do të mundësojë rritjen ekonomike dhe nxitjen e punësimit,”- përfundoi Milajloviç.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb