Në Universitetin “Luarasi” u zhvillua simpoziumi shkencor me temë “Drejtësia midis traditës dhe inteligjencës artificiale”. Në aktivitet mori pjesë edhe Zëvendësministrja e Drejtësisë, Elona Hoxha, e cila mbajti një fjalë të gjatë mbi transformimin historik të drejtësisë dhe sfidat e epokës digjitale.
Hoxha kujtoi evoluimin e së drejtës shqiptare, nga e drejta zakonore dhe Kanuni, te ndërtimi i shtetit modern dhe kodifikimi i sistemit juridik sipas modeleve evropiane, duke përmendur edhe Kodin Civil të vitit 1929. Sipas saj, sot sistemi juridik ndodhet përballë një transformimi të ri të madh, të lidhur me inteligjencën artificiale, e cila po përdoret gjithnjë e më shumë në analizën juridike, menaxhimin e çështjeve dhe proceset vendimmarrëse. Zëvendësministrja theksoi se, megjithëse inteligjenca artificiale rrit efikasitetin dhe aksesin në drejtësi, ajo nuk mund të zëvendësojë gjykimin njerëzor, ndjeshmërinë sociale dhe dimensionin etik të drejtësisë.
“Efikasiteti nuk mund të jetë kurrë një vlerë superiore ndaj drejtësisë,” u shpreh Hoxha, duke nënvizuar nevojën për standarde të qarta ligjore dhe etike në përdorimin e teknologjisë në sistemin e drejtësisë. Ajo bëri thirrje që inteligjenca artificiale të mbetet një instrument në shërbim të drejtësisë dhe jo një mekanizëm që zëvendëson thelbin e saj njerëzor, duke ruajtur besimin publik dhe garancitë kushtetuese të procesit të rregullt ligjor.
Fjala e plotë:
Është privilegj të jem sot pjesë e kësaj konference shkencore, e cila trajton një nga sfidat më të rëndësishme të kohës sonë: raportin ndërmjet traditës juridike, modernizimit institucional dhe inteligjencës artificiale, veçanërisht në funksion të sistemit të drejtësisë.
Historia e së drejtës shqiptare dëshmon se drejtësia nuk ka qenë thjesht një mekanizëm formal normash, por një element themelor i organizimit shoqëror dhe i ruajtjes së rendit komunitar. E drejta zakonore shqiptare, e mishëruar në mënyrë emblematike në Kanun, për shekuj me radhë funksionoi si një sistem juridik autonom dhe koherent, duke rregulluar marrëdhëniet familjare, pronësore dhe shoqërore në mungesë të institucioneve shtetërore moderne.
Në këtë traditë juridike, drejtësia mbështetej jo vetëm mbi autoritetin e normës, por mbi legjitimitetin moral të komunitetit. Në thelb të këtij sistemi qëndronte ruajtja e harmonisë sociale dhe rikthimi i ekuilibrit ndërmjet individit dhe komunitetit.
Megjithatë, ndërtimi i shtetit modern shqiptar kërkoi një transformim të domosdoshëm institucional dhe juridik. Reformat e ndërmarra gjatë periudhës së monarkisë zogiste shënuan kalimin drejt një sistemi juridik të centralizuar, laik dhe të harmonizuar me modelet juridike evropiane. Kodifikimi i së drejtës, veçanërisht me Kodin Civil të vitit 1929, sipas frymës së modelit francez, krijoi bazat e një rendi juridik modern, të unifikuar dhe të orientuar drejt garantimit të barazisë para ligjit dhe sigurisë juridike.
Sot, përballemi me një tjetër etapë transformimi, ndoshta po aq të rëndësishme sa procesi historik i modernizimit të shtetit: revolucionin teknologjik të inteligjencës artificiale.
Inteligjenca artificiale po ndryshon në mënyrë të thellë mënyrën se si konceptohen dhe ushtrohen profesionet. Sistemet algoritmike përdoren gjithnjë e më shumë për kërkim juridik, analizë jurisprudence, hartim dokumentesh, menaxhim çështjesh dhe madje për modele parashikuese në procesin vendimmarrës. Ky zhvillim sjell rritje të efikasitetit, reduktim të kostove dhe përshpejtim të proceseve procedurale.
Por transformimi që po përjetojmë nuk është vetëm teknik; ai është thelbësisht filozofik dhe institucional.
Pyetja që shtrohet sot është më e thellë sesa thjesht përdorimi i teknologjisë në drejtësi:
A po kalojmë gradualisht nga një drejtësi e mbështetur mbi arsyetimin njerëzor, përvojën dhe ndërgjegjen juridike, drejt një drejtësie të ndërmjetësuar nga algoritmet?
Kjo pyetje prek vetë esencën e shtetit të së drejtës.
Në një kohë kur teknologjia premton automatizim dhe efikasitet maksimal, ekziston rreziku që drejtësia të reduktohet në një proces teknik të përpunimit të të dhënave, duke humbur dimensionin e saj njerëzor, etik dhe social. Drejtësia nuk mund të kuptohet vetëm si prodhim vendimesh; ajo lidhet me besimin publik, me perceptimin e paanshmërisë dhe me garantimin e dinjitetit njerëzor në çdo procedurë.
Nga ana tjetër, inteligjenca artificiale ofron potencial real për zgjerimin e aksesit në drejtësi. Përmes platformave digjitale, automatizimit procedural dhe sistemeve inteligjente të informacionit juridik, qytetarët mund të kenë akses më të shpejtë, më transparent dhe ekonomik ndaj shërbimeve juridike. Në veçanti, për shtetet me sisteme gjyqësore të mbingarkuara, teknologjia mund të kontribuojë në reduktimin e vonesave procedurale dhe në rritjen e efikasitetit institucional.
Megjithatë, efikasiteti nuk mund të jetë kurrë një vlerë superiore ndaj drejtësisë.
Pikërisht për këtë arsye, ruajtja e garancive procedurale merr sot një rëndësi edhe më të madhe. Përdorimi i inteligjencës artificiale duhet të respektojë në mënyrë të pakushtëzuar:
•të drejtën për një proces të rregullt ligjor,
•transparencën dhe arsyetimin e vendimmarrjes,
•të drejtën për mbrojtje efektive,
•barazinë e palëve para ligjit,
•si dhe të drejtën për t’u gjykuar nga një autoritet i pavarur dhe i paanshëm.
Një algoritëm mund të analizojë precedentë dhe probabilitete, por ai nuk mund të zëvendësojë plotësisht gjykimin njerëzor, ndjeshmërinë sociale dhe dimensionin etik që kërkon interpretimi i së drejtës.
Prandaj, sfidat që kemi përpara nuk janë vetëm teknologjike, por thellësisht juridike dhe kushtetuese ndaj kerkohet një qasje e matur dhe e balancuar. Teknologjia duhet të mbetet një instrument në funksion të drejtësisë dhe jo një mekanizëm që zëvendëson thelbin e saj.
Në këtë kontekst, roli i shtetit dhe i institucioneve publike është vendimtar:
të ndërtojnë standarde të qarta etike dhe juridike për përdorimin e inteligjencës artificiale;
të garantojnë mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë;
të sigurojnë transparencën algoritmike dhe llogaridhënien institucionale;
si dhe të ruajnë rolin qendror të gjykimit njerëzor në procesin e drejtësisë.
Tradita juridike shqiptare, pavarësisht evoluimit historik të saj, na kujton një të vërtetë themelore: drejtësia nuk ndërtohet vetëm mbi norma dhe procedura, por mbi besimin publik, përgjegjësinë morale dhe legjitimitetin institucional.
Ky është një mësim që mbetet po aq aktual edhe në epokën e inteligjencës artificiale.
Le ta shfrytëzojmë këtë moment transformimi jo për të zëvendësuar dimensionin njerëzor të drejtësisë, por për ta fuqizuar atë — në mënyrë që sistemi ynë juridik të bëhet më efikas, më transparent, më i aksesueshëm dhe më i drejtë, duke ruajtur njëkohësisht vlerat themelore mbi të cilat ndërtohet shteti i së drejtës.
Ju faleminderit dhe ju uroj punime të mbara!
