TIRANE* Zv/ministri i Transpor tit dhe Infrastruk turës, Ylli Manjani, njëherazi nënkryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” apelon moslejimin e ndryshimit të hyrjes së parkut të Liqenit Artificial në Tiranë. “Nuk duhet lejuar prekja e asnjë fijeje bari në parkun e Liqenit Artificial. Është i vetmi që ka sot Tirana dhe duhet ruajtur me shumë kujdes dhe jo të lejohet ndërtimi aty”, – shprehet Manjani. Mjaft kritik ai pozicionohet edhe për ndërhyrjen në fasadën e Kryeministrisë, që sipas tij, nuk është as ligjore dhe as estetike. Madje, zv/ministri nuk kursen as ironinë kur shprehet se “ajo strehë sikur u bë për të pritur Lady Gaga-n dhe jo Angela Merkelin!”. I pyetur nëse një zv/ ministër mund të jetë kritik ndaj qeverisë, Manjani thotë se “kryeministri vetë është një njeri kritik. Është normale të mos jemi dakord me të gjitha gjërat që bëhen e thuhen. Në këtë mazhorancë ka deputetë që kërkojnë të legalizohet hashashi (fenomen i paligjshëm!); e pse të mos kërkojmë të mbrohet mjedisi dhe trashëgimia (fenomene krejt të ligjshme)?!”

– shprehet nënkryetari i LSI-së në intervistën për “GSH”.
A duhet lejuar ndryshimi i së ashtuquajturës “hyrje e parkut të Liqenit”?
Për mua, absolutisht jo! Nuk duhet lejuar prekja e asnjë fijeje bari në parkun e Liqenit Artificial. Është i vetmi që ka sot Tirana dhe duhet ruajtur me shumë kujdes dhe jo të lejohet ndërtimi aty. U bë shumë mirë që u shty ai konkurs krejt i beftë dhe pa asnjë informacion paraprak për qytetarët! Tani duhet të bëjmë edhe hapin tjetër të dytë dhe më të rëndësishmin: të anulojmë tërësisht idenë e ndërtimit aty në atë zonë. Qeveria mori një vendim kurajoz e qytetar për pastrimin e asaj zone, me rastin e ardhjes së Papës në Tiranë. Tani s’ka asnjë kuptim që të bëjmë ndërtime të reja me pronarë të rinj. Nuk mund të presim të vijë Papa prapë që të vendosim ta pastrojmë përsëri të njëjtën zonë. Prandaj mendoj që, mirë bëri qeveria që dëgjoi sensibilitetet e njerëzve. Tani duhet ribërë plani rregullues i Tiranës, si fillim, me synim heqjen e këtyre njollave antiqytet e anti-mjedis. Në vijim duhet lejuar Kryetari i ri i bashkisë të fillojë zgjerimin e qendrës së Tiranës drejt Paskuqanit. Nuk ka kuptim të ndërtojmë gjithçka te, apo afër Liqenit ose në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Bulevardit të ri i duhet edhe prania e institucioneve publike, që të krijohet një realitet i besueshëm dhe serioz, se Tirana nuk është vetëm bulevardi i sotëm. Edhe Gjykata e Lartë nuk mund të vendoset në park (te godina e Fakultetit të Gjeologjisë). Nuk kam parë Gjykatë supreme në asnjë kryeqytet serioz që të vendoset në park, ku njerëzit dalin me ose pa brekë, sipas dëshirës. Gjykata supreme është njëra prej tri pushteteve dhe duhet të jetë në qendër të qytetit, aty ku janë Kuvendi dhe Qeveria. Jo Kuvendi e Qeveria në bulevard dhe Gjykata në park! Domethënia është që, pushteti politik në punë dhe shteti del për shëtitje! Ky është mesazhi që duam të japim!

Jeni shprehur kritik edhe për ndërhyrjen në fasadën e Kryeministrisë. Jeni akoma kritik?
Po, shumë! Po më parë më lejoni të jem dakord me idenë e hapjes për publikun të katit të parë. Pavarësisht ekzagjerimeve në realizim, ideja mbetet e mirë. Publiku s’ka pse të mos hyjë në institucionet ku merren vendime në emër të tij. Por ajo streha e kauçukut që është ndërtuar në fasadë është e tmerrshme! Nuk është as estetike e as ligjore. Baza e sotme ligjore ndalon ndërhyrjen në objektet e mbrojtura (ndërtesat e bulevardit janë të mbrojtura tashmë). Kështu që, kushdo që mund të ketë dhënë leje, ka gabuar rëndë! Estetikisht, vendosja e kauçukut si strehë e ka prishur fasadën origjinale. Ato mbajtëset që kalojnë përmbi ballkon, që ngjajnë si mbajtëse mbikalimi, plus plastika, e bëjnë atë hyrje të shëmtuar. Ajo strehë sikur u bë për të pritur Lady Gaga-n dhe jo Angela Merkelin!

A mund të jetë kritik një zëvendësministër?
Së pari, të qenët kritik nuk lidhet me funksionin apo punën që bën. Kryeministri vetë është një njeri kritik. Madje, kur kritika dhe funksioni apo puna bashkohen me njëra-tjetrën, veç të mira vijnë. Së dyti, duke qenë kritik, nuk do të thotë se marr një pozicion politik të caktuar. Çështjet për të cilat folëm kanë të bëjnë me qytetin, mjedisin, trashëgiminë dhe ligjin. Për këto çështje nuk ka politikë të na ndajë, përkundrazi, mund të na bashkojë me realitetin. Unë jam banor i Tiranës dhe po rris fëmijë këtu, ashtu gjithë banorët e tjerë të kryeqytetit, dhe të shqetësohesh për qytetin ku banon nuk është blasfemi. Unë kam qenë në grupin nismëtar të Forumit për Trashëgiminë Kulturore, ide e drejtuar nga Artan Lame, dhe nuk ka asnjë arsye të mos ndihem ende pjesëtar i tij. Së treti, funksioni publik që unë mbaj nuk ka fuqi vendimmarrëse. Pra një zëvendësministër nuk merr vendime ligjërisht. Edhe kur qëllon të jetë në mbledhjen e qeverisë në mungesë të ministrit përkatës, zëvendësministri nuk voton! Sigurisht që mund të shprehë mendime dhe opinione, por nuk voton. Ligjërisht, kur një zëvendësministër merr pjesë në një mbledhje qeverie, ka detyrimin të ruajë konfidencialitetin dhe të jetë solidar. Por rasti në fjalë nuk është as pjesë e vendimmarrjes së qeverisë e as unë si zëvendësministër nuk kam marrë pjesë në asnjë mbledhje kolegjiale për këtë temë. Së fundi, edhe sikur ta shihni politikisht këtë çështje, përsëri nuk ka asnjë moskorrektësi. Këtu flitet për një mendim dhe reagim qytetar dhe politika në këtë pikë s’ka pse të jetë e përjashtuar. Në fund të fundit, politika është pjesë e shoqërisë dhe s’mund të jetë e shkëputur prej problemeve të saj. Në këtë kontekst, është normale të mos jemi dakord me të gjitha gjërat që bëhen e thuhen. Në këtë mazhorancë ka deputetë që kërkojnë të legalizohet hashashi (fenomen i paligjshëm!); e pse të mos kërkojmë të mbrohet mjedisi dhe trashëgimia (fenomene krejt të ligjshme)?!
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: