Komisionerja e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut Michelle Bachelet deklaroi të hënën se pasojat e planeve për aneksim të Izraelit në Bregun Perëndimor ka të ngjarë të jenë “shkatërrimtare” për Izraelin, palestinezët dhe rajonin dhe se “do të dëmtonin rëndë të ardhmen për një zgjidhje me dy-shtete”.

Në një deklaratë zonja Bachelet tha se “aneksimi është i paligjshëm” dhe se çdo përpjekje për të aneksuar një pjesë të territorit të okupuar palestinez ka të ngjarë të zgjasë e të rëndojë edhe më shumë shkeljet serioze të të drejtave të njeriut që kanë qenë pjesë e konfliktit mes dy palëve për dekada.

“Jam thellësisht e shqetësuar pasi edhe forma më minimale e aneksimit do të çonte në rritje të dhunës dhe humbje të jetëve, ndërsa janë ndërtuar mure e vendosur forca sigurie”, tha ajo.

Koalicioni i ri qeverisës i Izraelit që mori detyrën pas betimit në mesin e muajit maj dhe nën udhëheqjen e Kryeministrit Beniamin Netanjahu, planifikon të aneksojë rreth 30 për qind të Bregut Perëndimor, përfshirë vendbanimet izraelite dhe zonat e populluara kryesisht nga palestinezët. Plani i qeverisë nuk ka mbështetjen e plotë të publikut izraelit. Zyrtarët kanë sinjalizuar se kjo lëvizje mund të nisë prej së mërkurës, por ende nuk është miratuar një datë përfundimtare dhe situata është disi e paqartë.

Zyrtarët palestinezë i kanë kundërshtuar planet e Izraelit dhe kanë fajësuar Shtetet e Bashkuara pasi administrata e Presidentit Donald Trump i dha Izraelit mbështetje për aneksimin në planin e paqes të publikuar në janar. Izraeli okupoi Bregun Perëndimor gjatë një lufte gjashtë-ditore në vitit 1967 dhe që nga ajo kohë vazhdon ta mbajë këtë territor. Palestinezët duan që toka të jetë pjesë e shtetit të tyre të ardhshëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb