NGA: ILIR ÇUMANI
Një lajm i kobshëm për mbarë kombin shqiptar erdhi si një rrufe me vetëtima në këtë dimër të vështirë. Iku poeti i poetëve, kolosi i letërsisë shqipe. U largua fizikisht i madhi i të mëdhenjve, një nga figurat më të shquara, më të ndritura dhe më të dashura për të gjithë bashkëkombësit e vet, këndej dhe andej kufirit. U shkëput si një meteor nga “galaktika” e hapësirës mbarëshqiptare një visar i çmuar, një fenomen universal i kohës. Dritëro Agolli, ka qenë dhe mbetet një emër i përveçëm, një zë unik, një simbol dhe mendje e ndritur, e iluminuar, një energji e pashtershme burimi frymëzimi, një pikë reference e pazëvendësueshme për të gjithë shqiptarët.

Ngase puna dhe vepra e Tij është si drita dhe ajri që thithim, është koncentrati i nektarit shpirtëror të popullit të cilit i përket. Ai mbetet dëshmitar dhe protagonist i rëndësishëm i dy epokave të mëdha të zhvillimeve të rëndësishme të historisë së Shqipërisë; poet, romancier, tregimtar, dramaturg, skenarist, gazetar, publicist, eseist, përkthyes, intelektual dhe akademik, me një formim dhe kulturë të gjerë erudite, personalitet shumëdimensional poliedrik dhe politikan i kualitetit të lartë, patriot dhe atdhetar i shquar, një mendje e ndriçuar e letërsisë dhe e kulturës sonë kombëtare. Iku poeti, ashtu siç dinë të ikin vetëm të mëdhenjtë nga kjo botë. Nga sot, Ai nuk është më fizikisht me frymë dhe me zë…. Në fakt, jo të gjithë e kanë fatin të ikin nga jeta ashtu siç ikën një njeri i përmasave të Dritëroit. Ngase Ai la pas një mal me vepra të mëdha, la shumë dritë, shumë mençuri proverbiale, që mbeten tashmë thesar i paçmuar i popullit që e deshi kaq shumë, për të na kujtuar të gjithëve se ka qenë, është dhe do të mbetet përgjithmonë këtu, mes nesh, duke na ndriçuar njëlloj dhe në mënyrë të pakushtëzuar si atëherë, kur ishte gjallë. Ka raste të veçanta që edhe vdekja e shkel “protokollin” e ritualit që ka, duke bërë përjashtimin e të “privilegjuarve” që vetë ajo i zgjedh. Në rastin e Dritëro Agollit, ajo nuk e pranon dhimbjen, as ikjen përgjithmonë, as institucionin e heshtjes, ngase tashmë Ai i përket edhe jetës, edhe përjetësisë….

Nga sot, në ditët dhe në kohët që do të vijnë me pas, çdo shqiptar, çdo fëmijë, çdo i ri dhe plak, çdo foshnjë që do të lindë në tokën së cilës poeti ynë kombëtar i këndoi me kaq shumë gaz e dashuri, me kaq shumë patos e hare, me dhimbje dhe brengë, do të ketë si trashëgim në qenien e vet një copëz dritë nga dielli i artë që na la Dritëroi ynë. Nga sot e tutje, Ai do të përjetësohet përgjithmonë si monumenti më i gjallë frymëzues dhe epokal i vetëdijes dhe memories sonë kombëtare. Të qoftë e lehtë balta naimiane që të formëzoi, të ngazëlleu dhe të frymëzoi kaq shumë! E jotja qoftë parajsa, patriarku i mençur dhe i urtë i letrave shqipe! Lamtumirë, poet i shekullit, pasardhësi i denjë i Naimit dhe Çajupit, klasiku dhe moderni i pashembullt i letërsisë shqipe, liriku i tokës, profet i fjalës, DRITËRO…!
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb