Nga: PETER BARTL*

Pranë Malit të Zi gjendet Shqipëria Veriore ai rajon në siujdhesën ballkanike ku kushtetuta fisnore ka
mbetur e paprekur deri në Kohën e Re dhe reliket e saj jetojnë vijueshëm deri në ditët tona.2 Mirditasit u takojnë këtyre fiseve të Shqipërisë Veriore dhe kanë luajtur një rol në historinë shqiptare në Kohën e Re që i tejkalon padyshim fiset e tjera malore.
Mirditasit popullojnë një rajon që kufizohet në perëndim me Zadrimën, në lindje nga malet e Dibrës, në veri me Dukagjinin dhe në jug me Matin. Territori i fisit në pjesën dërmuese përbëhet nga toka kodrinore që arrijnë lartësinë deri gati 2000 metra.

Me pozitë strategjike mirditasit sundonin rrugët hyrëse të Prizrenit dhe Tiranës për në Shqipërinë Veriore. Veçanërisht në rast konflikti me Malin e Zi për turqit ishte e rëndësishme të siguronin përkrahjen ose të paktën mirëbesimin e mirditasve.3 Deri në fillim të shek. 20 vizita e Mirditës nga të huajt ishte një çështje aventure dhe jo edhe krejt e pa rrezikshme pasi atje, sikurse siguronte konsulli francez në Shkodër, A Degrand, përfundonte pushteti i organeve turke:
“…il est vrai que l’excursion offre un certain attrait de curiosité; même pour habitants de Scutari, un voyage en Mirditie est chose peu banale. Difficultés de route, sauvagerie soupçonneuse des habitants de cette tribu, danger de mauvaises rencontres quand on n`y pénètre pas sous la sauvegarde (Bessa) d`une personnalité connue dans la montagne, impossibilité d`être assuré de la protection de l`autorité turque, si quelque accident survenait, sont autant de raisons qui font en ville déconseiller cette excursion à qui la veut inter-prendre.”4

Mirditasit ndaheshin në pesë bajraqe:5 Oroshi, Fandi, Spaçi, Kushneni dhe Dibri. Si të një fisi e me këtë edhe të një gjaku ishin vetëm Oroshi, Kushneni dhe Spaçi; Dibrri dhe Fandisi duket i janë bashkangjitur vetëm në pjesën e parë të shek. 19.6 Sipas numërimit austro-hungarez të popullatës me 1918, pesë bajraqet e Mirditës numëronin 2376 shtëpi me 16.926 banorë; për bajraqet e veçanta dalin këto shifra:

Oroshi 156 shtëpi 1160 banorë
Fandi 504 shtëpi 3332 banorë
Spaçi 598 shtëpi 4230 banorë
Kushneni 318 shtëpi 2430 banorë
Dibrri 800 shtëpi 5774 banorë7

Këta shifra përputhen përafërsisht me ato që na jep konsulli francez Hecquard për pjesën e dytë të shek. 19.

Oroshi 12 shtëpi 1500 banorë
Fandi 350 shtëpi 4200 banorë
Spaçi 360 shtëpi 6000 banorë
Kushneni 300 shtëpi 3600 banorë
Dibrri 595 shtëpi 6000 banorë8

Ofrimi i të dhënave për kohë të mëhershme është i vështirë sepse numërimet kishin për bazë kritere të tjera nga ato të fisit. Në raportet katolike të vizitatorëve bëhet fjalë p.sh. sipas ipeshkvive dhe famullive ku duhet të konstatohet se, famullitë dhe përbërja e tyre nganjëherë duhet të kenë qenë identike me bajraqet. Kështu në raportin e vizitatorit të arqipeshkvit Vinzenz Zmajeviè të vitit 1703 nën famullitë Orosh dhe Fand ceken gati të gjitha vendet të cilat Hecquard i jep për bajraqet me të njëjtin emër. Shifrat e 1703 korrespondojnë megjithëatë vetëm te Oroshi me ato të mëvonshme 102 shtëpi me 915 banorë te Zmajevièi në krahasim me 120 shtëpi me 1500 banorë te Hecquard; për Fandin Zmajeviè cek vetëm 92 shtëpi me 686 banorë.9 Interesant është emërimi i Zmajevièit që i bën famullisë së Oroshit si “Mirediti”; Spaçi dhe vendet korresponduese nuk i kemi fare në raportin e tij.
Për rrethanat ekonomike dhe sociale në Mirditë kemi detaje të pakta: Zmajevièi mënyrën e jetesës së mirditasve e vlerëson si grabitqare pa qenë të detyrueshëm nga nevoja:
“Sono gl`habitanti di genio bellicoso, dediti alle rapine, alli assasini, non per bisogno, essendo commodi delli beni di fortuna, e particolarm.te delle mandre numerose, che riescono in questi monti per la perfett.ne del clima, e delli pascoli.”10

Më vonë duket që vërtetë rritja e produktivitetit bujqësor nuk ka mundur të mbajë hapin me rritjen e popullsisë sa që p.sh. detyrohej importimi i drithit.11 Artikujt e paktë të mirditasve për eksportim pranë qymyrit numërohej druri i një lloji të caktuar regjës ose shqemëz12 që grumbullohej në Lezhë dhe eksportohej deri në Marseille dhe Rouen.13
Qendra e Mirditës ishte Oroshi ku kishin rezidencën e tyre si prijësi fetar ashtu edhe ai i fisit. Mirdita në dy aspekte kishte pozitë të veçantë në Shqipëri: përdorte, të paktën në komunikim me shtetet perëndimore në shek. 19 titullin e një principate. Udhëheqja laike e Mirditës ishte në duart e një “Kapidani” që në tekstet e përpiluara në gjuhën italiane veten e quante princ. Posti ishte trashëgues dhe që nga pjesa e dytë e shek. 18 ishte përherë në familjen Gjonmarkaj. Në aspektin kishtar Oroshi ishte rezidencë e një Abacie edhe pse që nga pushtimi turk nuk kishte murgji. Në vitin 1888 abati i Mirditës bëhet “Abbas nullius” e me këtë edhe pavarësohet nga ipeshkvi kompetent i Lezhës.
Historia dhe prejardhja mirditasve është e pazbardhur edhe pse për nga homogjeniteti dhe nga fuqia numerike mbizotëronte përballë gjitha fiseve tjera.Në burime përmenden krejt vonë pra në 1614 në relacionin e arqipeshkvit të Tivarit Marino Bizzi.14 Në të njëjtin vit shfaqet një “Gieci Bardi da Miradita” si pjesëmarrës në një kuvend të krerëve të fiseve sllave dhe shqiptare që përpiqej të bindte mbretine Spanjës me një projekt për çlirimin e siujdhesës ballkanike nga pushtimi turk.15
Një kuvend i ngjashëm ishte mbajtur disa vite më herët 15 shkurt 1602, përkatësisht në manastirin “Sant`Alessandro della Provintia di Ducagini”, në të cilin u ishte ofruar Republikës së Venedikut sundimi i Shqipërisë.16 Edhe Pjetër Budi në vitin 1621 e përmend Mirditën si pjesë të provinces së Dukagjinit.17 Përmendja tjetër buron nga viti 1629. Benedetto Orsini ipeshkëv i Lezhës informon për Mirditasit për të parën herë në cilësinë e së cilës në vijim përherë do të shfaqen, pra si plaçkitës dhe kusarë që e bëjnë të pasigurt si mjedisin e afërt po ashtu edhe atë të largët.18 Nëse në manastirin e Sant`Aessandro të përmendur në vitin 1602 është e menduar abacia me të njëjtin emër në Mirditë19 atëherë mund të arrihet në përfundim se mes 1602 dhe 1614, Mirdita shfaqet si emër vendi dhe se më herët ky rajon ishte kuptuar si pjesë e Dukagjinit.
Cili është shkaku për emërtimin e ri? Gojëdhëna fisnore këtë nuk do ta mohonte (dhe kësaj duhet përmbajtur përderisa mungojnë burimet e shkruara). Rusja Julia Vladimirovna Ivanova e cila në vitin 1956 dhe 1958 në Shqipërinë Veriore kishte bërë hulumtime në teren për këtë na njofton me sa vijon: Rreth fundit të shek. 14 në malet e Pashtrikut (në kufirin mes Jugosllavi-Shqipëri në perëndim të Prizrenit)kemi lëvizje të popullatës. Një pjesë e popullatës u transferua në pjesën veriore të Metohisë, një tjetër, ndër ta edhe fisi i Mur Deti-t shkoi në rajonin malor të Pukës majtas Drinit; ky rajon quhet edhe Dukagjini i Vjetër. Nga ky rajon në shek. e 15 ose 17 pason një zhvendosje tjetër e re e popullatës. Një pjesë kalon nëpërmjet Qafës së Lakut dhe u vendos në rajonin e sotëm që quhet Mirditë. Një pjesë tjetër zhvendoset në bregun juglindor të liqenit të Shkodrës e nga aty më tej drejt Veriut në Luginën e Shalës. Në vendbanimin e ri emigrantëtgjejnë një popullatë vendore që quhej “mavriq” mbi historinë e të cilëve nuk dihet se thuhet gjë.20
Klani i Mur Deti-t, që ishte vendosur në “Dukagjinin e Vjetër”, sipas traditës popullore konsiderohet si gjini e fisit të Mirditës. Ivanova nga pasardhësit e Mur Detit nxjerr këtë skemë gjenealogjike:21 (fig.1)

Anëtarët e dy grupeve të para konsiderojnë veten si të afërt me njëri-tjetrin: as Berisha dhe Merturi, as Shoshi, Shala dhe Mirdita nuk mund të martoheshin ndërmjet tyre. Për grupin e tretë gojëdhënat janë më të pakta; anëtarët e tyre konsiderohen vërtetë si pasardhës të Mur Detit, mirëpo mund të martoheshin ndërmjet tyre.
Historikisht vërtetë të prekshëm Mirditasit bëhen vetëm në pjesën e dytë të shek. 18 kur nën “kapidanët” e tyre nga familja Gjonmarkaj fillojnë të luajnënjë rol në historinë e Shqipërisë. Sipas gojëdhënave tre familje përbëjnë thelbin e fisit të mirditorëve: e para ndër to ishte Bushi që kishte prejardhje të drejtëpërdrejtë nga Mur Deti; djali i Mur Detit ishte Dit Muri, nipi Mir Diti dhe stërnipi Bushi. Familja e dytë ajo e Llulit. Paraardhësi ishte Lluli, djali i Pal Dukagjinit, bashkëluftëtarit të Skënderbeut. Nga Llulët buron familja Gjonmarkaj, e cila gjoja edhe titullin e princit duhet ta ketë marrë nga familja fisnike Dukagjini. Familja e tretë ishte Skana.22 Sipas disave ata ishin vendas e sipas disa të tjerëve duhet të kenë emigruar në shek. 15 nga Kruja.23
Si familje udhëheqëse në Mirditë që nga mesi i shek. 18 ishte padyshim ajo e Gjonmarkaj. Kjo shprehimisht është vërtetuar në vitin 1815 nga Mustafa Pasha Bushatliu i Shkodrës:

“Noi altezza vessir Mustafa Pascià di Scutari et Albania… la casa die Giovanne Marcu è statto conosciutto e stimatto sempre primiera in tutta la Miredita…è statto consciutto dalli miei antenati, miei zuj vesiratti di nostro divano…”24

Se kur fillon rendi i kapetanëve nga familja Gjonmarkaj nuk dihet. Është e mundshme që i pari të ketë qenë ai Gjon Marku që në vitin 1769 vihet në anën e Hysein Begut dhe Tahir Begut të Lezhës në luftën kundër Mehmet Pashë Bushatlliut. Ai erdhi “me shumë njerëz nga Mirdita dhe fshatrat e tjera” e ndihmoi për të mënjanuar që Mehmet Pasha të marrë nën sundim Zadrimën (mirëpo kjo do të ndodhë një vit më vonë).25 Pak më vonë e gjejmë atë në anën e Bushatllinjve që me sukses përpiqen për t`i përvetësuar fiset katolike malore për qëllimet e tyre. Ushtria e Mehmet Pashës përbëhej në pjesën më të madhe nga trupa ushtarake të krishterë.26 Me mirditasit e tij Gjon Marku merrte pjesë edhe në luftën kundër Ahmet Kurt Pashës së Beratit, konkurentin kryesor të Bushatlinjve në Shqipërinë e Mesme; ai vritet me 12 shtator 1775 në betejën e Peqinit ku trupat shkodrane pësojnë një humbje shkatërruese kundër Ahmet Kurt Pashës.27
Mirditasit qëndrojnë edhe më tutje në anën e Bushatllinjëve; ata ishin pjesëmarrës në nëntor 1787 në kryengritjen e vartësve të Kara Mahmut Pashës që i detyron trupat qeveritare turke nën drejtimin e Çerkez Hasan Pashës që të dorëzohen nga rrethimi që i bëjnë Kalasë së Shkodrës.28 Në vitin 1806 mirditasit nën kapetanin Kolë Gjonmarkaj marrin pjesë në fushatën kundër kryengritësve serbë që kishte ndërmarrë Ibrahim Pashë Bushatlliu me autorizim të Portës. Në kuadër të kësaj fushate Ibrahim Pasha lejoi të vritet kapetani i Mirditës për arsye deri më tani të panjohura që shpie natyrisht në prishjen e marrëdhënieve mes Mirditës dhe familjes Bushatlliu.29 Pas vdekjes së Ibrahim Pashës kur në Shqipërinë Veriore shpërthejnë trazirat dhe Mustafa Pashë Bushatliu nuk ia del që menjëherë të marrë vend, mirditasit konsideroheshin si kundërshtarët më të ashpër. Nën kapidanin eri Prenk Lleshi ata më 1810 sulmojnë Zadrimën me ç’rast janë shkatërruar gjoja gjitha fshatrat myslimane. Sulme të tilla përsëriten përgjatë shtatë viteve vijuese; Zadrima bëhet zonë e preferueshme e mirditasve për plaçkitje.30 Në atë kohë në lidhje me shefin e Mirditës hynedhe Ali Pasha i Janinës, i cili natyrisht donte të përfitonte nga vështirësitë e konkurentit të tij në veri. Ai u dërgoi Prenk Lleshit dhe personaliteteve tjera të Mirditës dhurata dhe dyfishoi31 pagën e mirditasve që ishin në shërbim të tij – gjoja 500 trupa.32 Vetëm në vitin 1815 pasi kishte dështuar edhe njëherë përpjekja tjetër për kryengritje në Shkodër, mirditasit lirojnë Zadrimën dhe lidhin paqe me Mustafa Pashë Bushatlli un.33 Disa vite më vonë “te Sapa”,34 ndoshta te Nënshati, që shtrihet nën rrënojat e Sapës së vjetër, Prenk Lleshi bie (vritet) në luftë kundër turqve. Pasardhës bëhet dali i tij Prenk Doda. Prenk Doda fillimisht luftoi në anën e Ali Pashës Janinës, mirëpo pas humbjes së atij (Ali Janinës) ai përcjell Mustafë Pashë Bushatlliun në fushatën e tij kundër kryengritësve grekë në Morea. Në tendën e tij gjoja është vrarë heroi grek me prejardhje shqiptare Marko Botzaris (Boçari): pra lufta çlirimtare e grekërve ishte njëkohësisht edhe një luftë shqiptare vëllavrasëse. Pas kthimit të kësaj fushate ai shuan një revoltim tjetër në Dibër në emër të Mustafa Pashës.35 Preng Doda vdes në Kotorr ku kot kishte kërkuar shërim nga helmimi që i bën një turke nga Shkodra. Varri i tij duhet të jetë te varrezat e atyshme katolike.
Pas vdekjes së Prenk Dodës pasardhësia i takon Kolës (Nikollës) djalit më të vogël të Prenk Leshit. Ngaqë ky ishte ende në moshës të njomë drejtimin e mirditasve e mori mbi vete në vend të tij xhaxhai Lleshi i Zi. Sipas Hecquard, si autor i vetëm, na ofron disa detaje për historinë e Gjonmarkaj,36 ky Lleshi i Zi bën emër si për trimëri ashtu edhe për mizori. Ashtu si edhe Prenk Doda ai luftoi në anën e turqve kundër kryengritësve grekë mirëpo njëkohësisht mbetet edhe ndjekës i Mustafë Pashë Bushatlliut kur ky përsësi në vitin 1830 ngrihet kundër Portës. Ai me Mustafë Pashën ishte ngujuar në fortesën e rrethuar të Shkodrës dhe kur ky (Mustafa) në nëntor 1831 kapitullon, ai (Lleshi) dëbohet në Janinë.37 Kështu që me këtë nipi të tij Kola bëhet kapiten i Mirditës. Kola bëhet pjesëmarrës në fushatën ushtarake turke kundër Malit të Zi dhe me këtë fitoi mirëbesimin e vezirit të madh Rashid Pashës, i cili i beson atij mbase edhe komandën mbi një pjesë të pararojës turke gjatë luftimeve kundër Mehmed Aliut të Egjiptit në Konya. Për kohën sa kapetani ishte në Azinë e vogël, tre djemt e Lleshit të Zi në Mirditë përpiqen t‘i kontestojnë atij pushtetin. Kola njoftohet për këtë dhe lë që konkurentët e tij të vriten. E me këtë natyrisht aktivizohet reagimi zinxhiror i gjakmarrjes shqiptare: Lleshi i Zi ndërkohë i falur nga turqit,38 kthehet në Mirditë me ndërmjetësimin e klerit obligohet që të heqë dorë nga gjakmarrja mirëpo me gjithëkëtë ai e zbaton udhërin e “kanunit” dhe e vret Kolën. Një vit më vonë ai vritet vet nga gruaja e Kolës. Mbasi në familjen e Lleshit të Zi nuk kishte më asnjë mashkull që do t‘ia nxjerrte gjakun, edhe kësaj radhe këtë gjë e merr mbi vete e veja e tij dhe e vret Gjok Dodën, djalin e Prenk Dodës. Pastaj pjesëtarët e mbetur të familjes Gjonmarkaj pajtohen se me gjakmarrje duhet përfunduar sepsesecila degë kishin pësuar të njëjtin numër të vrarësh. Në kohën e konsullit Hecquard ishte Bib Doda, stërnipi i Prenk Leshit, shef i njohur e i pranuar i klanit dhe kapidan i Mirditës. Pasardhësit e Gjon Markut jetonin përsëri në paqe nën një kulm të bashkuar, edhe gratë e Kolës dhe të Lleshit të Zi, qëdisa herë i kishte parë vetë konsulli francez.39
(fig.2)
Kapidanët e Mirditës
(sipas Hecquard)

Bib Doda në fillim të 40-ës e merr postin e kapidanit. Në vitin 1844 merr pjesë në kuadër të një aksioni me Mehmed Reshid Pashën në shtypjen e kryengritjeve në Shqipërinë Jugore e për këtë merr një medalje osmane.41 Mirëpo nuk e pengonte që njëkohësisht të mbante kontakte me Malin e Zi dhe Serbinë. Ministri i brendshëm serb Ilija Garašanin e kishte futur Shqipërinë Veriore në planin e tij ku me “Naèertanije”-n e tij në vitin 1844 kishte bërë një plan42 për shtetin e Serbisë së madhe dhe kërkonte qasjen në Adriatik për Serbinë në rajonin e Shkodër-Ulqinit. Për përkrahjen ambicieve serbe kapidanit të Mirditës si shpërblim i premtohet43 një sundim i pavarur në Mirditë.Këto kontakte në vitin 184644mbetën të fshehta, edhe pse Bib Doda, i cili në vitin 1846 kishte marrë titullin Pashë dhe kishte marrë pjesë në vitin 1852 me mirditasit e tij në fushatën turke kundër Malit të Zi.45 Edhe gjatë luftës së Krimesë luftonin kontigjentet mirditase në ushtrinë turke në fushëbetejën buzë Danubit.46 Gjatë kësaj fushate vie te mosmarrëveshjet mes mirditasve dhe kapidanit të tyre, për të cilët do të flasim më vonë.
Kur në vitin 1862 përsëri vie te lufta mes Portës dhe Malit të Zi për shkak të një kryengritjeje në Herzegovinë të përkrahur nga malazezët, mirditasit refuzojnë t‘i japin përkrahje ushtarake për çka në fakt ishin të detyruar. Nxitësit e kësaj rezistence të mirditasve ishin dy klerikët katolikë – Palë Dodmasej, ipeshkëv i Lezhës dhe Gaspër Krasniqi abat i Shën Aleksandrit në Orosh. Me këtë rast për të parën herë vie te një konflikt mes drejtuesve laikë dhe klerik të Mirditës.
Historia e Abacisë së Mirditës është po aq në errësirë sa ajo e mirditasve. I takonte ajo, siç thuhet shpesh, fillimisht benediktinëve apo rregullit bazilian? Cordignano47 është për atë se bëhet fjalë për një Abaci baziliane e cila me gjasë në fillim nuk i ishte kushtuar Shën Aleksandrit por Shën Gjon Pagëzuesit dita e të cilit atje festohet po ashtu me 24 gusht. Ky mendim mbështet me një shkresë të Giovanni Topich, ipeshkëv i Lezhës të 4 shtatorit 1847: “Distrutta e depredata che fu dai Turchi l`antica Abbatia Monastica, la quale non s`intitolava di S. Alessandro, ma bensi die S. Gio: Batt.a.” Manastiri fillestar i shkatërruar nga turqit duhet të ketë qenë pesë ose gjashtë orë larg nga Oroshi në majën e Malit të Shenjt.48 Për këtë supozim të një manastiri bazilian flet ndoshta po ashtu njoftimi i Hecquard49 se, mirditasit kungoheshin në të dy mënyrat dhe se te ata është mbajtur gjallë kalendari i vjetër (d.m.th. julian). E mundur është po ashtu që mirditasit të cilët sipas gojëdhënave të tyre, vijnë nga Pashtriku, fillimisht të kenë qenë ortodoksë dhe reliktet e besimit të tyre të vjetër t`i kenë ruajtur edhe më vonë. Po ashtu është e mundur që në Mirditë dikur të ketë qenë një manastir ortodoks (ndoshta serb), prej të cilëve kishte disa në Shqipërinë Veriore.50 Kjo do të korrespodonte me traditën popullore sepse shumë kisha dhe rrënoja kishtare ndërlidhen nga shqiptarët me “shkau”-n skizmatik sllav.51 Në këtë drejtim enigmë sjell edhe relikti më i njohur i mirditasve, pra koka e martirit Aleksandër që është ruajtur në një arkëargjendi të çmueshëm me mbishkrim grek. Kjoarkë zhduket tashmë rreth 1765 dhe më vonë është zëvendësuar me një arkë tjetër të cilën e sjell ipeshkvi i Leshës nga katakombet e Romës e që është trajtuar si eshtrat e Shën Benediktit martir.52 Për traditën popullore mirditase nuk është e pa rëndësishme historia e arkës sepse ajo tregon se, është mirë e mundur që legjendat të kenë sfonde historike reale: kështu p.sh. mirditasit bëjnë be “për at Sh`Venedik”,53 dhe ata pohojnë se relikti që e mbanin si të Shën Aleksandrit është sjellë nga Roma nga priftërinjët,54 për çka padyshim kanë të drejtë vetëm se, nuk ishte Shën Aleksandri porse shenjti i këmbyer Benedikt që erdhi nga Roma. Dhe kjoarkë e dytë është është shkatërruar nga një zjarr në vitin 1895 nuk ishte, siç pohohet, i Shën Aleksandrit. Prej arkës (reliktit) fillestar me kokën e Shën Aleksandrit nuk ka mbetur më shumë se një vizatim që e sjell Zmajeviè në raportin e tij vizitator. Sipas tij mbishkrimi në arkë ishte në greqisht e thotë se njëfarë Simeon Caspacos që dikur sundonte në Triballi ishte dhurues i arkës. Se kush ishte ky Simeon Caspacos nuk kam mundur ta gjej. Është e mundur se bëhet fjalë për ndonjë pasardhës atij Kospax-it që nën kajzerin Alexios I. Komnenos (1081-1118) ishte admiral i flotë bizantine.55
Në kohën e Turqisë Shën Aleksandri nuk ishte më manastir kurse abati jo më shumë se një prift fshati por që kishte në varësi pos Oroshit edhe disa fshatra të tjera. Zmajeviè në raportin e tij vizitator përmend si abat Antonio Vladagni-in, një nip të ipeshkvit të Lezhës dioçesës së cilit i takonte Mirdita. Atë kohë abacisë i përkisnin edhe disa toka që nuk punoheshin dhe një mulli.56 Abati i mirditasve në vitin 1735 bëhet Marco Xiuppa; mirëpo në atë kohë tashmë tokat e manastirit ishin të pushtuara nga “turqit e Maqedonisë dhe Ohri” kurse vetë mirditasit të rrënuar nga zjarrvëniet dhe plaçkitjet. Mbase edhe vetë petkat meshtarake detyrohen t`i fshehin nga plaçkitësit.57Abacia në vitin 1785 ishte prapë e pajisur me toka ekishte vreshta, fusha, male dhe kullota si dhe një tufë prej 150 delesh dhe dhish. Atëherë abat ishte Paolo Duoda, një nip i zëvendëskonsullit venecian në Shkodër. Rezidenca e Abacisë nuk ishte Oroshi por “Masctercori” (?) gjysmë ore larg nga qendra e Mirditës.58 Duoda vdes në vitin 1790 pas një aksidenti: ai është kapur (rrokë) nga plumbat që janë shkrepur (gjuajtur) miqësisht për nder të tij ndërsa ai e vizitonte një fshat të Mirditës.59
Vijon
*Titulli është i redaksisë. Titulli origjinal është “Mirditasit”. Nga gjermanishtja: Zef Ahmeti (Të drejtat e përkthimit mbesin te përkthyesi. Përkthimi i tekstit është bërë me lejen e autorit.)

Shënime
60Peter Bartl, Die Mirditen, Bemerkungen zur nordalbanischen Stammesgeschichte, në: Münchner Zeitschrift für Balkankunde I (1978), fq. 27-69.
2 Krhs. Peter Bartl, Relikte der Patriarchalität, në: Wissenschaftlicher Dienst Südosteuropa 26 (1977) fq. 42.
3 S. Hyacinthe Hecquard, Histoire et description de la Haute Albanie ou Guègarie, Paris v. njejt, fq. 219.
4 A. Degrand, Souvenirs de la Haute-Albanie, Paris 1901, fq. 119.
5 Nga turqishtja bayrak=flamur; nënndarje administrative-ushtarake te fiset shqiptare gjatë sundimit turk.
6 Franz Steiner, Ergebnise der Volkszählung in Albanien in dem von den österr.-ungar. Truppen 1916-1918 besetzen Gebiete. Wien, Leipzig 1922, fq. 114
7 Po aty, fq. 108.
8 Hecquard, fq. 220-223.
9Notitie uniuersali dello stato di Albania = Biblioteca Apostolica Vaticana, Barb.Lat. 4577, f.105.
10 Po aty.
11 Hecquard, fq. 223.
12 „Sumac” bei Degrand, fq. 150; „bois de fustel” ose „Scodano” te Hecquard, fq. 224.
13 Po aty.
14 Injac Zamputi (ed.), Relacione mbi gjendjen e SHqipërisë veriore dhe të mesme në shekullin XVII. I. Tiranë 1963, fq. 158: „passassimo verso le ville di Mirditti.”
15 Studime e tekste: juridike I. Tirana 1944, fq. 385.
16 Po aty, fq. 374-376.
17 Zamputi I, fq. 308.
18 „Vi erano anco le Parochie di S. Martino di Plixa, della Santissima Trinita di Seglienza, di Santa Madalena di Barbasiori, ma hora sono tutte destrutte per le incursioni delli Popoli chiamati Mirdita” = Zamputi I, fq. 400.
19 Kështu Giuseppe Valentini, Il diritto della comunià nella tradizione giuridica albanese. Firence 1956, fq. 319.
20 Valentini, Il diritto, fq. 314 quan Mavriqi një ‘fis vendor‘ (stirpe ànas) në bajragun e Gimaj të Shalës.
21 Julia Vladimirovna Ivanova, Severnaja Albanija v XIX  naèale XX v. Obšèestvennaja žizn. Moskva 1973, fq. 32.
22 Valentini, Il diritto, fq. 347 përmend një vëllazëri me të njejtin emër, e cila në të kaluarën duhet të ketë konkuruar me Gjonmarkajt për titullin e princit.
23 Ivanova, fq. 71.
24 Stavri N. Naçi, Pashalleku i Shkodrës nën sundimin e Bushatllive në gjysmën e dytë të shekullit të XVIII (1757-1796), Tiarana 1964, fq. 74.
25 Po aty, fq.72, 261.
26 Po aty, 73.
27 Po aty, fq. 118, 276.
28 Grigorij L‘voviè Arš, Albanija i EPir v konce XVIII  œ h-™– naèale XIX v. (Zapadnobalkanskie pašalyki Osmanskoj imperii), Moskva 1963, fq. 109.
29 Po aty, fq. 246.
30 Hecquard, fq. 237.
31 F. C. H. L. Pouqueville, Voyage dans la Grèce. I, Paris 1820, fq. 545.
32 Arš, fq. 255.
33 Po aty, fq. 309.
34 Hecquard, fq. 238.
35 Po aty.
36 Hecquard, fq. 235-246.
37 Historia e Shqipërisë I, Tiranë 1959, fq. 485.
38 Hecquard, fq. 240, sheh në këtë një ndërlidhje shkakore.
39Hecquard, fq. 241-242.
40Te Hecquard nuk ceket.
41Hecquard, fq. 243.
42 Për këtë shiko Charles Jelavich, Garašanins Naèertanije und das gossserbische Program, në: Südost-Forschungen 27 (1968), fq. 131-147.
43 Historia e Shqipërisë II, Tiranë 1965, fq. 64.
44 Sadulla Brestovci, Marrëdhënjet Shqiptaro-Serbo-Malazeze gjatë viteve 1839-1856, në : Gjurmime albanologjike. Seria e shkencave historike (1972) 2, fq. 137.
45 Historia e Shqipërisë II, fq. 75.
46 Po aty.
47 Fulvio Cordignano, ANtichi monasteri benedettini in ALbania, në: La Cività cattolica 80,4 (1929), fq. 235-237.
48Archivo storico della S. Congregazione „dePropaganda Fide” (mëtutje APF), SC Albania, 32, f.856-57 v.
49 Hecquard, fq. 226.
50 Krhs. Milan von Šufflay, Die Kirchenzustände im vortürkischen Albanien. Die orthodoxe Durchbruchzone im katholischen Damme, në: Illyrisch-albanische Forschungen I., München, Leipzig 1916, fq. 237: „…orientalische Klöster und Kirchen in und außerhalb der Stadt, wie es scheint bis in die Diözese von Arbanum (Kroja) hineinreichend.” Shën Aleksandri i Oroshit dikur i takonte dioçezës së Arbanum-it, krhs. Ludwig von Thallóczy, Konstantin Jerièek dhe Emil von Šufflay (ed.), Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia I., Wien 1913, fq. 510.
51 Cordignano, Antichi monasteri, fq. 510.
52 Një raport vizitator mbi dioçezën e Lezhës i vitit 1807 për „Mirditën” raporton me sa vijon: „Miriditti Parrocchia, et Abbazia (di titolo, e non die entrata) sotto i‘invocazione di S. Gio: Batt.a, e di S. Alessandro Martiri Soldato; la testa di questo Santo, posta in una bella cassettina d‘argento si custodiva, e venereva in questa Chiesa di Mirditti con molta divozione del popolo che da tempi antichi ha posseduto questa Sacra Reliquia. Sono da quaranta due anni incirca, che questa Reliquia si è perduta, e invece di quella tiene presentemente il corpo di un altro Santo Martire, preso dalle catacombe di Roma da Monsig.rGiorgio Vesc.o d‘Alessio; alla quale Reliquia da Monsig.r Sacrista (?) fù dato il nome di S. Benedetto Martire. Dal medesimo Vescovo Junchi con raccolte limosine fu fatta alla nuova Reliquia una nuova, e bellissima cassa di fino argento.” = APF, SC Albania 23, f.71-71 v.
51 Cordignano, Antichi monasteri, fq. 236.
52 Po aty, fq. 510-11.
53 Megali Elliniki Enkiklopedia XIII.
54 Notitie uniuersali, f.106.
55 APF, SOCG 681, f.30.
56APF, SOCG 877, f.30-33.
57APF, SOCG 885, f.494.
58APF, SOCG 885, f.463 v.
59 Nicòlo Malci, ipeshkëv i Lezhës drejtuar Kongregacionit të Propagandës, 21. IX. 1810 = APF, SC Albania 23, f. 387-87 v.

(Milosao/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb