NgaSHABAN MURATI*

Ekuacioni gjeopolitik ndërkombëtar në konfl iktin sirian mori një element të ri të beftë dhe të panjohur me vendimin e Kinës për të dërguar këshilltarë ushtarakë dhe ndihma ushtarake për forcat e armatosura të regjimit të Asadit në Siri. Kjo lëvizje strategjike iu bë e njohur opinionit ndërkombëtar me njoftimin e agjencisë zyrtare kineze të lajmeve në 17 gusht për vizitën që zhvilloi në Damask drejtori i Drejtorisë së Bashkëpunimit Ushtarak në Komisionin Qendror Ushtarak të Kinës, që është ndër mekanizmat më të rëndësishme të drejtimit të shtetit kinez. Kundëradmirali Guan Jufei, në krye të delegacionit ushtarak kinez, zhvilloi bisedime me ministrin e Mbrojtjes të Sirisë, në të cilat u vendos forcimi i bashkëpunimit ushtarak midis dy vendeve dhe dy ushtrive, pa dhënë shumë detaje për përmasat dhe cilësitë e këtij bashkëpunimi ushtarak.
Kina futet kështu zyrtarisht si palë dhe pjesëmarrëse në konfliktin e Sirisë, duke afishuar një zhvendosje të diplomacisë dhe të strategjisë së saj të deritanishme. Në planin politik dhe diplomatik, Kina e cila publikisht i është përmbajtur parimit se nuk ndërhyn në konfliktet e brendshme të shteteve të tjera, tani merr hapur anën e regjimit autokrat të Asadit, duke e ndihmuar ushtarakisht. Themi hapur, sepse në fakt Pekini që në fillimet e konfliktit në Siri në vitin 2011 ka përkrahur atë regjim dhe në Këshillin e Sigurimit të OKB, bashkë me Rusinë, ka vënë veton për rezolutat e propozuara nga Perëndimi për dënimin e qeverisë së Asadit. Çka tërheq vëmendjen në vendimin e Kinës për të hyrë si lojtar në fushën e luftës civile siriane dhe si faktor në krizën dhe konfliktin sirian, janë dy elemente. Së pari, Kina po kapërcen kufijtë kombëtarë. Historikisht Kina ka ndjekur një politikë të jashtme dhe diplomaci të kujdesshme të ndenjes larg nga përfshirja në konfliktet lokale jashtë Azisë. Tani Kina ndërmerr hapin e parë të futjes në një konflikt të brendshëm të armatosur në një shtet shumë larg kufijve të saj, siç është konflikti në Siri. Elementi i dytë është përdorimi i fuqisë ushtarake si instrument i pranisë dhe i rolit të saj në Lindjen e Mesme. Në Siri po zhvillohet një luftë civile dhe Kina vendos të marrë anën e një pale, pra të regjimit satrap në fuqi dhe të dërgojë këshilltarët e saj ushtarakë dhe ndihmën e saj ushtarake në atë vend në mbështetje të një regjimi shtypës.
Po diskutohet shumë lidhur me motivet që e shtynë Pekinin të ndërmarrë një lëvizje të tillë strategjike, duke u futur zyrtarisht dhe ushtarakisht në konfliktin sirian. Një teori është se Kina e ndërmori këtë lëvizje si kundërpërgjigje ndaj qëndrimit dhe politikës amerikane ndaj pretendimeve detare kineze. SHBA-të kanë kundërshtuar pretendimet e Kinës për monopolin e detit të Kinës Jugore dhe kanë përkrahur qëndrimet dhe të drejtat e shteteve të tjera të rajonit për hapësirat detare të atij deti. SHBA-të përkrahën edhe vendimin e Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit në Hagë në 12 korrik në favor të Filipineve në lidhje me çështjen e hapësirave detare të diskutueshme midis Kinës dhe Filipineve. Si kundërpërgjigje ndaj kësaj politike të SHBA, Kina ndërmerr hapin e futjes në konfliktin sirian, duke marrë anën e regjimit të Asadit, që është kundërshtar i SHBA-ve dhe i Perëndimit. Një teori është se Kina vendosi të futet në konfliktin sirian për shkak të problematikës, që ka me popullsinë myslimane të krahinës së Sinkiangut, e cila i nënshtrohet një diskriminimi fetar dhe etnik. Në Siri, sipas të dhënave të mediave ndodhen mbi 200 luftëtarë kinezë nga Sinkiangu të “Lëvizjes Islamike të Turkestanit Lindor”, që luftojnë në radhët e forcave kundërshtare të regjimit të Damaskut. Kina futet ushtarakisht në ndihmë të regjimit të Asadit për të mundësuar likuidimin e grupeve të luftëtarëve myslimanë nga Sinkiangu.
Në realitet lëvizja strategjike e Kinës për t’u përfshirë në konfliktin sirian është shumë më tepër dhe shumë më larg se sa motivet e shprehura më sipër. Në të vërtetë, ajo është një lëvizje gjeopolitike me synime afatgjata, në përputhje me aspiratat dhe ambiciet në rritje të Kinës si një fuqi globale. Kina ishte deri tani e vetmja anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB, që nuk ishte përfshirë ushtarakisht në konfliktin sirian. Tani ajo u bë pjesë e kësaj përfshirjeje të fuqive të mëdha ushtarake në Siri. Konflikti sirian ka kohë që ka kapërcyer karakterin e një lufte civile të brendshme. Ai është shndërruar në një nga arenat më aktive të përplasjeve dhe intrigave gjeopolitike ndërkombëtare, që shtrihen në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme. Lojërat gjeopolitike në Lindjen e Mesme po marrin dimensione dhe komplikime të padeshifrueshme, të cilat gradualisht po lënë në plan të dytë edhe luftën kundër organizatës terroriste të ISIS-it, luftë e cila disa herë po përdoret për të kamufluar strategji të largëta dhe të nëndheshme të njërës apo tjetrës fuqi e madhe. Kina aspiron të jetë lojtar aktiv i skakierës gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe të luajë një rol më aktiv. Nxitjen për këtë mision të ri gjeopolitik kinez e dhanë me sa duket zhvillimet e reja lidhur me konfliktin sirian dhe me rajonin e Lindjes së Mesme.
Ka disa zhvillime interesante kohët e fundit në dinamikën e konfliktit sirian, të cilat dëshmojnë se është fjala jo thjesht dhe vetëm për të vendosur a do të ikë apo do të rrijë regjimi i Asadit. Prapaskenat diplomatike ndërkombëtare janë për objektiva shumë më të mëdha dhe kanë të bëjnë si me të ardhmen e Sirisë, me apo pa Asadin, ashtu edhe me lëvizjet dhe aleancat e grupimet e reja, politike, strategjike, fetare, etj., që po dalin në skenë në Lindjen e Mesme.
Së pari, është roli në rritje i Rusisë në Siri dhe në rajon. Rusia ka munguar atje deri në vitin 2014, por aktualisht ajo ka qenë në gjendje të bëhet partnere bisedimesh dypalëshe me SHBA-të për krizën siriane, të gjejë gjuhën me Turqinë pas grushtit të dështuar të shtetit atje, për një mekanizëm ruso-turk të zgjidhjes se çështjes siriane dhe të fitojë plasdarme ushtarake në Iran për ndërhyrjen ruse në Siri. Duke filluar nga çështja e armëve kimike siriane në vitin 2014 e deri tek ndërhyrja e drejtpërdrejtë ushtarake e Rusisë dhe vendosja e forcave të saj në Siri në vjeshtën e vitit 2015, kemi një konfiguracion të ri strategjik, që dashje pa dashje, e evidenton Rusinë një lojtar kryesor të domosdoshëm të tryezës së ngushtë gjeopolitike ndërkombëtare, jo vetëm për Sirinë, por edhe për krejt Lindjen e Mesme.
Në 16 gusht Rusia arriti që të nisë nga territori i Iranit inkursionet e saj ushtarako-ajrore kundër objektivave antiqeveritare në Siri, duke sanksionuar të drejtën e përdorimit të bazës ushtarake të Hamadanit, gjë e cila nuk ka ndodhur kurrë në Iran, madje as në kohën e shahut, që të vihet në dispozicion të aviacionit të huaj ushtarak territori i vendit. Ministri i Mbrojtjes i Iranit deklaroi në një konferencë shtypi në 20 gusht se Teherani është gati t’i japë edhe një bazë të dytë Rusisë, nëse ajo e kërkon. Ky zhvillim i ri përbën një avantazh strategjik të Rusisë në Lindjen e Mesme, ndryshon ekuilibrin e forcave në planin ushtarak dhe natyrisht e komplikon situatën në rajon dhe më gjerë. Në një farë kuptimi, kjo i shtyn ujërat e zgjidhjes së krizës siriane në favor të regjimit të Damaskut, çka do të thotë se diplomacia e fuqive të mëdha dhe e shteteve të rajonit, të interesuara për konfliktin sirian, po bëjnë tratativa për situatat postkonflikt.
Përballë gjithë këtyre zhvillimeve të reja, edhe Kina me sa duket ka vendosur të nxitohet që të jetë edhe ajo në tryezën e diskutimeve diplomatike për dinamikat rajonale të postkonfliktit. Drejtimi i lëvizjes strategjike dhe ushtarake kineze në Siri shkon në drejtimin e koordinimit me aleatin e saj strategjik, Rusinë. Tërheq vëmendjen fakti që kundëradmirali kinez Guan Jufei, gjatë qëndrimit të tij në Damask zhvilloi bisedime me gjeneralin rus Sergej Çvarkov, i cili komandon qendrën e ndihmës ushtarake ruse në Siri. Bisedimet ushtarake kinezo-ruse në Damask janë disi të habitshme në planin protokollar dhe sinjalizojnë një koordinim ushtarak në terren midis dy fuqive të mëdha aziatike, rivale të SHBA-ve dhe të Perëndimit. Moska e ka pritur pozitivisht përfshirjen ushtarake të Kinës në përkrahje të regjimit të Damaskut, sepse përbën një zgjerim të grupit të shteteve, që mbështesin Asadin dhe u kundërvihen Perëndimit dhe forcave demokratike siriane. Kryetari i Komitetit të Dumës Ruse për mbrojtjen, admirali Vladimir Komojedov, në 19 gusht përshëndeti vendimin e Kinës për dërgimin e këshilltarëve ushtarakë dhe të ndihmës ushtarake në Siri. “Ushtarakët kinezë në Siri – deklaroi admirali rus – është hapi i parë drejt krijimit së bashku të një koalicioni ushtarako-politik, të dominuar nga vende që nuk janë bashkuar me NATO-n agresive. Ka ardhur koha që Rusia, Kina, Irani dhe India të krijojnë një koalicion antiterrorist. Këto vende kanë interesa të përbashkëta në Lindjen e Mesme”.
Hyrja e Kinës në konfliktin sirian në mbështetje të regjimit antipopullor të Asadit e komplikon më shumë si konfliktin, ashtu edhe planimetrinë strategjike të rajonit. Ajo sjell një provë të re se Kina po braktis parimet e saj të shpallura të politikës së jashtme të asnjanësisë dhe të mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve dhe të popujve të tjerë dhe po ndjek rrugën klasike imperiale për të dëshmuar fuqinë globale nëpërmjet ndërhyrjes në konfliktet e rajonet e largëta të botës. Kjo lëvizje e re strategjike dhe gjeopolitike e Kinës në Siri dhe në Lindjen e Mesme duhet të tërheqë vëmendjen e diplomacive dhe të qeverive të rajoneve të tjera, ku është konkretizuar një ambicie gjeopolitike kineze, siç është Ballkani dhe Europa Qendrore. Programi ekonomik kinez i quajtur “16 plus një” dhe që përfshin investimet e Kinës në 16 shtete ish-komuniste të Europës Qendrore dhe të Ballkanit nuk është as aq ekonomik dhe as aq humanitar sa ç’mendojnë disa burokratë të diplomacive ish-komuniste. Kina po lëviz me ritme më të shpejtuara dhe me hapa konkrete drejt ambicies së saj si fuqi e madhe globale në të gjitha rajonet e botës, nga Lindja e Mesme e deri në Ballkan.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: