Nga: LAVDOSH AHMETAJ*

Prej më tepër se një viti jeta politike dhe atmosfera publike nën “bombardimin” mediatik u mbars intensivisht me të ashtuquajturën “reformë në drejtësi”, që do të kulmonte ditën e 21 korrikut me miratimin unanim 140-zërësh të ndryshimeve kushtetuese që i hapin rrugë asaj reforme. Përgjatë gjithë kësaj kohe që dirigjuesit ndërkombëtare bënin përpjekje të mundimshme për të zbutur dhe fashitur stonaturat që ngrinin krye deri në orët e para të mëngjesit të ditës së shënuar, për të dhënë shfaqjen e harmonishme të “korit të deputetëve”, ngjizej dhe perceptimi i përgjithshëm i qytetarëve se pas kësaj date do të vinte përmbysja (për mirë) e gjendjes, aq sa filluan edhe “bastet” e anketimet se kush politikan do ta pësonte i pari nga kjo reformë! E në këtë klimë të rrëmbyeshme iluzive, pak ose aspak vend patën mendjet racionale për të gjykuar ftohtësisht në një sintezë edhe të përvojave të shkuara të këtyre 25 viteve, se kush do të fitonte realisht nga kjo sipërmarrje, përsëri politika, apo kësaj radhe shteti dhe qytetarët. E më tej, a kishte mundësi që politikanët të angazhoheshin fuqimisht për të kryer një reformë në një formulim të tillë që do të “hidhte në erë” ata vetë, pa marrë masat preventive për t’i shpëtuar furtunës.
Perceptimi ngazëllyes i diktuar masivisht nga mjetet e përpunimit të opinionit nuk arriti të kthjellohet as kur, pak ditë pas 21 korrikut, u dha sihariqi se një projektligj amnistie fiskale ishte hartuar dhe miratuar nga dikasteri i financave, ku biznesit i faleshin detyrimet e konsiderueshme të akumuluara ndër vite. Në dukje të parë ndoshta kjo s’mund të ketë lidhje me atë çka thamë më lart për reformën, por në një logjikë integrale nuk mund të përjashtohet edhe që ky të jetë “hapi i parë”, masa e parë preventive për të krijuar paprekshmërinë nga reforma. Pasi shenjat janë dhënë se do të pasohet edhe nga amnisti të tjera dhe më të rëndësishme, si për shembull ajo për gjyqtarët dhe prokurorët që preken drejtpërdrejtë nga “stuhia reformuese”. Madje, edhe nga goja e ndërkombëtarëve është dëgjuar të thuhet se, nëse të korruptuarit japin dorëheqjen vullnetarisht, mund të rrinë rehat në shtëpitë e tyre pasi nuk i prek asgjë. E nëse realizohet amnisti për kastën e biznesit, për kastën e juristëve, pse më pas të mos ketë një të tillë edhe për vetë politikanët, që për hir të së vërtetës janë amnistuar përgjatë gjithë këtyre viteve për bëmat që kanë kryer?!
Projektligji mbi amnistinë fiskale duhet vështruar pikërisht në kuadër të objektit të reformës për të cilën folëm, pra “të drejtësisë”, pasi jo më larg se 5 ditë nga shfaqja e “korit të deputetëve”, është drejtësia, është ligji, është shteti ai që e pëson. E përkthyer në terma të thjeshta, detyrimet fiskale që po falen (dhe nuk janë pak, por qindra milionë euro) vërtet i krijojnë frymëmarrje biznesit apo lehtësojnë punën e zyrtarëve të financave nga dosjet e mbartura, por nga ana tjetër shkelin një parim të qenësishëm të vetë sistemit. Qytetarët kanë paguar tek biznesi mbivlerën e mallit apo të shërbimit që kanë marrë, me kushtin që një pjesë e saj t’i rikthehet, përmes detyrimeve fiskale me të cilat ai ngarkohet nga shteti, në shërbime dhe investime publike. Çka do të thotë se me amnistinë në fjalë, qytetarët jo vetëm që janë dëmtuar prej vonesës së rikthimit të vlerës publike, por tashmë as nuk duhet të presin më, pasi jo shteti, por një kastë tjetër vendos të falë! Themi jo shteti, në kuptimin se shteti teorikisht është i qytetarëve dhe jo i kastave, përndryshe ai mendohet si i uzurpuar.
Duhet shënuar se kjo amnisti është një praktikë e vijueshme, pasi i vendos termat që nga viti 2011, kohë kur qeveria “Berisha” pati shpallur një amnisti tjetër të radhës. Dhe prandaj morëm shkas kjo amnisti e parë në funksion të njërës kastë, asaj të biznesit, që sipas gjykimit racional do të pasohet edhe nga të tjera për kastat e tjera, ato të juristëve e të politikanëve, jo për të ndalur gjatë e për ta shtjelluar në detaje, por për të reflektuar mbi një dukuri që ka bashkëshoqëruar në mënyrë permanente shoqërinë shqiptare në këtë çerek shekulli, dukuri që do ta përkufizonim në binomin amnisti-amnezi, e para si mekanizëm i politikës dhe e dyta si sindromë e vetë shoqërisë.
Ky binom, në fakt duket se vepron në një “harmoni” të habitshme, pasi elementët e tij plotësojnë mrekullisht njëri-tjetrin dhe kjo vërehet përgjatë gjithë situatave amnistuese, nëse kalojmë në revistë kronologjike momentet kryesore të gjithë këtyre viteve për të cilët po flasim. Themi situata amnistuese, pasi përveç amnistive të shpallura me ligj, kemi edhe amnisti të nënkuptuara apo të miratuara heshtazi. Në këtë rast të dytë politika nuk ka nevojë të ndërhyjë ligjërisht me amnisti, pasi ndihmohet nga amnezia e shoqërisë.
Kështu, binomi ka funksionuar qysh në hapat e parë të ndërrimit të sistemit politik, kur nën moton e artikuluar nga politika për “bashkëvuajtës e bashkëfajtorë”, iu hap rruga jo vetëm amnistimit, por edhe vetë amnezisë së shoqërisë “bashkëfajtore”, e më tej shkeljes permanente të ligjeve deri në shpërfillje të shtetit, aq sa motoja e mësipërme mund të perifrazohej në kushtet e sotme si “bashkëvjedhës dhe bashkakuzues”. Shoqëria nuk pati fuqi të ngrinte zërin për krimet që ishin kryer në kurriz të saj e gjeti prehje në humbjen e kujtesës, kuptohet me nxitjen e pareshtur propagandistike për të mos e kthyer kokën mbrapa, për të ecur përpara, “të shkuara e të harruara”!
Situatat e çinstalimit të shtetit të viteve 1991-1992 me të njëjtën logjikë të fillimit u amnistuan, duke krijuar gradualisht perceptimin se sistemi i ri pranonte apo më mirë kërkonte pikërisht shkeljen e ligjeve, shpërfilljen apo deri dhe rrënimin e shtetit. Në rastet kur trashej zullumi, do të ishte politika ajo që do të gjente rrugëdalje, domethënë mekanizmin e amnistisë, e më pas shoqërisë i takonte të zhytej në mjegullën e amnezisë. Amnisti e shpallur apo e pashpallur për ata që i vunë kazmën, dogjën apo vodhën asetet publike, që nga fabrikat, uzinat, deri tek pemëtoret e magazinat; amnisti për ata që digjnin pyjet, për ata që gërryenin shtretërit e lumenjve, për ata që nisën të zhvillonin trafiqet. Shteti e ligji morën rrokullimën, ai vepronte tashmë vetëm mbi qytetarin që ende ishte i bindur se ato duhet të respektoheshin. Më tej aksioni antishtet i uzurpimit të tokave, i ndërtimit të objekteve pa leje, i mishmashit demografik që vijoi (e ndoshta vijon me ritme më të vogla edhe sot) derisa politika vendos amnistinë e madhe, domethënë legalizimin e tyre. Dhe procesi i legalizimit të uzurpimeve masive të kryera në këta vite ndoshta është dhe aksioni më antishtet që është kryer ndonjëherë në këtë vend, jo vetëm për shkeljen e rëndë të parimeve kushtetuese të një shteti, por edhe për perceptimin dhe psikozën e ngulitur në vetë shoqërinë së cilës i jepet modeli uzurpator si mjet që legalizohet ose amnistohet në një kohë më të vonë. U krijua premisa sa nuk është çudi që në kohë të tjera të përsëritet dhe të kryejë cikle të ngjashme që më pas politika i ligjëron përmes amnistimit ose legalizimit.
Gjykojmë se janë këto premisa të mëparshme që krijuan edhe situatën e vitit 1997, e më tej edhe 1998, të cilat u pasuan në të njëjtën logjikë me amnistinë e madhe në emër të pajtimit, por në fakt që shërbeu për të “pastruar” protagonistët e atyre situatave që u ricikluan edhe njëherë në skenën politike, mediatike apo të biznesit, si dhe për të vaksinuar shoqërinë kundër kujtesës, pra drejt amnezisë, e cila me sa duket po kthehet në fenomen.
Në të njëjtën rrjedhë u vijua edhe më pas, kur binomi amnisti-amnezi përtërihej pas çdo situate pështjellimi, qoftë kjo edhe në rastin e Gërdecit apo të 21 janarit. Pas një pauze në shërbim të amnezisë, po shohim të riciklohen si protagonistë politikë e publikë ata që u amnistuan në heshtje për ato ngjarje, madje edhe të artikulojnë guximshëm se “ato situata i menaxhuam mirë”, në kohën që as një logjik fëmijësh nuk e fal. Pra, amnistitë permanente kanë prodhuar edhe gjendjen në të cilën gjendet aktualisht shteti dhe shoqëria shqiptare, një shtet të cilit i shkelen ligjet dhe bëhet i pafuqishëm prej aministive permanente dhe një shoqëri e cila inkriminohet dhe penalizohet dita-ditës duke u detyruar të kalojë në amnezi.
Por, pasi e anatemuam konkretisht, në një plan teorik, a duhet të ekzistojë mekanizmi i amnistisë? Natyrisht, amnistia nuk është një shpikje ekskluzivisht shqiptare, por e tillë është mënyra se si përdoret dhe funksionon. Amnistia në vetvete është një institucion i shtetit ose i asaj që quhet e drejtë publike, e cila vepron në momente kruciale apo edhe në periodicitet të arsyeshëm në të gjitha shtetet moderne. Ky institucion aktivizohet ose për të fashitur situata krizash ku përfituesi më i madh prej tij është vetë shoqëria, ose për të shfaqur vullnetin e mirë të shtetit karshi individëve qytetarë që kanë shkelur ligjin dhe për këtë edhe janë penalizuar. Në çdo rast, amnistia në një shtet normal dhe etik, në një shtet si mishërim të vullnetit juridik të shoqërisë, përbën një institucion që nuk favorizon kastat, oligarkitë apo grupet antishoqërore, por që funksionon për harmonizimin dhe rrafshimin e problematikave në vetë shoqërinë.
Ndërsa, amnistia në rastin shqiptar është kthyer nga një institucion i shtetit në instrument të politikës, e për këtë shkak produkti është infektoz dhe i rrezikshëm për shoqërinë dhe rrënues për vetë shtetin. Politika e reduktuar në kastë aktivizon amnistitë, o për të shpëtuar vetveten nga paudhësitë që ka kryer ndaj vetë shtetit dhe shoqërisë, o për të ndihmuar kastat paralele të biznesit, të drejtësisë, të medias, apo deri dhe të krimit të organizuar, pa përfillur shkallën e dëmit që i ka ardhur shtetit dhe shoqërisë nga këto paudhësi. Dhe në të gjitha rastet, pas amnistive vërehet jo vetëm riciklimi i përfituesve nga ato amnisti, por edhe sofistikimi i veprimtarisë antishtet e antishoqëri. Dhe duket se këto amnisti shfaqen përherë kur shoqëria ka filluar të ketë kujtesë, pra të dalë nga sindroma e amnezisë. Edhe në rastin e tanishëm, kur zullumi i organeve “të drejtësisë” është trashur tej mase dhe ka ngjallur pakënaqësinë në rritje të shoqërisë, sa të detyrojë një reformë rrënjësore mbi të, një amnisti ndaj tyre do të ishte krimi i radhës që bën politika për të shpëtuar krijesat e saj. Pasi do të ishte tepër naive të mendohej se kjo gjendje në të cilën ka mbërritur e gjithë struktura e drejtësisë, në vend është një krijim i pavarur nga politika, është kjo e fundit që ka ngjizur, ka menaxhuar dhe ka strukturuar një “përbindësh” të tillë. Ndoshta tashmë po ndërhyn e detyruar se “i ka dalë nga duart”, por gjithsesi nuk mundet dhe nuk ka se si të dëshirojë eliminimin e kësaj krijese. Do të ishte një handikap i madh, një alogjikë e skajshme që politika të bënte harakiri duke goditur një sistem me të cilin është ruajtur e paprekur për dy dekada e gjysmë, e aq më tepër t’i linte protagonistët e tij të penalizoheshin meritueshëm. Instrumenti i amnistisë është shpëtim si për të parët, edhe për të dytët.
Duke iu rikthyer edhe njëherë fillimit, gjykojmë se edhe në këtë rast binomi do të funksionojë. Nëse amnistinë për biznesin do ta pasojë amnistia për gjyqtarët e për prokurorët, e më pas për politikanët, nuk është çudi që në të ardhmen po këta gjyqtarë “të dorëhequr”, domethënë të amnistuar për bëmat e tyre për dy dekada, të riciklohen tashmë në fusha të tjera, apo të rigrupohen në kasta të tjera, e t’i shohim të pozojnë si deputetë të radhës, si analistë mediatikë, si ekspertë këshilltarë, apo si biznesmenë të suksesshëm, që mund të japin edhe leksione për qytetarët se “si mund të bëhesh milioner”. Në çdo rast, si në detyrat që mbulojnë ende, ashtu edhe të ricikluar në sektorë të tjerë, i rrënuar mbetet shteti, të dëmtuar tej mase qytetarët.
Pra, binomi amnisti-amnezi, e para si koncept i mbrapshtë që udhëheq jetën politike, dhe e dyta si sindromë e pashëndetshme e shoqërisë, sipas gjykimit tonë, duhet stigmatizuar si e keqja që pengon shqiptarët të ecin në një rrugë normale politiko-sociale, me një shtet funksional në shërbim dhe në mishërim të vullnetit të qytetarëve.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: