KOSOVE-Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka dënuar veprimet më të fundit të Serbisë kundër liderëve të Kosovës duke keqpërdorur organizatat ndërkombëtare.

Hoxhaj tha se ky keqpërdorim i institucioneve ndërkombëtare nga ana e Serbisë, po vazhdon duke përdorur akuza që tashmë janë dëshmuar të jenë të rrejshme.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj deklaroi se këto veprime nuk janë as në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore, as në frymën e perspektivës evropiane, e aq më pak kjo nuk do të ndihmojë normalizimin e raporteve mes dy vendeve.

“Serbia vazhdon të abuzojë me organizatat ndërkombëtare për ta dëmtuar Kosovën përmes fletarresteve të INTERPOL-it, me deklarata që tashmë janë dëshmuar të jenë të pavërteta. Kjo sjellje nuk është në frymën e marrëdhënieve të mira as të perspektivës evropiane, aq më pak e ndihmon normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.

Ministri i Brendshëm serb ka deklaruar sot se INTERPOL-i i ka rikthyer fletarrestet për presidentin dhe kryeministrin e Kosovës, të cilat ishin tërhequr nga databaza e kësaj organizate në dhjetor të vitit të kaluar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: