NGA: Sokol Hazizaj
Heqja e gjyqtarëve apo prokurorëve me kurikul “korrupsioni” nuk është revolucion dhe as mund të quhet i tillë, sa kohë sistemi gëlon nga ligje apo iniciativa të këqija, apo tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Fatkeqësia e radhës, të cilën unë e pres, qëndron në faktin se dhe pas krasitjes, drejtësia do të ngelet ende në prehrin e politikës, duke u shfrytëzuar tejskajshmërisht si lobing votash, apo si errësira ku njerëzit enden pambarimisht duke besuar pakës dritë tek e keqja më e vogël.

Gjithsesi, pa dashur ta ngarkoj diskutimin tim, bëj me dije se sistemi i drejtësisë duam apo nuk duam ne, ka tre komponentë përbërës, kahershëm të padiskutueshëm. Ajo mund të ketë edhe katër, pesë dhe më shumë në qoftë se udhëheqja politike e deritanishme tek ne kërkon ta zgjas pafundësisht ekuacionin, siç dhe bën në mënyrë të përhershme. Por e vërteta, pra themelet e një reforme janë tri dhe vetëm tri, të cilat konsistojnë në forcimin e sistemit ligjor, forcimin e gjykatave, si dhe rregullimi pasojave.
Duke thjeshtuar akoma më tej diskutimin, citoj se mjafton të merresh në mënyrë sipërfaqësore me këto tri kategori, konstaton se i gjithë kuorumi ligjor i deritanishëm ende nuk e ka arritur qëllimin për të cilin qytetarët e këtij vendi kanë shpresuar dhe vazhdojnë të kenë ende besim se akte të ndryshme ligjore do të mund të kthejnë fytyrën nga prona e etërve të tyre. Parashikimet kushtetuese janë të qarta, të sakta dhe nuk lënë vend për asnjë lajthitje ligjore të mëpastajme. Për këtë mjafton të citosh parashikimet e neneve 11, 41, 42 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Neni 11/2 pranon se “Prona private dhe publike mbrohen njëlloj me ligj”. Neni 41/2 pranon se “Prona fitohet me dhurim, me trashëgimi, me blerje dhe me çdo mënyrë tjetër klasike të parashikuar në Kodin Civil”. Neni 42 pranon se “Liria, prona dhe të drejtat e njohura me Kushtetutë dhe me ligj nuk mund të cenohen pa një proces të rregullt ligjor”. Vështruar me vëmendje këto dispozita, konstatohet lehtë se këto akte nuk kanë nevojë, ose nuk të lënë mundësi të devijosh nga e vërteta, nuk të krijojnë asnjë tolerancë të mosnjohësh apo të mos krijosh kushtet e veçanta ligjore dhe më tej, mbi njohjen, kthimin pse jo dhe ekzekutimit e vendimeve pa kushte mbi çdo pronë. Madje, për nga mënyra se si janë ndërtuar nenet e sipërcituara konstatohet se barrën e provës duhet ta merrte shteti, jo individi. Por çka ndodhur?. Që prej vitit 1991 në kushtet kur mbi Ligjin nr.7501, datë 19.07.1991 “Për Tokën” janë bërë ndryshime për mbi katër herë, si dhe mbi dyzet herë kanë ndryshuar ligjet mbi pronësinë, na bën të mundur të konkludojmë se garancia juridike e dhënë nëpërmjet Kushtetutës ose është zbehur, ose ka humbur kuptimin e saj. Pra, ka ndodhur e kundërta e dimensionit të parë të kuptimit dhe forcimit të sistemit të drejtësisë, e cila lidhet ngushtësisht me forcimin e legjislacionit dhe rritjen e efikasitetit të tij mbi garancinë e mbrojtjes së pronës. Shëndetësia, e konsideruar si pjesë e garancisë për të jetuar, është moment tjetër kushtetues, e cila ashtu siç shkruhet dhe pranohet në Kushtetutë, konsiderohet si një nga objektivat socialë më të rëndësishëm. E qartë, saktë dhe vijuese vjen neni 54 i saj, ku shteti merr përsipër të garantojë standardin më të lartë shëndetësor, fizik e mendor të mundshëm, një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm si dhe riaftësimin shëndetësor, edukimin e specializuar dhe integrimin në shoqëri të të paaftëve, si dhe përmirësimin në vazhdimësi të kushteve të tyre të jetesës. Por çfarë ka ndodhur? Përpara këtij detyrimi, konstatohet lehtë se gjendja juridike e garancive të sipërcituara nga Kushtetuta, por ngatërruar nga akte të panumërta ligjore dhe nënligjore vjen në kundërshtim total me parashikimin kushtetues. Realiteti që ofrohet jo vetëm nuk ka lidhje me shërbimin shëndetësor, mjedisor dhe më tej, por lë për të dëshiruar skajshëm, deri në pamundësi kritike për të jetuar. Identifikimi i gjithë të drejtave të parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji, si dhe ballafaqimi i tyre me realitetin ku bëjmë pjesë, të bën pesimist, veçanërisht kur konstaton dhe sheh se ligjbërja nuk ka ardhur duke forcuar misionin kushtetues, por realizon të kundërtën e garancive juridike të afirmuara deri tashmë brenda saj. Pra, në konkluzion, i gjithë procesi ligjbërjes, me pak përjashtime nuk është vendosur sipas parimit të formatimit të një ligji të fortë, siç kërkon sistemi modern, por shpeshherë brenda ligjit fshihen interesa meskinë politikash të përkohshme, pse jo edhe individuale, si këto kohët e fundit.

Siç edhe më sipër kam cituar se faktori dytë i konsolidimit të një sistemi drejtësie është forcimi i gjykatave, të cilat larg një terminologjie të ngarkuar, janë thjesht disa ambiente të cilat mbikëqyren nga gjyqtarët, roli i të cilëve qëndron në garantimin e zbatimit të ligjit dhe të gjykimit bazuar në aktet që ofrohen në formën më të thjeshtë ligjore. Trupat gjyqësore, thjeshtazi dëgjojnë provat e paraqitura nga mbrojtësit ligjorë, ose nga organet e ngritura po nëpërmjet ligjit dhe bazuar mbi të njëjtat norma argumentojnë fajësinë, pafajësinë ose japin të drejtën. Në rastin më të mirë, një sistem gjyqësor i ndershëm shqyrton të gjitha provat në mënyrë të qetë, racionale duke dhënë më pas një opinion të paanshëm. Mjafton që këtë mënyrë të thjeshtë të artikulimit të rolit dhe funksionit të gjykatave ta krahasosh me mënyrat e organizimit dhe funksionimit të pushtetit gjyqësor në vendin tonë, konstaton lehtë se vetë ligji i organizimit dhe funksionimit të tyre, për nga mënyra se si është ndërtuar, duke qenë shumë i gjatë, i komplikuar, i padobishëm, si dhe përkundër se si janë formuluar dispozitat, kanë krijuar e konceptuar pushtetin gjyqësor jo vetëm “larg” politikës, por edhe larg funksionit për të cilin është krijuar. Mënyra e organizimit dhe funksionimit të tij është sofistikuar kaq shumë saqë ligjbërësi duket sikur në veprimtarinë e tij ka pasur dhe ka vetëm një shqetësim, vetëm një mision, atë të largimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga funksionet e tyre, pra të trupave ligjzbatues nëpërmjet procesit të vetingut, pa marrë parasysh qoftë edhe një nga parimet më të thjeshta të fizikës, atë të anëve komunikuese. Duhet pranuar se ky mision është sa mediokër, aq edhe pa ndonjë të ardhme. Mjafton të shohësh me vëmendje Ligjin nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Duke filluar nga preambula e tij dhe përmbajtjen e ligjit konstatohet lehtë se formati strukturor i ngritjes së institucioneve vetinguese, përves Komisionit të Posaçëm të Apelimit, nuk është brenda kuadratit të krijimit të pavarësisë së gjyqësorit, misioni për të cilin është ngritur. Përkundrazi, struktura, përbërja, organizimi dhe misioni është tërësisht politik si në thelb edhe në shfaqje. Për këtë mjafton të shohësh mënyrën se si dhe nga merret burimi informacionit tredimensional mbi pasurinë, integritetin, profesionalizmin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Përvoja e deritanishme ka treguar se me integritetin moral dhe atë profesional, Komisioni Pavarur i Kualifikimit nuk është marrë fare, sepse po për të njëjtat arsye politike, komisioni ka vepruar njëanshmërisht dhe nxitimthi me shkarkimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke konsideruar veten dhe vendimmarrjet e tij, si zbatim dhe kërkesë të mesazheve politike të imponuara nga vendimmarrjet e institucioneve europiane. Edhe sa i përket shqyrtimit të pasurisë së gjyqtarëve prej Komisionit, konstatohet lehtësisht që vlerësimi është politik dhe i njëanshëm, sa kohë që të dhënat merren nga i njëjti institucion, pra ILDKPI-ja, që për vite me radhë, duke filluar nga viti 2003 ka pranuar dhe hetuar mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke i konfirmuar ato si të përputhura me ligjin. Ndryshe nga sot, kur ndodh e kundërta prej tyre, duke vlerësuar të njëjtat të dhëna prej gjyqtarëve dhe prokurorëve në kundërshtim me ligjin. E vetmja ide që të shkon ndërmend, është konstatimi se veprimtaria e këtij organi në gjithë këto vite ka qenë dhe është në kundërshtim të hapur me ligjin, pse jo dhe veprimtari e qëllimshme joligjore, duke na sjellë në vëmendjen tonë figurën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Sa kohë prej institucioneve ligjore përdoren standarde të ndryshme joligjore, është më e drejtë që reforma ligjore t’i mundësonte Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të përdorte logjistikën e ILDKPI-s dhe përmbushte detyrimet e pakryera prej saj. Në të njëjtën mënyrë, ligjbërësi do të duhej të vepronte edhe me ekzistencën e institucionit të DSIK (Drejtoria e Informacionit të Klasifikuar), ndonëse deri tani prej Komisionit të Vetingut, kjo pjesë nuk është konsideruar. Kujtoj që të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e vendit tonë kanë qenë dhe janë të pajisur me “Certifikatën e sigurisë”. Madje, janë duke punuar ende në këtë ombrellë ligjore. Në këtë kuptim, del fare e qartë se misioni vetingues, nisur nga instrumentet, mjetet që përdor dhe mënyra se si arsyeton mbi ato, është qartazi politike, fakt i cili jo vetëm që do të cedojë rezultatin, por do të shtojë dyshimet mbi rezultatin. Për nga kuptimi ligjor dhe mënyra se si funksionon, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (Komisioni i Vetingut) është i përafërt me ngrehinën e një trupi gjyqësor, vendimmarrës, objekti i veprimtarisë së të cilit është përcaktimi i rregullave të posaçme për rivlerësimin kalimtar të të gjitha subjekteve të rivlerësimit për të garantuar funksionimin e shtetit të së drejtës, pavarësisë së sistemit të drejtësisë, si dhe rikthimin e besimit të publikut tek institucionet e këtij sistemi. Në këto kushte është fare normale të ngresh dilemën se ky organizëm apo trup vlerësimi, a përbën garant të zbatimit të ligjit dhe të gjykimit, kur veprimtaria e tij bazohet në aktet që ofrohen në formën më të thjeshtë ligjore nga organe, të cilat deri tani kanë gënjyer edhe veten?

Referuar përgjigjes së kësaj pyetjeje, është pashmangshëm koncepti se forcimi i sistemit të drejtësisë nuk mund dhe nuk ka se si të shihet pa rregullimin e pasojave të prodhuara nga organe joeficente.
Rregullimi pasojave të sipërcituara të sistemit jo vetëm nuk janë rregulluar, por për më tepër janë thelluar në negativitet. Dhe për këtë arsye, e para gjë që të shkon në mendje, kur flitet për pasojat, është rrëzimi që i është bërë sot Gjykatës Kushtetuese, pse jo edhe Gjykatës së Lartë. Pra, sot ne jemi në situatë shoku ligjor dhe kushtetues, pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë. Çdo deklarim poshtë e lartë, që korrupsioni ishte faktori që rrëzoi Gjykatën Kushtetuese, është i gabuar dhe jo i dobishëm për shkaqet dhe pasojat gjithashtu. Siç duket sërish politika, nuk ka rëndësi se cila pjesë, majtas apo djathtas, brendshme apo e huazuar, shërben si pengesë e zbatimit të shpejtë të ligjit, sepse është fare e thjeshtë se asgjë nuk e pengon Kuvendin e Shqipërisë, Presidentin e Republikës të zgjedhë anëtarët e tjerë të saj. Sot më shumë se kurrë, tamam o sot o kurrë funksionimi i Gjykatës Kushtetuese është domosdoshmëri, arsye për të cilën rrezikohet çdo marrëveshje dypalëshe apo shumëpalëshe, ku vendi ynë është ose kërkon të jetë pjesë. Frenimi i veprimtarisë së kësaj ngrehine lë për të dëshiruar, pse jo, fsheh të tjera qëllime, të cilat unë nuk jam i zoti t’i citoj. Në të njëjtën pengim është edhe funksionimi i gjykatave të tjera. Parimi i veprimtarisë gjykatave, gjyqtarëve dhe prokurorëve është i thjeshtë, vetëm duhet qetësi në vendimmarrje, e cila kohët e fundit nuk ekziston më. Sot vendimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë ose në lajthitje totale të ligjit, ose në kundërshtim flagrant me parimet themelore të drejtësisë. Pasojat e kësaj kohe, pse jo dhe pasojat e vendimmarrjeve të korruptuara të mëparshme nuk rregullohen dhe nuk ka mundësi të rikuperohen dhe kjo duhet pranuar, sepse në fund të fundit këtë fakt legjislacioni i ri nuk e ka garantuar, pra reforma në drejtësi nuk ka marrë përsipër të korrektojë vendimet e gabuara si ato penale dhe civile gjithashtu. Në këtë kuptim, shumë shpejt njerëzit do kuptojnë se ndryshimi sistemit në mungesë të përmirësimit legjislacionit procedural dhe material, ngelet brenda përmbajtjes së fjalës popullore “Ku ishim, asgjëkund; çfarë bëmë, asnjë gjë”.
Burimi: http://www.gsh.al/2018/06/28/sistemi-apo-vetingu/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb