Nga: Bernard GUETTA

Në Francë kishte ndodhur midis republikës së katërt dhe të pestë, në fund të viteve pesëdhjetë. Në kundërshtim me presidentët e Republikës së pestë franceze, kreu i shtetit italian nuk ka kompetenca pothuaj të pakufizuara, por ka gjithësesi detyrën e emërimit të personit përgjegjës për formimin e qeverisë dhe – me propozim të Kryeministrit të zgjedhur – të zgjedhë emrat e ministrave për t’u paraqitur në parlament, për votëbesim.

Siç kishte ndodhur edhe në të kaluarën, të dielën, më 27 maj, presidenti i Republikës italiane vuri veton ndaj një emri.

Sergio Mattarella nuk e ka pranuar që një kundërshtar i shpallur i qëndrimit të Italisë në eurozonë, Paolo Savona, të bëhet ministri i ardhshëm i financave. Giuseppe Conte, njeriu që do të bëhej presidenti i ardhshëm i këshillit të ministrave, menjëherë hoqi dorë nga mundësia e formimit të një qeverie. Në këtë pikë ka shumë gjasa që Italia të shkojë në zgjedhje të reja. Duke pasur parasysh se do të jetë e vështirë të votohet para fundit të shtatorit, ekonomia e tretë e BE do të mbetet pa drejtim për disa muaj.

Për udhëheqësit e Lega-s dhe të Lëvizjes 5 Yjet, dy partitë që kishin gjetur një marrëveshje për të qeverisur së bashku, fajtori është kreu i shtetit, i cili sipas tyre ka vepruar i nxitur nga presioni i Francës, Gjermanisë dhe botës së financës. “Italia nuk është një koloni, ne nuk jemi skllevër të gjermanëve apo francezëve, spread-it apo financës”, ka sulmuar Matteo Salvini, kreu i Lega-s. Spread-i është diferenca midis normës së interesit të obligacioneve qeveritare dhjetëvjeçare italiane dhe atyre gjermane, e cila u rrit në mënyrë dramatike, pas shpalljes së lindjes së një koalicioni midis Lega-s, parti e krahut ekstrem të djathtë dhe Lëvizjes 5 Yjet, kreu i ri në moshë i të cilës, Luigi Di Maio, përdor tone të ngjashme me ato të Salvinit.

Tashmë të futur në fushatën zgjedhore, Lega dhe 5 Yjet do të paraqiten si mbrojtës të popullit kundër bankave dhe Bashkimit Evropian, por situata është thellësisht e ndryshme. Franca dhe Komisioni Europian i kishin shtrirë dorën presidentit të caemëruar të këshillit të ministrave. Nuk kishte pasur panik në tregje. Nuk ka komplot kundër koalicionit. E vërteta është se kreu i shtetit italian është garantues i interesave të vendit dhe angazhimeve ndërkombëtare, kështu që ai nuk mund të pranonte si ministër të financave, një përkrahës të daljes nga Euro, kur programi i qeverisë nuk e parashikonte këtë gjë, dhe konvertimi i borxhit të Italisë një Lirë të re, do ta vinte Italinë në një gjendje falimenti.

Mattarella thjesht mori përgjegjësitë e tij kushtetuese, ndërkohë që Lega provoi që të imponohet, duke shpresuar që të fitojë vota në zgjedhjet e ardhshme. Problemi është se llogaria e të djathtës ekstreme mund të rezultojë e saktë. /France Inter – Bota.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: