TIRANE– Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Vasilika Hysi ka folur për ligjin e votuar dje në Kuvend që detyron televizionet private të transmetojnë fushatën e partive politike falas. E ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ Hysi tha se përmes këtij ligji i jepet fund reklamave politike me pagesë, por kjo nuk do të thotë se televizionet private nuk do rimbursohen. Ajo tha se reklamat do jenë të limituara në kohë.

“Nuk është ashtu siç thuhet, se do jenë falas. Ne premtuam që ti jepen fund reklamave polikë me pagesë, por kjo nuk do të thotë se televizionet nuk do rimbursohen. Ne kemi thënë që të gjitha këto reklama do jenë të limituara në kohë. Dy partitë e mëdha do kenë 90 minuta, partitë parlamentare 45 minuta dhe partitë jo parlamentare 15 minuta gjatë fushatës. Kostoja do llogaritet si shpenzim i plotë i zbritshëm. Pra të gjitha shpenzimet do zbriten. 90 minutëshi është i detyruar të respektohet, pasi krijohet barazi tek televizionet. Kjo vlen edhe për RTSH”- tha Hysi.

Ndër të tjera Vasilika Hysi tha se nuk do lejohen edhe banderolat dhe flamujt e partive politike, pasi do jenë të përcaktuara.

“Kemi kufizuar shpenzimet politike, pasi i kemi të rregulluar me ligj. Një risi tjetër është se nuk do lejohen banderolat dhe flamujt në Tiranë. 5 metra nga zyra elektorale do lejohen. KQZ do përcaktojë maksimumin e shpenzimeve për partitë”- tha Hysi.
VASILIKA HYSI
Sa i përket ministrave teknikë të propozuar nga PD, Vasilika Hysi u shpreh se ata do merren me mbarëvajtjen e punëve ne ministri dhe nuk kanë te drejtë të bëjnë emërime apo shkarkime.

“Ministrat teknik do merren me mbarëvajtjen e punëve ne ministri, por nuk mund të bëjnë emërime dhe nuk mund të punësojnë. Nuk lejohet gjithashtu as koncesione dhe as shkarkime nga puna. Kjo vlen edhe për të gjitha drejtoritë, jo vetëm për ministrat”- u shpreh Hysi.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: