SHBA – E pranon, nuk e pranon, nuk prononcohet. Më në fund Bob Dylan vendos se çafre do të bëjë me çmimin Nobel. Këngëtari do të shkojë në Stockholm gjatë kësaj fundjave për të pranuar trofeun e Çmimit Nobel për Letërsinë. Njoftimi vjen nga vet akademia suedeze e çmimeve prestigjioze. Këngëtari amerikan u vlerësua me këtë çmim në tetor të vitit të kaluar, por nuk udhëtoi të merrte trofeun.

Zyrtarë të akademisë suedeze thanë se do të takoheshin privatisht me 75-vjeçarin Dylan në kryeqytetin suedez, aty ku pritet të mbajë edhe dy koncerte. Sa për leksionin, ai nuk pritet ta japë atë personalisht, por do të dërgojë një version të regjistruar. Dhe, nëse nuk e jep leksionin deri në qershor, do t’i duhet ta dorëzojë shpërblimin që shoqëron trofeun.

Një njoftim i Profesoreshë Sara Danius, sekretare e përhershme e Akademisë suedeze, njoftonte se “lajmi i mirë është se Akademia dhe Bob Dylan kanë vendosur të takohet këtë fundjavë. Akademia do t’i dorëzojë atij diplomën dhe medaljen e Nobelit, si dhe do ta urojnë për fitimin e çmimit për Letërsinë. Ceremonia do të jetë jo e bujshme dhe private, ndaj nuk do të jetë e pranishme asnjë media. Vetëm Bob Dylan dhe anëtarët e Akademisë do të marrin pjesë, kjo sipas dëshirës së Dylan”.
(er.cu.BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb