Nga Xhevat Mustafa
Gjykoj se ka ardhur koha të shikojmë për alternativën e qeverisjes mbi bazën e koalicionit PS-PD, ashtu siç ka bërë më herët, së fundmi edhe këtë vit, Gjermania.

Ndërsa qeveria po raskapitet duke lypur hapjen e negociatave nëpër kryeqytetet e shumicës së vendeve të BE-së si dhe po ngjiret duke akuzuar opozitën se “po e pengon dhe saboton” me kritika, shumica të drejta dhe me protesta paqësore, rrallë e për mall, brenda pak ditëve në vend kanë ndodhur disa ngjarje sa skandaloze, aq edhe qesharake e diskredituese, natyrisht edhe aspak të papritura e të rastësishme Megjithëse janë ngjarje apo fakte fare të freskëta, përsëri e gjykoj me vend përmendjen e tyre, sipas kronologjisë. Fjala është, së pari, për dy sulmet për vjedhje materialesh dhe dokumentesh në prokurorinë e Durrësit, më 8 dhe 24 maj 2018. Në këtë tufë faktesh të freskëta gjendet edhe vendimi i gjykatës së Fierit, më 10 maj 2018, për t’i falur kohën e mbetur të dënimit prej 1 viti e 5 ditësh dhe duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të ish-deputetit Mark Frroku.

Mund të vazhdohet me dy ngjarje, të ndodhura në një ditë, më 23 maj. Një ushtar grabit një bankë të nivelit të dytë në qytetin e Lushnjës dhe i porsadënuari Mikel Kaso arratiset nga salla e gjykatës së Vlorës. Fakti i fundit gjendet tek njoftimi i përcjellë më 24 maj 2018 nga BIRN dhe mediat tona se 333 prokurorë të të gjitha shkallëve në Shqipëri ose rreth 56 % e zyrtarëve të akuzës nuk justifikojnë rreth 1.3 miliardë lekë në total, ndërkohë që mbajnë jashtë sistemit bankar rreth 16 për qind të aseteve në kursime dhe dhurata cash. Fakti i gjashtë erdhi më 28 maj 2018, me vendimin e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda për të hequr arrestin e shtëpisë për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Mbështetur tek këto fakte dhe të tjera, sidomos tek vendimi për Saimir Tahirin, mund edhe të shprehemi në mënyrë figurative, se më 28 maj 2018 u krye edhe “varrosja për së gjalli” e vetingut, aq shumë të reklamuar nga ekipi politik, qeverisës dhe mediatik i “Rilindjes” dhe se tani mbetet t’i dërgojmë tek varri tufa me lule artificiale.

Gjithsesi, këto fakte ia nxjerrin edhe më shumë bojën “rilindjes” së institucioneve të policisë, drejtësisë dhe të prokurorisë dhe përgjithësisht, “sukseseve qeveritare në reforma”. Natyrisht, nga secili mund të shtohen edhe ngjarje e fakte të tjerë, që shprehin apo përcjellin të njëjtin mesazh. Mesazhi i parë mund të ishte ky: Kryeministri Edi Rama nuk i shet dhe djeg lirë shokët, miqtë, bashkëpunëtorët, ortakët me merita të shumta e të mëdha, jo vetëm për “fitoret” në betejat zgjedhore e jo vetëm për atë personalisht.

Kur janë pranë “djegies” ai është i detyruar t’i largojë, sepse e dëmtojnë në imazh e besueshmëri në sytë e shqiptarëve e të ndërkombëtarëve, por, nga zemra nuk i largon kurrë. Dhe kjo është e kuptueshme. Shumëkujt në Shqipëri e në botë i ka bërë përshtypje të fortë fakti se ndërsa në mitingje, media, parlament, në ambiente politike ndërkombëtare, deklarohej se qeveria shqiptare ishte e vendosur të luftonte pa mëshirë korrupsionin, trafiqet, kriminalitetin, në radhët e saj e deri në kabinete qeveritarësh të lartë, livadhisnin me mandate deputeti, ministri, zv.ministri, kryebashkiaku, drejtori të përgjithshëm, zyrtari të lartë e të mesëm në dogana, tatim-taksa, polici…, një tufë jo e vogël njerëzish me dosje volumininoze krimesh, procesesh dhe dënimesh në arkivat e drejtësisë e të policisë në Shqipëri dhe në vende të tjera. Jo pak prej tyre, përfshirë edhe Elvis Rroshin, Mark Frrokun, Saimir Tahirin…, ishin të afërt edhe me vetë kryeministrin dhe ishin lavdëruar e mbrojtur gjatë prej tij, si “të suksesshëm”, “të aftë”, “të ndershëm”, që “u hidhej baltë qëllimisht e padrejtësisht”, nga opozita dhe nga “kazani mediatik”.

Biles, me këta shokë e bashkëpunëtorë, me të cilët ka “fituar” tri beteja elektorale, ai ka jo pak fotografi e video, që ruhen jo vetëm në arkivat e mediave. Merret me mend se të bëhet shtet me shoqëri, ortakëri dhe lidhje të tjera me njerëz të këtij brumi nuk ishte dhe nuk është vetëm e thjeshtë iluzion, hipokrizi e demagogji, por shpreh edhe shumë më tepër edhe bashkëfajësi e ndërgjegjshme e aspak e rastësishme. Nuk mund të mohohet se kryeministri ka treguar çaste të shkurtra sinqeriteti dhe reflektimi, kur ka pranuar se pa bashkëpunimin me këta shokë, miq, bashkëpunëtorë, pa milionat dhe armët e tyre “nuk mund ta rrëzonte Berishën më 23 qershor 2013”. Por, nga shumëkush, edhe nga plot të majtë, tani mund t’i bëhen disa pyetje. Po bëhen afro 5 vjet që e rrëzove Berishën. Përse vazhdon edhe sot e kësaj dite të jesh kaq fort i lidhur me njerëz të këtij “kazani”, sa të krijohet përshtypja e kapjes prej tyre dhe se tani e ke të vështirë t’u shpëtosh nga thonjtë?

U turpërove në vend e në botë nga disa prej tyre, deri sa u detyrove t’ua rijepje drejtësisë dhe burgjeve ose t’i përjashtoje nga partia e grupi parlamentar, tani përse vazhdon t’i mbrosh dhe mbështetësh si të mëparshmit e djegur, Saimir Tahirin, Agron dhe Fatmir Xhafajn, Vangjush Dakon, Qazim Sejdinin, Termet Peçin…? Deri kur do të jemi në vështirësi për të gjetur në radhët e PS-së njerëz pa asnjë lidhje familjare, shoqërore, ortakërore apo klienteliste me bosë të trafiqeve e të krimit shumëformësh, për t’i bërë ministra, zv.ministra, deputetë, kryetarë bashkie, drejtorë të përgjithshëm…?

Merret me mend se duke iu referuar këtyre fakteve dhe plot të tjerëve, do të shprehnim naivitet e do të lejonim të na ritallnin trashë në qoftë se u besojmë deklarimeve dhe mburrjeve qeveritare apo përrallave të “Rilindjes” për “progres befasues, të paprecedent, në të gjitha fushat”. Kjo nënkupton dëshirën e “arkitektëve të këtyre fitoreve historike” që sa më shumë qytetarë t’u japin në shenjë mirënjohjeje votat në betejat e ardhshme elektorale, sepse “po na bëjnë” të gjithëve me drejtësinë dhe prokurorinë që duam, me policinë dhe ushtrinë që duam, me qeverisjen që duam, me shtetin që duam…Në të kundërt, politikanët dhe qeveritarët e “Rilindjes” kanë të drejtë të festojnë në 365 ditë se ia kanë arritur t’i kenë, ashtu siç u intereson dhe u duhet për mbretërim e pasurim afatgjatë, drejtësinë, policinë, qeverinë, shtetin, sistemet dhe proceset zgjedhore, opozitën, shoqërinë civile, popullin…Gjithashtu, edhe përfitimet personale, familjare e partiake nga ortakëria dhe lidhjet klienteliste e koncensioniste me bosë të të gjitha fushave, ngjyrave…apo fronteve. Jo për mburrje e kënaqësi personale gjykoj se koha po më jep të drejtë edhe vetëm për titullin e analizës sime botuar në “Gazeta Shqiptare”, më 25 qershor 2017, “Mandati i dytë, kockë në fyt”.

Jo vetëm shumicës së shqiptarëve, të djathtë, pa parti, të majtë, por edhe vetë Edi Ramës, tani duhet t’u jetë mbushur mendja se për kushtet politike, ekonomike, sociale, për mentalitetin dhe tradicionin shqiptar, një mandat qeverisës nga njëra prej dy partive kryesore është i bollshëm e i mjaftë. Përvoja jonë afro 27-vjeçare ka treguar se mandati i dytë qeverisës nga PD-ja dhe PS-ja ka rezultuar thjeshtë vegjetim, humbje vitesh, shansesh, mundësish, shpresash,alternative…Gjithashtu, mandatet e dytë na kanë kushtuar shumë shtrenjtë, duke llogaritur edhe dhjetëra mijëra qytetarët e ikur pareshtur me çdo rrugë e faturë në emigracion; mijëra bizneset e mbyllur nga falimentimi dhe nga pamundësia për të shlyer kreditë bankare; të vrarët nga krimi e të vetëvrarët nga mjerimi; familjet e shkatërruara nga papunësia, alkoolizimi, drogat, lojërat e fatit, sherret dhe dhuna…

Një ndëshkim tjetër i rëndë, kryesisht për qytetarët dhe imazhin e vendit, ka qenë dhe është ashpërsimi më së shumti për show e maskaradë i konfliktualitetit politik, sidomos në sallën e parlamentit ditëve të enjte… Në të kundërt, të fituarit e vetëm kanë qenë qeveritarët e të tri niveleve, që janë pasuruar së tepërmi me çdo rrugë e formë dhe që janë “tërbuar” nga plotpushtetshmëria edhe më shumë, duke vjedhur edhe më shumë vota, mandate, pasuri kombëtare, duke u djegur shqiptarëve shanse, shpresa e dëshira për pak më shumë e me hapa më të shpejtë përparim, mirëqenie, integrim, perspektivë, shtet me të vërtetë e funksional ligjor, demokratik… Në këto kushte, ndërsa jemi në pritje të ankthshme e stresuese të hapjes së negociatave nga BE-ja, dashtë ZOTI, në fund të qershorit, do të bënim mirë të ishim më të drejtë, më të sinqertë, më seriozë, më të rreptë, me vetveten dhe me njeri-tjetrin, të kërkonim më shumë nga vetvetja se nga miqtë dhe kundërshtarët në Bruksel, Paris, Berlin, Amsterdam. Gjithashtu bëjmë mirë të futemi edhe në mendjen, zemrën, logjikën, mëdyshjen, skepticizmin, frikën e tyre…

Në fund të fundit, me këto standarde të ulta që kemi në zhvillimin ekonomiko-social, të jetesës e të mirëqenies dhe të larta në korrupsion, kriminalitet, informalitet, konfliktualitet…, përse mund ta dojë shumë dhe sinqerisht BE-ja Shqipërinë tonë? Për ta përmbytur me refugjatë apo emigrantë; me tonelata drogash; me hajdutë, vrasësh edhe për fare pak euro; me prostituta, fëmijë të braktisur…? Duke iu rikthyer një propozimi të bërë nga unë qysh më 23 qershor 2013, gjykoj se ka ardhur koha të shikojmë për alternativën e qeverisjes mbi bazën e koalicionit PS-PD, ashtu siç ka bërë më herët, së fundmi, edhe këtë vit, Gjermania. Kuptohet, jo allashqiptarshe, me qeveri të mbushur me militantë partiakë dhe kukulla të kryetarëve, por sipas përvojës gjermane, me ekspertë me përvojë të pasur, me CV të pastra e jo të shtuara e të zbukuruara me diploma të blera, me mastera dhe specializime të rremë. Nënkuptohet, kjo mund të ndodhë në qoftë se politika dhe qeverisja, më në fund e çuditërisht, do të vijnë në vete, do të ndiejnë vrasje në ndërgjegje, do të mendojnë shumë më tepër për shumicën e qytetarëve e për vendin dhe fare pak për veten, familjet dhe pasardhësit e tyre, të cilëve u kanë siguruar jetesë dhe qejfe sheikësh për të paktën 1000 vjet. /GazetaShqiptare/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: