Gjykata e Kombeve të Bashkuara për krime të luftës në Hagë do ta shpall vendimin kundër ish-shefit ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiç, muajin e ardhshëm, pas procesit gjyqësor që po zgjatë më tepër se pesë vjet.

Tribunali për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi (ICTY) ka njoftuar sot se vendimi për të akuzuarin Mlladiç do të shpallet më 2 nëntor.

74-vjeçari Ratko Mlladiç është i akuzuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës për aksionet e tij gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë, në periudhën 1992-1995, kur ai ishte komandant i forcave serbe në Bosnjë.

Ai është i akuzuar se ka mbikëqyrur masakrën e më se 8 mijë burrave e djemve myslimanë në qytetin Srebrenicë, në korrik të vitit 1995.

Vitin e kaluar, ish-lideri i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, që ishte koleg politik i të akuzuarit Mlladiç, është dënuar me 40 vjet burg nga Gjykata e Hagës.

Prokurorët kanë kërkuar nga gjyqtarët që ta shpallin fajtor Mlladiçqin dhe ta dënojnë me burg të përjetshëm.

Ekipi i mbrojtjes i Mlladiçit ka kërkuar lirim nga të gjitha akuzat, duke thënë se fajësia e Mlladiçit nuk është dëshmuar kurrë, dhe se prokurorët dëshirojnë ta bëjnë atë “qengj simbolik të sakrificës për fajësinë e perceptuar” të serbëve gjatë luftës, nga e cila janë vrarë më se 100 mijë vetë.

Gjykata e Hagës do ta përfundojë misionin e vet më 31 dhjetor të këtij viti, pas më tepër se 20 viteve të veprimit.

Deri tani, 83 të dyshuar janë dënuar për aksionet e tyre gjatë luftës. Shumë prej tyre kanë parashtruar ankesa ndaj dënimeve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: