NGA BLEDI MANE*

Në fillim bënit të gjithë si prepotente e si arrogantë. Karshillëk dhe sfidim. Rrëmbenit telefonin dhe thërrisnit Tahirin, Ramën, Metën, deputetin, mikun, ministrin. Nuk tregoheshit të sinqerte se ju, pikërisht ju ishit fajtori por jargaviteshit duke u justifikuar. Semafor jeshil, me rrip, semafor portokalli, pa rrip, sinjalet ndezur, semafor i kuq, hapje krahu, vija të bardha, vija të zeza…

Në Tiranën e 2014-ës e më pas të gjithë ju shoferë me dhe pa pushtet u vutë të gjithë në radhë dhe respektonit ligjin. Gjobat vërshuan shumë si lumë për gazetarë e parlamentarë, miss-e dhe pise, qeveritarë e taksidarë, hallexhinj e zengjin. Shteti po tregonte dhëmbet e kafshimit legal dhe ju të gjithë si ilegalë pranonit në heshtje fajin. Ish-shefi i qarkullimit rrugor të Tiranës Besmir Qebini iu dha të gjithëve mësimin e jetës. Shumë nga ju bërtisnit si malukatë dhe i kërkonit Rilindjes, Partisë dhe Qeverisë ta zhdukte nga puna plëngprishësin e shkeljeve tuaja. E shatë, e mallkuat, e anatemuat, e dërmuat, e katapultuat pa shkak e plot frikë.

Dhe statistikat i keni aty sesi u minimizuan aksidentet, rrumpalla dhe vdekjet. Rrugët e kryeqytetit zbardhnin nga disiplina e nuk skuqeshin nga gjaku…

Vetëm këto tre ditët e fundit te këtij fund korriku kur njerëzia supozohet se duhet të pushojë në bregdet apo mal po ndodh e pandodhshmja. Ne nuk po ikim drejt plazhit por drejt varrezave, nuk po ikim drejt dallgës së detit por po ikim drejt spitalit, ne nuk lagemi nga uji i kripur i Mesdheut por po shpëlahemi nga hidhërimi i gjakut të të pafajshmëve.

O shqiptar shofer, pasagjer, kamerier, inxhinier, brigadier, menaxher, refugjat e malukat. Vozite si rob Zoti atë makinë dhe mos lëndo veten dhe të tjerë. Nuk është koha te vdesësh kur ikën për t’u argëtuar dhe jepi vlerë jetës tënde e të këmbësorit. Boll e katranoset këtë vendin tonë me mynxyra e me pasqyra vdekjesh.

Ndaj Sajmir Tahir bën mirë që kudo nëpër Shqipëri të përcjellësh punën dhe përkushtimin e Besmir Qebinit pa droje e pa frikë. Lartëso e lato modelin e kryepolicit të përkushtuar e le të të shajnë 300 shoferë por do shpëtosh jetët e 300 mijë qytetarëve!

Shënim i rëndësishëm!
Unë autori i këtij shkrimi nuk kam as patentë e as makinë. E vetmja makinë në pronësinë time është një e zezë e markës Braun.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: