Lushnja e ka nisur keq aventurën në Kategorinë Superiore pas tri vitesh rikthimi në futbollin e madh. Humbjes në Fier me Vllazninë i është shtuar edhe një humbje e dytë me Flamurtarin, të dyja në fusha asnjanëse. Ndaj vlonjatëve lushnjarët e panë veten në avantazh dhe me një lojtar më tepër, por shpresat e verdhejeshilëve u fikën për katër minuta në fundin e pjesës së parë. Më tej një ndeshje e gjitha për t’u harruar.

Lushnjarët i janë afruar barazimit 2-3 herë, por rastet mbeten raste. Edhe ndaj Flamurtarit, njësoj si në premierën me shkodranët, skuadra verdhejeshile është mundur lehtësisht.

ULTIMATUMI
Drejtuesit e bashkisë dhe të klubit kanë zhvilluar një takim pas ndeshjes me Flamurtarin. Këtë e ka konfirmuar për gazetën “Panorama Sport” koordinatori i klubit Artur Çobani, duke u shprehur:
“Jemi ndalur dhe kemi bërë një takim pas ndeshjes me Flamurtarin dhe kemi dalë në konkluzionet tona. Në radhë të parë i kërkojmë falje tifozërisë lushnjare. Atyre që ishin prezent në stadium dhe të gjithë dashamirësve tanë që e panë në TV.

Për atë paraqitje të pafalshme që bëri ekipi ynë në ndeshjen me Flamurtarin. Ne nuk kërkonim të fitonim me patjetër, por ashtu siç erdhën rrethanat e lojës, neve na u dha mundësia për të dalë me pikë nga kjo ndeshje. Por ekipi ynë ishte i pamotivuar, i paorganizuar, i mungoi grinta dhe dëshira. Ne prisnim që skuadra të bënte maksimumin në fushën e lojës dhe nuk e pamë një gjë të tillë. Ekipi duhet të jetë i impenjuar maksimalisht në fushë dhe të shprehë mundësitë që ka. Në rast se kjo situatë nuk do të ndryshojë në ndeshjen e radhës me Kamzën, atëherë do të marrim masa disiplinore dhe financiare për të gjithë pa përjashtim.

Që nga trajnerët deri te të gjithë futbollistët”, ka deklaruar koordinatori i klubit Çobani. Tashmë skuadra është nën presionin e pikëve, teksa duhet të mposhtë patjetër Kamzën të shtunën. Edhe ky takim do të zhvillohet në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit./p.sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb