BERAT– Një aksident rrugor ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Skrapar. Një minibus me nxënës ka dalë nga rruga, dhe për pasojë është aksidentuar. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të fshatit Vërzhezhë, ku minibusi me 25 nxënës të moshave 14-17 vjeç ka rrëshqitur, duke dalë jashtë rruge dhe më pas është rrëzuar poshtë kodrës.
aksidenti ne berat
Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur nëntë nxënës, të cilët janë dërguar në spitalin e Beratit për të marrë trajtim mjekësor. Mësohet se 5 prej tyre kanë dëmtime të lehta.
aksidenti ne berat544
Njëra prej nxënëseve është transportuar drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Sakaq, policia e mbërritur në vendngjarje po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.

Drejtuesi i mikrobusit, Astrit Hysi u shoqërua në polici për të hedhur dritë rreth rrethanave të aksidentit, ku mësohet se ka deklaruar se shkak i aksidentit u bë defekti me frenat. Por jashtë kamerës banorët e zonës thonë se mikrobusi ka qenë me shpejtësi të lartë, pasi tentonte të parakalonte autobusin tjetër që transporton nxënës.

Sipas banorëve konkurrenca për të mbledhur sa më shumë nxënës të fshatrave e për t’i transportuar në shkollë, ka qenë shkak i shpejtësisë së lartë. Megjithatë pritet që ekspertiza të hedhë më shumë dritë rreth rrethanave të aksidentit që mund të rezultonte fatal për jetët e 25 nxënësve që udhëtonin në të.

NJOFTIMI I POLICISË
Në orën 07:35, mjeti me targa AA 445 KE me drejtues shtetasin A.H, që transportonte nxënës shkolle nga fshatrat Buzuq dhe Orizaj për në shkollën e Çorovodës, ka dalë nga rruga. Për pasojë nxënësit E.K, 17 vjeçe , A.K, 17 vjeçe, R.H, 17 vjeç dhe B.H, 17 vjeç po dërgohen në Spitalin Rajonal Berat për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa nxënësja R.K, 18 vjeçe, po transportohet në Spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë më të specializuar.

Janë lënduar lehtë edhe 5 nxënës të tjerë të cilët ndodhen në Spitalin e Skraparit, për të marrë ndihmë mjekësore pa probleme për jetën.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb