TIRANË- Deputetja e LSI, Kejdi Mehmetaj i ka bërë thirrje sot Kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqje. Duke iu referuar ngjarjeve të fundit për arrestimin e trafikantit të drogës Moisi Habilaj në Itali dhe fakteve të publikuara nga mediat italiane, Mehmetaj thotë se kryeministri ka koment për çdo gjë por nuk ka thënë asnjë fjalë për Habilajn dhe kushëririn e tij.

STATUSI I MEHMETAJ
Kryeministri që ka koment për çdo gjë, që merr në gjyqe publike punonjësit e thjeshtë vetëm se kanë bark të madh e nuk plotësojnë shijet e tij estetike, pse nuk ka thënë ende një fjalë për trafikantin Moisi Habilaj dhe kushëririn e tij ministrin e brendshëm?

Hetuesit italianë dhe media aty kanë folur e shkruar gjatë për sasinë e jashtëzakonshme të drogës që është prodhuar dhe trafikuar nga Shqipëria dhe mbi të gjitha për lidhjen e trafikantëve me policinë e shtetit dhe ministrin e kryeministrin.

Cituar nga mediat italiane:
Moisi Habilaj bisedon me pronarin e një karburanti në komunën Lentini: “Nëse vjen në Shqipëri do ta kuptosh se policia është e korruptuar madje ka raste që është vetë kreu i policisë që ndihmon për të ngarkuar thasët me drogë” thotë ai.

Në një nga këto takime Moisi Habilaj flet për kushëririn e tij politikan duke u shprehur se “30 mijë euro i duhet t’ia japë Saimirit”.

Kryeministri ra! Të japë dorëheqjen përpara se populli ta heqë pa mëshirë nga ajo karrige që e mban ulur vetëm krimi e droga.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: