SHBA – Melania Trump bëri të premten hapin a saj të parë në kopshtin me perime të Shtëpisë së Bardhë, një iniciativë e ndërmarrë nga ish-Zonja e Parë Michelle Obama.

E veshur me këmishë me kuadrate të stilit skocez, xhinse, atlete dhe e pajisur me doreza të kuqe prej kopshtari, bashkëshortja e presidentit amerikan mbolli dhe mblodhi perime së bashku me një grup vajzash dhe djemsh 11-12 vjeçarë.

“Faleminderit që erdhët për të më ndihmuar të mbledh perimet (rukola, lulelakra,panxharë, rrepa, karrota, spinaq), u tha ajo vizitorëve të vegjël.

Në kulmin e luftës kundër obezitetit tek femijët (një nga sfidat e mëdha të shëndetit në SHBA), në fillim të zbatimit të projektit të saj, Michelle Obama la këtë shënim në një gur : “Kopësht me perime i Shtëpisë së Bardhë, i krijuar në vitin 2009 nga Zonja e Parë Michelle Obama me shpresën për të nxitur zhvillimin e një vendi më të shëndetshëm për fëmijët tanë”.

Melania Trump e vlerësoi këtë iniciativë, në një komunikatë të publikuar pak pas vizitës së saj, “që u jep mundësinë fëmijëve të mësojnë në ajër të pastër se sa e rëndësishme është të kunsumojnë produkte të mira për shëndetin e tyre, ndërkohë që vizitojnë Shtëpinë e Bardhë dhe mësojnë historinë e saj”.

Ky është kopshti i parë i mbjellë në lëndinën e Shtëpisë së Bardhë që nga viti 1943, kur Eleanor Roosevelt mbolli të ashtuquajturin “Victory garden”, për të nxitur përdorimin e kopshteve të luftës nga qytetarët amerikanë në periudha të mungesës ushqimore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: