Opinionistja e edicionit të tetë të reality show-t “Big Brother”, Mimoza Ahmeti dëshiron të largohet nga ky produksion. Shkak për këtë është bërë një video dhe një foto e opinionistes me një prej banorëve të përjashtuar nga spektakli, Edisonin. Fotoja është publikuar në një faqe të quajtur “Big Brother Albania 8”.

Ahmeti shprehet për “Gazeta Shqiptare”, se kjo foto e montuar dhe një video në version të shkurtuar e Edisonit janë publikuar nga gazetari i “Top Channel” dhe “Top Albania Radio”-s, Olti Curri.

Për këtë arsye dhe për faktin që zonja Ahmeti është e pakënaqur nga sjellja e stafit të produksionit, por edhe nga pagesa që i është ofruar për të bërë detyrën e opinionistes, ajo dëshiron të largohet. “Kam vënë një status në ‘Facebook’, pasi kam parë të publikuar një foto të montuar me germa të pakuptueshme sipër dhe me shprehje kategorike poshtë, ku jam unë dhe konkurrenti i larguar nga produksioni. Kjo foto më duket e qëllimshme, duke dashur të më fusin në konflikt mua dhe konkurrentin. Prej mëngjesit të ditës së djeshme, kam kërkuar nga autorja e ‘Big Brother’ numrin e Edisonit dhe nuk ma ka dhënë, duke ia shprehur dhe shqetësimet e mia. Sipas autores Zefina Hasani, faqja që ka publikuar foton nuk është zyrtare dhe nuk administrohet nga ky produksion. Mirëpo kur kontaktova me Edisonin, ai më tha që faqja është e punonjësit të ‘Top Channel’ Olti Curri.

Ai më tha se i ishte lutur për një video timen se ma kishte kërkuar, dhe ai i ishte përgjigjur se në faqen e tij mund të bënte ç’të donte. Sigurisht që kam menduar të largohem nga ky spektakël, megjithëse nuk kam vendosur ende përfundimisht. Nuk mund të punoj në një institucion të dubluar, të cilët nuk merakosen as të japin qoftë edhe një reagim për punonjësit e tyre dhe në këtë rast për integritetin e opinionistit. Unë ende nuk kam firmosur kontratë me ta, pasi nuk më ka pëlqyer as oferta e pagesës. Më kanë ofruar 200 mijë lekë të vjetra për puntatës, ndërkohë që di se opinionistët para meje janë paguar shumë më tepër. Kam kërkuar t’i shoh kontratat e tyre por nuk m’i kanë dhënë. Them se 90% do largohem”, – shprehet poetja për “GSH”. Më poshtë po botojmë të plotë reagimin e opinionistes.

STATUSI I MIMOZES
“Sapo fola me Edisonin e ‘Big Brother’ që doli të shtunën e kaluar nga ‘Bigu’. Në një faqe ‘Facebook’-u të ‘Big Brother 8’ kanë montuar një foto timen me të tijën, fotomontazh, me disa shkrime të panjohura dhe një diciturë poshtë, shqip, kategorike. Duan të na fusin në konflikt. Edisoni më tha se edhe atij i kishin botuar një video me shkurtime. Siç më tha Edisoni, faqja është bërë nga Olti Curri, gazetar i ‘Top Chanel’. Edhe mua, tha Edisoni, ma kanë botuar një video me shkurtime. I thashë O. Currit, ‘o vëre të plotë, o hiqe atë video’. Ai më tha, ‘e di vetë çfarë bëj me faqen time’. Unë kam gjithë ditën që i kërkoj Zefina Hasanit, organizatores së ‘Bigut’ numrin e Edisonit dhe nuk ma jep. Kjo mungesë korrektese, duke më fikur edhe telefonin, më bën të mendohem edhe një herë, nëse pjesëmarrja ime në ‘Big Brother’ si opinioniste do të vazhdojë apo jo. Edisoni më priti me shumë mirëkuptim dhe më dha fjalën se nesër do të paraqitemi të dy në media për të deklaruar këtë papërgjegjësi të rrezikshme. Ky është linku: https://www.facebook.com/bigbrotheralbania8live2014. Shumë e shumë herë u përpoqa të shkruaja në atë faqe poshtë fotos së montuar opinionin tim, por ditë-natë aty dikush ruante të ma fshinte në sekondë, me një censurë të frikshme. Fotoja dhe tjetër provokim ka qenë aty, të paktën fotoja, deri në momentin që e kam publikuar këtë mesash, por të mos merakosen, se e kam fotografuar faqen dhe dorëzuar materialin…

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: