Nga: Edlira GJONI

Sikur të mos mjaftonin fast-foodet amtoreske e aspak ndihmëse në lajmet në formë thashethemesh për lobingje ruse, fatura skandaloze uji, debate pa asnjë historian mbi 20 shkurtin, xixa mbi këshilltarë që ndërrojnë kahe e kryelajme se si tallet kryeministri me çdo komentues online, mediat u ulën këmbëkryq e bënë copy-paste edhe një lajm që e trazon mendjen e stomakun më keq se politika: “analizën” mbi rastet se si konfliktohet vjehrrat me nuset. Nuk kam parë në median shqiptare përqasje më të dëmshme, më të ulët, më pak profesionale dhe jo-etike sesa kjo paçavure rastesh të renditura keq. Për kolegët që ulen e shkruajnë të tilla anti-vlera, misioni i gazetarit nuk është të kapë sa më shumë klikime. Kur është shpikur gazetaria, klikimet as nuk ekzistonin. Por edhe shitja, që ishte treguesi i suksesit, nuk varej nga sensacioni.

Edhe kur ky hyri në lojë, rreshtat e gazetarisë kishin edhe disa të vërteta të vogla në të, e jo thashetheme e shpikje thjesht për hir të të bërit skup. Dhe cfarë skupi?! Ku është e mira e lajmit në titullin që është shpërndarë dje për vdekjen e një gruaje e “përfshirjen” e nuses? Me ç’të drejtë morale merreni 48 orë me një ngjarje që akoma nuk është provuar? E i vini pas edhe “raste të tjera të ngjashme” të konflikteve. Çfarë mendoni se arritët me atë lajm? Më shumë vjehrra kanë frikë nga nuset? Më shumë nuse po mendojnë si të dëmtojnë vjehrrat? A keni synim t’i ulni rastet, apo t’i shtoni? Se nuk merret vesh! Është e patolerueshme qoftë në anën njerëzore, qoftë në atë profesionale trajtimi i ngjarjeve bazuar në babëzinë e klikimeve. Ose tregoni në cilin model gazetarie bazohet media jonë sot, që të biem të gjithë rehat. Po ç’rehat, kur nuk e kuptoni se me ata tituj e lajme, ngjarjet vetëm shumëfishohen. Dhe ju jeni nxitës! Bashkëfajtorë!

Nuk është e vështirë ta zhbalancosh shoqërinë tonë që klikon e lexon vrasje, xixa, lule e festa, e që shkon te hoxha e te filxhani apo fallxhoret, e që është nën stuhi tru-shplarje propagandistike nga politika pa asnjë sekondë pushim. Po të lexonin njerëzit libra e jo gazeta, nuk do ndikoheshin nga titujt e lajmet tuaja. Por, ja që këto tituj sa të papërgjegjshëm, aq edhe të pa-vërtetë, ndikojnë kollaj mendjet e lodhura nga mungesa e pavarësisë ekonomike, jetës individuale, mendimit të pavarur, formimit të thellë. Se me librat nuk ka marrëdhënie as “elita” vetë, e jo më shtresa që sulmohet. Po edhe kur u bie rasti të lexojnë nëpër celular, u vijnë para syve paçavuret e gazetave e portaleve, me tituj sikur janë thirrje për të vajtur në luftë. Në çast! Indinjata është e thellë sepse nga ana profesionale, raportimi i këtyre ditëve ka qenë i papranueshëm. Cënues dhe shkelës i etikës gazetareske. Por edhe nga ana humane, tregon një krizë të rëndë të shkruajtësve dhe lexuesve, që e trajtojnë ngjarjen si mesazh në mënyrën më të gabuar të mundshme.

Sa e sa studime në botë kanë treguar se media ka tendencë të shtrembërojë ngjarjet që kanë protagoniste kombinimin femër dhe dhunë. Eshtë i pakapërdishëm leximi i lajmeve për to, sepse përfshihen vetëm aspektet banale të ngjarjes. Shumë shpesh janë aq sipërfaqësore, sa përtej titullit, nuk ka asnjë aspekt analitik nga ngjarja apo fenomeni, por vetëm radhë gjysmake e acaruese për mënyrat si ndodhin ato. Dhe të ngrijnë gjakun tituj të pspërgjegjshëm si: “Ja si ia hodhi helmin” apo “ Ja si ia preu kokën”, e më tej “ Ja si e goditi me çekiç” apo “Ja si e varrosi në kasolle”. Ku gjendet ky manual raportimi që e praktikojmë ne e nuk e paskan zbuluar mediat e tjera në botë? E çmendët atë popull. Politika e ka tru-shplarë në njërin krah, e media e fshikullon në krahun tjetër. Aq shumë saqë kur lexon shtypin shqiptar, të duket sikur lexon përmbledhjen e ditës nga një spital psikiatrik!.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: