Nga Mira Bregu, OKB, Gjenevë
Koordinatori i Përhershëm i OKB-së për Sirinë Ali Al-Za’tari, ju ka bërë thirrje të gjitha palëve që të arrijnë një marrëveshje për akses të menjëhershëm në katër qytetet siriane të rrethuara të Al-Zabadani, Al-Fu’ah, Kafraya dhe Madaya, ku 60 mijë persona të pafajshëm po vuajnë nga dhuna e përditshme dhe mungesa e ushqimeve dhe ndihmës mjekësore.

Banorët e katër qyteteve siriane të rrethuara morën për herë të fundit ndihma humanitare nga OKB dhe partnerët humanitarë më 28 nëntor 2016.

Zoti Ali Al-Za’tari theksoi të hënën se situata atje është një katastrofë e afërt humanitare dhe se parimi i aksesit ndaj njerëzve në nevojë duhet të zbatohet tani. Ai shtoi se “Rrethimi i pajustifikuar dhe i padrejtë është arritur përmes marrëveshjeve midis katër qyteteve, gjë që e bën aksesin e ndihmave humanitare pjesë të negociatave të mundimshme që nuk bazohen në parimet humanitare. Njerëzit atje kanë nevojë për ndihmë dhe nuk mund të presin më. Duhet të veprojmë tani.”

Koordinatori i Përhershëm i OKB-së për Sirinë ju bëri thirrje të gjitha palëve të përfshira që të lejojnë ndihmën humanitare emergjente menjëherë. ‘OKB dhe partnerët humanitarë janë të gatshëm të ofrojnë asistencë në katër qytetet siriane të rrethuara sapo negociatat me palët e këtij konflikti të kenë sukses,’ shtoi Ali Al-Za’tari.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: