Kërcime erotike, puthje lesbike, provokim. Edhe pse u premtua se nuk do të kishte të tilla, poezitë e Rita Petros, nuk mund të mos të të provokojnë.

Këtij tundimi nuk i ka shpëtuar dot koreografi Arian Sukniqi në shfaqjen “Penetrimi i shpirtit”, një produksion privat, që u ngjit përgjatë dy netëve në skenën e Teatrit Kombëtar. Për të interpretuar në këtë pjesë, Sukniqi kishte ftuar edhe dy balerinë të Trupës së Baletit të Athinës, Altin Koruti dhe Aretina Noti. Por, përveç pjesëve koreografike të interpretuara në mënyrë të shkëlqyer nga dy balerinët, pjesës nuk i munguan edhe momentet provokuese.

Ndërsa spektatorët shihnin dy balerina, që me lëvizjet e tyre krijonin idenë e një marrëdhënieje lesbike, por të ftohta, pa epsh dhe pa u imponuar, nga salla që nuk pipëtinte ngrihet një zë: “Hej çfarë po ndodh kështu?! Dikush duhet të më japë një shpjegim?!”. Është aktorja Olta Gixhari, e cila duket se u thërret moralistëve që ende nuk e pranojnë se edhe homoseksualët janë pjesë e shoqërisë shqiptare. Bionde, sensuale, me një fustan të zi, pupa balerine, ajo zhvesh këmishën, e lidh në brez dhe i drejtohet skenës. Kur Gixhari ngjitet në skenë, aq më tepër në një pjesë me karakter erotik, do të ndodhë patjetër diçka. Përpara i del njëra prej balerinave, që është hija e saj skenike. “Tani meshkujt do të na quajnë lesbike”, thotë ajo.

Vëmendja e publikut është drejtuar tek Olta, që i afrohet hijes për ta puthur. Pas largimit të dy balerinave profesioniste, protagoniste bëhet aktorja, e cila pas vargjeve të Rita Petros, ia merr një kërcimi sensual, shoqëruar nga tre balerinë të trupës. “Dhe një minutë dhe do të kaloj hapësirën!” Nën tingujt e “El tango de Roxane” nga “Moulin Rouge”, Olta shpërthen në një kapërthim erotik prej katër minutash me balerinët. Tashmë marrëdhënies lesbike ia ka lënë vendin një raport i zjarrtë. Roxane ishte një femër që lakmohej dhe u jepej shumë burrave. Prekje, puthje, deri në një simulim orgazme nga ana e aktores. Gjatë ditëve të përgatitjes së shfaqjes, koreografi Sukniqi u shpreh se nuk do të luajë as me lakuriqësinë dhe as me aktet seksuale ne skene. Momentin e kërcimit të dy fermave që janë dhe nuk janë lesbike, ai rrëfen se e përfshiu për të treguar që edhe aty ka dashuri. “Ndërhyrja e Oltës është si për t’i thënë publikut se ata janë pjesë e shoqërisë. Ajo provokon publikun duke bërë edhe rolin e moralistes, e ndoshta publiku do të ndahet në dy pjesë: ata që e miratojnë dhe ata që nuk e miratojnë një gjë të tillë”, do të thoshte Sukniqi për “Panoramën”

 

(m.k/Panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: