Një kompani që ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe zbuloi atë që e quajti qumështi pluhur i parë për bebe me bazë qumështi deveje, destinuar kryesisht për foshnjat alergjike ndaj qumështit të lopës.

“Camelicious”, një produkt i realizuar nga “Emirates Industry for Camel Milk and Products” u prezantua me rastin e “Gulfood 2018”, një sallon ndërkombëtar për ushqimin dhe pijet që po zhvillohet nga 18-22 shkurt në Dubai.

Ky qumësht, për të cilin thuhet se është i përshtatshëm për fëmijë të moshës nga një deri në tre vjeç, është i destinuar kryesisht për bebet alergjike nga qumështi i lopës, shkruan Atsh.

Për shekuj me radhë, qumështi i devesë ka qenë një ushqim bazë për beduinët e Gjirit që vazhdojnë edhe sot ta përfshijnë këtë qumësht të pasur me vitamina në regjimin e tyre ushqimor.

Këto vitet e fundit, qumështi dhe mishi i devesë kanë fituar popullaritet në Gji, me zhvillimin e produkteve të ndryshme si çokollata, karpaçio, hamburgera dhe tashmë qumështi pluhur për bebe.

Kompania e ka cilësuar këtë si qumështi i parë për bebe në botë me bazë të qumështit të devesë.

“Qumështi i devesë është pjesë integruese e kulturës arabe dhe islamike në përgjithësi dhe i kulturës dhe trashëgimisë së Emirateve të Bashkuara Arabe në mënyrë të veçantë”, theksoi Saïd Juma ben Subaih, drejtor i përgjithshëm i “Camelicious”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: