TIRANË – Angazhimi i policisë për të asgjesuar parcelat me kanabis në çdo cep të humbur të vendit ka lënë jashtë vëmendjes zonat më të popullura, ku është e vështirë edhe të mendohet se ndokush mund të ketë guximin për të rritur bimë narkotike.

Në fakt kjo është logjika që ndjek policia. Por jo kultivuesit e kanabisit që këtë mungesë vëmendje e kanë shfrytëzuar për të rritur bimën narkotike pikërisht në vendet më të populluara, mu nën hundën e policisë. I tillë është edhe aeroporti ndërkombëtar i “Rinasit”, një nga portat kryesore hyrëse të turistëve të huaj në Shqipëri. Vendi më i rahur nga syri i njeriut, veçanërisht gjatë ngritjes dhe uljes së avionëve, rezulton të ketë qenë i shfrytëzuar, deri një ditë më parë, nga kultivuesit e drogës, si më ideali për t’u mbjellë me kanabis.

letra


“BalkanWeb”
ka siguruar sot një komunikatë të brendshme të Policisë së Shtetit të shpërndarë vetëm për institucionet shtetërore dhe jo për publikun, ku sqarohet se “më datë 17.10.2016, ora 10:30, në fshatin Qerek, pranë pistës në Rinas, u gjetën të mbjella dhe u asgjesuan 950 bimë narkotike të llojit Cannabis Sativa. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Neni 284 i K.P”.
Është për t’u çuditur fakti se si ka mundësi që pikërisht pranë pistës së Rinasit të ketë qenë një parcelë e mbjellë me bimë narkotike dhe Policia ta ketë kuptuar këtë vetëm dje. Çdo turist, vendas apo i huaj, që ka dalë apo ka hyrë në Shqipëri nga aeroporti e ka patur mjaft të lehtë t’i shohë nga ajri se si poshtë tyre rriteshin qetësisht bimët e kanabisit, që deri dje të thonin nga poshtë avionit “Mirupafshim” apo “Mirëseardhët” në Shqipëri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb