Nga: ENVER BYTYÇI*
Nënë Tereza, Gonxhja e përjetshme e shqiptarëve, do të jetë përfundimisht e shenjtëruar! Nëse popuj të tjerë do ta kishin rritur një vajzë e ta bënin 18 vjeçe, sa ishte Gonxhja e shqiptarëve kur iku nga trevat shqiptare për në botën e lirë, e nëse këta popuj do të kishin arritur të kishin një shenjtore e bamirëse si Nëna Tereza, do të kishin mundur të ishin më të përkëdhelurit në botë. Ne shqiptarët e kemi Nënë Terezën. Ajo na ka bërë dritë në të gjallë e na ndriçon edhe sot pas vdekjes. Me shenjtërimin e saj, ne kemi privilegjin të jemi bekuar prej Zotit! Por ne nuk jemi mirënjohës. Prandaj nuk arrijmë që ikonat botërore me rrënjë shqiptare t’i bëjmë frymëzim për suksesin tonë! Aq e vërtetë është kjo, sa më duket se Nënë Tereza është shfaqur me përmasat e hyjnisë, qëllimisht që ta mbrojë kombin shqiptar prej vetë shqiptarëve!!! Çfarë do të kishte ndodhur mbrëmë në Beograd, në Shkup, në Podgoricë, në Athinë a diku tjetër, nëse do të vinte lajmi i shenjtërimit të një bije të këtyre popujve në përmasat e Nënë Terezës? Secili mund ta imagjinojë. Ndërsa te ne heshtje: heshtje prej shtetit, heshtje prej politikës, heshtje prej organizatave joqeveritare, heshtje prej kishës, heshtje prej xhamisë, heshtje prej akademisë. Të gjithë heshtin dhe gati-gati bëjnë të paditurin. Ky është tmerr! Si nuk mësuam të shfrytëzojmë asetet që na i jep Zoti për të mirën e kombit tonë, të imazhit tonë, të nderit tonë, të dinjitetit tonë, të integritetit tonë?! I gëzohemi një ndeshjeje të humbur futbolli më shumë se shenjtërimit të Nënë Terezës! Dhe e bëjmë botën të jetë e dyshimtë: Vërtet u përket apo jo Nënë Tereza shqiptarëve?!

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: