Nga: SHABAN MURATI*

Kriza e refugjatëve sirianë është pjesë e pandarë e krizës siriane dhe qëndrimi ndaj çështjes së refugjatëve është treguesi më i mirë i gatishmërisë dhe i politikës së shteteve të ndryshme për zgjidhjen apo moszgjidhjen e krizës siriane. Qëndrimi i Rusisë ndaj krizës së refugjatëve, duke refuzuar të pranojë refugjatë sirianë në territorin e saj, hedh dritë mbi synimet dhe strategjinë e Kremlinit për krizën e refugjatëve, për krizën siriane dhe për të gjithë hapësirën e trazuar dhe në vlim të Lindjes së Mesme. Organizata e mirënjohur botërore “Amnesty International” njoftonte në 26 shkurt 2016 se gjatë gjithë vitit 2015 Rusia i ka dhënë statusin e refugjatit vetëm një personi nga Siria dhe azil të përkohshëm u ka dhënë vetëm 482 sirianëve. Ashpërsia e refuzimit rus për të pranuar refugjatët sirianë përbën një kontrast të jashtëzakonshëm me qëndrimin human të shteteve të Europës, ndër të cilët vetëm Gjermania pranoi në vitin 2015 mbi 500 mijë refugjatë sirianë dhe pritet që të pranojë mbi një milion refugjatë. Turqia ka pranuar mbi 2 milionë refugjatë sirianë. Një shtet si Rusia, me sipërfaqen më të madhe se gjithë Europa, me burime të mëdha financiare, ekonomike, materiale dhe me kapacitete ndërtuese dhe pritëse të pakufizuara, dhe që pretendon të jetë fuqi globale, ka ngritur një mur të hekurt ndaj refugjatëve sirianë dhe nuk pranon të marrë pjesë as në mënyrë modeste në përballimin e kësaj emergjence ndërkombëtare.
Logjika më e thjeshtë sugjeron që Rusia duhet të ishte në krye të shteteve që pranojnë refugjatë sirianë, duke pasur parasysh se ajo është aleati kryesor i regjimit të Asadit dhe ka shpallur se është miku më i ngushtë i Sirisë dhe i popullit sirian. Por, përtej sloganeve të çngjyrosura të shkollës sovjetike, që po përdor në Lindjen e Mesme shteti dhe diplomacia ruse, Moska po ndjek një politikë zyrtare të refuzimit të pranimit të refugjatëve sirianë, çka dëshmohet nga fakti që Rusia është i vetmi shtet, që kthen mbrapsht ata refugjatë sirianë, që guxojnë t’i drejtohen për strehë shtetit, që vetëshpallet miku më i mirë i Sirisë dhe i popullit sirian. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, deklaron qëndrimin zyrtar se pranimi i refugjatëve në territorin e Rusisë nuk është problem aktual. Dhe kjo është e kuptueshme, përderisa udhëzimet zyrtare janë që të bllokohet që në kufi çdo refugjat sirian. Argumentet sofiste të zëdhënësit të presidentit Vladimir Putin për refuzimin e pranimit refugjatëve janë: 1 – Se barrën e përballimit të refugjatëve duhet ta mbajnë ata shtete, që e kanë shkaktuar atë situatë katastrofike. Sikur Rusia nuk është shteti kryesor i mbështetjes dhe i mbajtjes në këmbë të regjimit despotik të Asadit, i cili ka shkaktuar luftën civile. Sikur bombardimet terrorizuese të aviacionit ushtarak rus në Siri kundër objekteve civile, qendrave të banimit, spitaleve dhe shkollave nuk kanë terrorizuar popullsinë, duke e nxitur atë të ikë nga sytë këmbët si refugjate. 2 – Se ekziston rreziku i madh, që midis refugjatëve të ketë militantë të ISIS-it. Sikur militantë të ISIS-it nuk futen në mesin e atyre qindra mijëra refugjatëve, që janë strehuar në Europë.
Edhe ata pak sirianë, të cilët guxojnë të ndërmarrin aventurën drejt kufijve të Rusisë, ndeshen me një hetim inkuizicional nga autoritetet ruse, ku siç pohon Mahmud al Hamza, kryetar i Këshillit të Lëvizjes së Deklaratës së Damaskut: “Njerëzit në kufirin rus pyeten për bindjet politike dhe për rregullat e cilit Islam ata ndjekin”. Por edhe nëse ndonjëri arrin të kapërcejë këtë mur inkuizicional, do të përballet me kërkesat zyrtare, të habitshme për statusin e refugjatit, që ata duhet të paguajnë secili nga 10-15 mijë rubla që të regjistrohen në Shërbimin Federal Rus të Migracionit dhe të paguajnë 40 mijë rubla për të marrë azil të përkohshëm. Në kohën që Rusia nuk lejon refugjatët sirianë të strehohen në territorin e saj, autoritetet zyrtare ruse kanë krijuar të ashtuquajturën rrugë të Arktikut, që kanalizon refugjatët të kalojnë transit nga Rusia për në Norvegji dhe për në Finlandë. Madje, zëdhënësit të Kremlinit i duket e natyrshme dhe deklaron se refugjatët nga Siria mund të përdorin territorin rus si transit për të lëvizur më tutje.
Ajo që e komprometon akoma më shumë politikën ruse të ndalimit dhe të refuzimit të hyrjes së refugjatëve sirianë në territorin rus, është qëndrimi zyrtar ndaj sirianëve cirkasianë, çerkezëve. Në Siri, ashtu si dhe në Turqi, Jordani, Egjipt, Izrael etj. ka dhjetëra mijëra sirianë me origjinë çerkeze, që janë pasardhësit e popullit çerkez, që iu nënshtrua spastrimit etnik nga Rusia cariste në vitet 1864-1867, u vranë në mënyrë masive dhe u deportuan në mënyrë masive në mesin e shekullit 19, kur ushtria ruse pushtoi tokat e çerkezëve në Kaukazin e Veriut. Është një spastrim etnik me karakteristikat dhe përmasat e gjenocidit, një krim të cilin kanë refuzuar ta pranojnë të gjitha qeveritë cariste, komuniste dhe postkomuniste në Rusi. Parlamenti i Gjeorgjisë në vitin 2011 miratoi “Rezolutën për njohjen e gjenocidit të çerkezëve nga Perandoria Ruse”, ku thuhet: “Parlamenti i Gjeorgjisë i njeh si akt gjenocidi vrasjet masive të çerkezëve gjatë luftës Rusi-Kaukazi i Veriut dhe dëbimin e tyre të dhunshëm nga atdheu”. Në 10 shtator 2015, gazetari i njohur rus, Maksim Shevçenko, i cili është edhe anëtar i Këshillit Presidencial rus për të drejtat e njeriut, bëri të ditur se do t’i kërkojë Presidentit të Rusisë të lejojë riatdhesimin e sirianëve çerkezë në Kaukazin e Veriut. Gazetari rus deklaroi se: “Ata janë popull i Kaukazit, por ata u detyruan të ikin. Ata janë bashkatdhetarët tanë, popull indigjen i rajonit të Krasnodarit dhe Adigeas”. Mirëpo edhe sirianët me origjinë nga Kaukazi, të cilët janë dëbuar në mënyrë masive me dhunë nga ushtria ruse, nuk pranohen sot si refugjatë në Rusi.
Antiteza e qëndrimit human të Europës, e cila ka pranuar dhe strehuar me qindra mijëra refugjatë sirianë, me qëndrimin antihuman të Rusisë, e cila ka ngritur një mur të hekurt për refugjatët, është kaq zhurmuese, saqë edhe në opinionin publik rus janë shprehur dyshime për këtë politikë zyrtare ruse. “Eurasia Daily Monitor” shkruante në datën 14 shtator 2015: “Shumë analistë rusë kanë filluar të bëjnë pyetjen: Pse Europa ndihmon refugjatët sirianë, megjithëse ata nuk kanë asgjë të përbashkët me europianët, ndërsa Rusia nuk ndihmon muhaxhirët kaukazianë, megjithëse ata kanë lidhje historike me Rusinë?”.
Ky realitet i një politike ruse, jo thjesht antihumane dhe me nota raciste, çon në kërkimin e arsyeve të një qëndrimi të tillë unik në historinë moderne të njerëzimit ndaj refugjatëve, që ikin t’u shpëtojnë flakëve të luftës. Kostantin Kaçjanov, kryetar i Grupit të Ekspertëve Politikë në Moskë, jep një përgjigje: “Rusia mendon për çështjen e refugjatëve në kontekstin e politikave më të mëdha”.
Politikat e mëdha strategjike të Rusisë në çështjen e refugjatëve e kanë një përgjigje të qartë nga dinamika e ngjarjeve në Siri dhe nga shpërthimi i krizës së refugjatëve. Rusia ka strategjinë e drejtimit të lumit të rrëmbyeshëm të refugjatëve drejt Europës dhe ajo është menexherja e këtij inondimi njerëzor, që vjen nga Siria drejt kontinentit europian. Problemi i vërshimit të refugjatëve drejt Europës lindi pas krizës ukrainase. Lufta civile në Siri kishte katër vite që kishte nisur dhe vazhdonte me egërsi, gjatë së cilës regjimi gjakatar i Asadit kishte vrarë 200 mijë qytetarë dhe nuk qe krijuar ndonjë vërshim refugjatësh drejt Europës. Nga ana tjetër, Organizata e ISIS-it kishte dy vite që ishte krijuar para krizës ukrainase dhe nuk ishte krijuar ndonjë vërshim refugjatësh drejt Europës. Pas krizës ukrainase, të shkaktuar nga agresioni ushtarak i Rusisë dhe nga aneksimi i dhunshëm i Krimesë, si me komandë u krijua lumi i refugjatëve sirianë për të vërshuar në drejtim të Europës. Institucionet e specializuara të Lindjes së Mesme dhe të Perëndimit e kanë shpjeguar këtë fenomen me ndërhyrjen dhe me një operacion të kombinuar të shërbimeve sekrete ruse me shërbimet sekrete siriane dhe me përdorimin prej tyre të mafias ndërkombëtare të trafikimit të qenieve njerëzore. Lumi i refugjatëve u planifikua dhe po zbatohet si një instrument gjeopolitik i Rusisë për të goditur dhe për të trazuar Europën.
Me një fjalë, Rusia po e përdor çështjen e refugjatëve si një instrument gjeopolitik apo më saktë si një armë gjeopolitike kundër Europës. Siç deklaroi në senatin amerikan në 2 mars edhe komandanti i përgjithshëm i forcave të NATO-s në Europë, gjenerali Filip Breedlove, Rusia dhe Siria po i përdorin qëllimisht refugjatët si një strategji agresive ndaj Europës dhe po përdorin refugjatët si armë për të destabilizuar kontinentin.
Në funksion të kësaj arme gjeopolitike të refugjatëve, Rusia nuk pranon refugjatë sirianë, në një kohë që thotë se ka pranuar një milion refugjatë ukrainas. Në funksion të kësaj strategjie Rusia pajis me viza studentësh dhe me viza turistike shtetas sirianë, të cilët i përplas pastaj në drejtim të shteteve nordike.
Qëndrimi intransigjent refuzues i Kremlinit për të pranuar refugjatët sirianë evidenton mungesën e predispozicionit të Moskës për të zgjidhur krizën e refugjatëve sirianë dhe për të zgjidhur krizën siriane. Çështja e refugjatëve pret zgjidhjen e krizës siriane dhe normalizimin e jetës politike, sociale dhe ekonomike në Siri. Por, Rusisë nuk i intereson perspektiva e zgjidhjes së krizës siriane dhe me këtë strategji ndërmori ndërhyrjen direkte ushtarake përkrah satrapit Asad në luftën e brendshme civile në Siri. Ndaj dhe kriza e refugjatëve në fakt e ka shtuar më shumë krizën e thellë të besimit, që po përjeton në shkallë botërore diplomacia dhe shteti rus, të cilët kanë zgjedhur të ecin në anën e kundërt të sistemit të vlerave njerëzore, humanitare dhe civilizuese, ndaj refugjatëve dhe ndaj krizave ndërkombëtare.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: