GJIROKASTER- Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot në Gjirokastër, ministrat e kabinetit qeveritar, që vijnë nga radhët e Partisë Socialiste. Takimi i paralajmëruar një ditë më parë po zhvillohet tek Hotel “Çajupi” dhe sikundër është bërë e ditur në të mungojnë ministrat e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Në mbledhjen informale të kryeministrit me anëtarët e PS-së të kabinetit qeveritar janë të pranishëm zv/kryeministri, Niko Peleshi, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ministri i Financave, Arben Ahmetaj, ajo e Kulturës, Mirela Kumbaro, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi dhe ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Bledi Çuçi. Gjithashtu të pranishëm në mbledhjen informale janë edhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ai i Shëndetësisë, Ilir Beqaj si edhe ministrja e shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Ermonela Felaj.

Burime pranë kryeministrit Rama pohojnë për “BalkanWeb” se kreu i Qeverisë do të zhvillojë në Gjirokastër edhe një mbledhje me 61 kryetarët e degëve të Partisë Socialiste.

Gazetarja e Brikena Metaj ka konfirmuar për “BalkanWeb” se në takimin e zhvilluar një ditë më parë më strukturat e PS në Gjirokastër, kryeministri Rama tha se ministrat Çuçi dhe Kumbaro do të jenë në krye të listës së kandidatëve për deputet në qarkun e Gjirokastër për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Sakaq, është kërkuar një ristrukturim i kësaj partie. Ndërsa, Rama vuri theksin në rëndësinë që të qëndrohet më afër qytetarëve, dhe për të punuar edhe më shumë me anëtarësinë dhe simpatizantët e PS.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb