NGA: ROBERT WILTON*
Zonja dhe zotërinj, Lidhja midis qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre është thelbi i demokracisë. Pikërisht, zyrat që po hapim sot do të jenë vendtakimi lidhës midis deputetëve dhe qytetarëve. Ajo që pritet nga deputetët është të dëgjojnë zgjedhësit e tyre, t’i përfaqësojnë dhe t’u përgjigjen nevojave të tyre në kohë dhe me efikasitet. Sa më shumë dijeni të kenë deputetët për nevojat dhe shqetësimet e elektoratit të tyre, aq më reagues bëhen. Po kështu, sa më shumë dijeni të kenë qytetarët për veprimtarinë e Kuvendit, aq më mirë mund t’i shprehin nevojat, mendimet e tyre dhe t’u kërkojnë llogari përfaqësuesve të tyre. Në këto zyra që e sjellin Kuvendin më pranë zgjedhësve, qytetarët jo vetëm do të takohen me deputetët, por edhe do të mësojnë më shumë për mënyrën e funksionimit të Kuvendit dhe sesi të komunikojnë dhe të ndërveprojnë me të. Gjithashtu, qytetarët mund të marrin asistencë dhe informacion për punën legjislative të deputetëve të tyre. Këto zyra do të ofrojnë një hapësirë ku qytetarë të ndryshëm, përfshirë të rinjtë, gratë dhe grupet e cenueshme të marrin informacion dhe të angazhohen në mënyrë aktive në procesin legjislativ.

Informimi i qytetarit për punën e parlamentit nuk është vetëm detyrë e medias, por është edhe përgjegjësi e vetë Kuvendit. Hapja e zyrave të komunikimit të deputetëve me zgjedhësit sot në Shkodër është një shembull i prekshëm i partneritetit të ngushtë mes Prezencës së OSBE-së dhe Kuvendit të Shqipërisë. Për më shumë se një dekadë kemi punuar së bashku për të rritur profesionalitetin, llogaridhënien dhe transparencën e Kuvendit. Mbështetja jonë për këto zyra zgjedhore është një dëshmi e vendosmërisë sonë afatgjatë për të krijuar mes qytetarëve dhe institucioneve të tyre një marrëdhënie më aktive dhe të shëndetshme. Për këtë dëshiroj të falënderoj Agjencinë e Zhvillimit Austriak, që na kanë mbështetur për vite me radhë, duke shpresuar për një bashkëpunim të mëtejshëm edhe në fusha si përfshirja e publikut në vendimmarrje, rritja e përgjegjshmërisë qytetare gjithmonë në funksion të forcimit të demokracisë në Shqipëri. Gjithashtu, më lejoni të shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin tonë për bashkëpunimin me Bashkinë e Shkodrës, duke nënvizuar faktin se kryetarja e kësaj bashkie e filloi procesin për hapjen e zyrave të sotme që kur ishte ende deputete e Kuvendit. Shoqëria civile dhe Kuvendi kanë filluar t’i shtrijnë dorën njëri-tjetrit dhe ne, përmes mbështetjes me nisma si kjo, jemi të vendosur të ndihmojmë të dyja palët të ngushtojnë hendekun.

Nga përshtypjet që kemi marrë direkt prej zyrave tashmë të hapura në Kukës, Gjirokastër, Korçë dhe Fier, vihet re se puna ka dhënë efekte pozitive për qytetarët dhe komunitetin, për deputetët dhe administratën e Kuvendit. Besimi dhe bashkëpunimi ndërmjet deputetëve dhe komuniteteve që ata përfaqësojnë është bërë më i fortë, ndërsa bashkëpunimi ndërmjet nivelit vendor dhe qendror është bërë më i ngushtë. Sot kemi mes nesh deputetë të qarkut të Shkodrës nga parti të ndryshme. Në Kuvend, ata përfaqësojnë jo vetëm partinë, por edhe qytetarët që i kanë votuar. Zgjedhja si deputet është nder i madh, por mbart edhe përgjegjësi të mëdha si përfaqësues i popullit. E kam përgëzuar publikisht Kuvendin për votimin unanim të paketës kushtetuese për reformën në drejtësi, sepse ishte një reagim ndaj vullnetit të popullit. Tashmë shpresojmë që e njëjta frymë të mbizotërojë gjatë shqyrtimit dhe miratimit të të gjithë paketës me ndryshimet e ligjeve shoqëruese, me qëllim që të fillojë zbatimi konkret. Kjo reformë ekziston vetëm nëse zbatohet, nëse qytetarët shqiptarë shohin përmirësime të vërteta në realitetin e drejtësisë shqiptare.

Qëllimi ynë, qëllimi i përbashkët, gjithmonë ka qenë forcimi i shëndetit bazë të demokracisë në Shqipëri, rritja e pjesëmarrjes së publikut, forcimi i besimit. Si përfundim, një parlament që funksionon në mënyrë transparente, të aksesueshme, llogaridhënëse dhe reaguese është më efikas dhe gëzon besimin e popullit të vet.
“Fjala e kryetarit në detyrë të Prezencës së OSBE. Ceremonia e përurimit të Zyrës së Komunikimit me Zgjedhësit të Kuvendit
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: