Nga Valentina Madani

Dhjetor ’90. Ishin ditë të rrezikshme, por plot ëndrra… Studentët ishin në kërkim të ndryshimit. E nisën mesnatën e së shtunës së 8 dhjetorit. Errësira mbulonte qytezën e tyre. U vunë në kërkim të dritës derisa e ndezën atë mes shumë rreziqeve.

Nisën kështu përballjen me diktaturën komuniste… Kreshnik Çollaku është njëri nga dëshmitarët e shumtë të revoltës rinore të 8 dhjetorit 1990. Ai sjell ndërmend për “Gazeta Shqiptare” thirrjet e para të studentëve të së shtunës së 8 dhjetorit, dyndjen e policisë drejt qytezës, shkopinjtë e gomave mbi trupat e të rinjve dhe vendosmërinë e tyre për të mos u kthyer më mbrapsht.

Çollaku ishte student i Filologjikut, aty ku guxoi të ngrinte për herë të parë bashke më dy shokët e tij dy gishtat lart.

Z.Çollaku, çfarë mbani mend nga 8 dhjetori i ’90-ës? Si ishte situata në Qytetin Studenti?
Në fakt, 8 dhjetori nuk erdhi si një rrufe në qiell të hapur. Unë mendoj se një sërë ngjarjesh paraprinë klimën që shpërtheu më 8 dhjetor. Sigurisht çdokush mund të ketë opinionin e tij mbi vlerën e këtyre ngjarjeve. Unë po dëshmoj ato që në bindjen time, ose të paktën për mua personalisht kanë qenë në ngjarjet që paraprinë 8 dhjetorin. Sigurisht, vatra e pareshtur e tensionit së regjimit kishte një kundërshti mbase dhe të organizuar ishte ngjarja në Kavajë dhe sidomos në Shkodër, nga ku lajmet vinin se andej kishte përplasje fizike mes njerëzish dhe forcave të regjimit. Një modë barsoletash antiregjim dukej se vinin nga Shkodra dhe mbanin të motivuar edhe në Tiranë idenë se të ishe kundër regjimit ishte jo vetëm e drejtë për ata që e kishin provuar persekutimin direkt.

Kishte edhe nga ata që nuk e kishin këtë fat, e bënte të ishte një ndarje e padeklaruar midis atyre që kishin një pavarësi të mendjes, një dimension kulture dhe intelekti dhe midis atyre që i kishin shpërlarë të gjitha këto nën modelin zyrtar. Pra, të ishe antiregjim, ishte një lloj mode e rrezikshme, por interesante dhe gjithmonë e përherë trendi. Lëvizjet, por edhe barsoletat e Shkodrës, diskutimet, librat e ndaluar, kasetat me muzikë të ndaluar (rokut, hevi metal) që qarkullonin dorë më dorë mes djemve të bordurës së bulevardit në Tiranë ishin si të thuash preambul e asaj çfarë shpërtheu më 8 dhjetor. Djemtë e bordurave të Tiranës dhe disa intelektualë guximtarë si Sali Berisha, Ismail Kadare, Ylli Popa dhe ndonjë tjetër, por jo shumë të tjerë, ishin si të thuash vatra e asaj që mund të quhej disidenca në Tiranë.

Çfarë ishin “djemtë e bordurave”?
Ishte një emër që u krijua vetiu. Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë hotel “Dajtit” kishte disa bordura, janë edhe sot më duket. Kjo ishte zona dhe vendi ku mblidheshin një kategori të rinjsh nga 20-vjeçarët, siç isha unë e brezi im deri te 30-35 vjeçarët. Bordurat ishin vendi ku frekuentuesit e tyre në mënyrë të çuditshme kishim krijuar një kod lirie mes njëri-tjetrit. Psh., qarkullonin kaseta me muzike rok ose metal, muzikë e ndaluar në atë kohë. Te bordurat ti kishe besimin se mund të kërkoje një kopje të kasetës ‘AC/DC’ dikujt që edhe nuk e njihje.

Mund ta kopjoje diku dhe e ktheje të nesërmen. Kjo vetëm të bordurat mund të ndodhte. Kudo tjetër kjo ishte fatale. Por dhe te bordurat ishte po ashtu e rrezikshme, pasi ishte një besim i verbër te të panjohur, por me një besim okult te vetja se të paktën aty askush nuk tradhtonte tjetrin. Kishte një solidaritet i pashprehur antiregjim te bordurat. E njëjta gjë ndodhte me librat. Kishte libra të ndaluar. Të të kapnin me ndonjë prej tyre ishte vepër penale e kohës dhe rrezikoje dënim. Këto libra qarkullonin mes djemve të bordurave. Po të kujtoj sot rrezikun e kësaj aventure dhe çfarë rrezikohej do të ishte papërgjegjshmëri, por në atë kohë forca që të shtynte drejt kësaj lirie të rrezikshme ishte e papërmbajtshme.

Ju kujtohet ndonjë rast konkret?
Me kujtohet një aventurë e këtij tipi. Një miku im pedagog në atë kohë në Akademinë e Arteve, Shpend Bengu më thotë se po qarkullonte fshehurazi një libër fantastik “5 leksionet e Frojdit për psikanalizën” në italisht. Këto lloj librash qarkullonin me radhë. Në radhë mund të ishin 10-15 veta. Radha ishte sekret. Secili dinte vetëm kë kishte para në radhë e kujt i duhej dorëzuar libri pas tij. Libri ishte super i ndaluar. Iu luta Shpendit të zija radhën që pas tij ta merrja unë. Librin mund ta mbaje dy ose tri ditë. Prisja me padurim që Shpendi të ma dorëzonte librin dhe unë kisha rregulluar një mënyrë klandestine për ta fotokopjuar. Libri po vonohej.

Pas një jave më takon Shpendi, librin e kishte mbështjellë me ca gazeta të vjetra në përpjekje për ta fshehur. Unë isha student e Shpendi pedagog, por ngaqë ishim miq, kisha lirinë “t’i kërkoja hesap” se pse e vonoi kaq shumë. “E vonova – tha Shpendi – se ma vonoi ai që e kishte para meje, një koleg pedagog i Arteve, Edi Rama. E mora librin dhe sikur kisha ndonjë bombë me vete, me një frymë ia çova babait të ma fotokopjonte fshehurazi në Institutin e Historisë ku punonte. Vetëm pasi mora fotokopjen bashkë me qortimet e babait tim se isha i papërgjegjshëm dhe aventurier që nuk llogarisja rrezikun që kjo sillte nëse zbulohej.

Përveç kësaj klime mes rinisë, dy ngjarje që në bindjen time shkurtuan fitilin e shpërthimit të 8 dhjetorit, ishte arratisja e Ismail Kadaresë dhe shkrimet e Sali Berishës dhe Ylli Popës. Ikja e Kadaresë grisi përfundimisht maskën publike të regjimit, ndërsa shkrimet e Berishës dhe Popës përbënin në një lloj mënyre një platformë të strukturuar dhe të pjekur të disidencës antiregjim. Mbas atyre shkrimeve, pakënaqësia antiregjim kishte një shenjë se mund të zhvillohej në mënyrë të strukturuar statura intelektuale e këtyre personaliteteve ishte një lloj garancie se kundërshtimi ndaj regjimit nuk ishte një çështje disa të rinjsh të revoltuar, por një vullnet i formësuar i shoqërisë shqiptare të asaj kohe.

Si u përfshitë në lëvizjen studentore të dhjetorit?
Unë banoja pranë Qytetit Studenti, në disa pallate që quheshin pallatet e pedagogëve, disa ndërtesa trekatëshe që ishin ndërtuar me punë vullnetare nga vetë pedagogët e universitetit, siç ishte në atë kohe dhe babai im. Në shtëpi tek ne kishte ardhur daja i vogël, Goni. Ishim të përmalluar, pasi Goni si krejt familja e nënës sapo ishin liruar nga internimi dhe kishim vite pa u parë. Në shtëpi ishim unë, Goni dhe motra ime e vogël. Nuk më kujtohet për çfarë arsye prindërit e mi nuk ishin. Dëgjuam disa zëra si të thirrura në grup nga godinat e studentëve.

Në fillim mendova se ishte ndonjë ndeshje futbolli dhe se të thirrurat ishin për ndonjë gol, por me pas u dëgjua një shpërthim i fortë. “Diçka po ndodh – më tha Goni – duke u përpjekur të shoh nga dritarja”. Ndërkaq , u dëgjuan sirena zjarrfikësesh dhe nga dritarja vumë re disa makina policie që po futeshin në Qytet Studenti. Më pas thirrjet ishin dhe më të forta. Çuditërisht e vetmja fjalë që dëgjohej qartë ishte “poshtë…”. “Plasi më duket” – më tha daja. Po shiheshim në sy të pavendosur se çfarë do bënim dhe se dënim se çfarë po ndodhte. Ndërkohë nga dritarja u dukën siluetat e një grupi studentësh që po zbrisnin duke bërtitur poshtë Rrugës “Budi”, gati poshtë dritares sime. Dalim – i thashë dajës.

– Dalim – më tha – por këta po përplasen me policinë, ndaj vish ndonjë gjë të trashë që po na gjuajtën me shkopinj gome, ta kesh si mbrojtëse për trupin. Vesha sa bluza që kisha dhe dolëm. Vazhduam drejt vendit ku kishte kaluar grupi i studentëve. Ndërkohë, mesa duket kishte filluar përplasja e parë me policinë se shihnim disa që po ktheheshin me vrap e disa vajza që bërtisnin. Duke mos kuptuar ç’po ndodhte, u gjendëm përballë meje një grup policësh që po vinin përballë gati me vrap. Nuk e di si shpëtuam pa ndonjë shkop gome në kurriz. Ajo që më bëri përshtypje ishin të sharat e ndyra të policëve dhe helmetat e zeza mbi kokë.

Si filloi “rebelimi” në fakultetin e Filologjikut ku ju studionit?
Të nesërmen e 8 dhjetorit që në mëngjes vajta të sheshi i Qytetit Studenti, sigurisht prindërve u thashë se po shkoja në leksion. Në Qytet Studenti kishte grupe studentësh. Të gjithë flisnin për ngjarjen e një natë më parë. U mblodhëm të sheshi para mensës. Secili përpiqej të fliste. Asnjëri nuk e mbaronte deri në fund atë që donte të thoshte se dikush tjetër ndërhynte e jepte mendim. Kujtoj se një djalë me një xhup të zi lëkure u ngjit mbi ca shkallë e sikur u imponoi një lloj heshtje të tjerëve, edhe pse zërin e kishte krejt të ngjirur. Shkoni nëpër fakultetet tuaja dhe thirrini të vinë këtu studentët. Asnjë të mos shkojë në mësim. Mos u trembni – tha – nuk ju gjen asgjë asnjërin nga ju pa më gjet mua, ju betohem në kokën e dy fëmijëve të mi. Më ngelën në mendje fjalët, por edhe toni i sigurt që i shqiptoi. Na dha siguri e një kurajë të brishtë, por që edhe për të kishim nevojë në ato çaste. Ishte Azem Hajdari. Sot sa herë i shoh dy fëmijët e rritur të Azemit, Kirin dhe Rudinën më kujtohen ato fjalë e mendoj se unë u futa në politikë prej betimit të Azemit mbi kokën e tyre.

Kush ishin pedagogët e parë që ju mbështetën?
E përmenda më sipër, kishte një klimë që e parapriu datën 8 dhjetor. Po ju tregoj dhe këtu një histori personale. Në atë kohë isha në vitin e tretë në fakultet. Kishim një orë leksioni filozofie, që aso kohe e quanin marksizëm. Ishte rutinë që pedagogët para se të fillonte ora e mësimit bënin apelin dhe ne duhej të ngriheshim në këmbë, kur na thërritej emri të paraqitnim prezencën. Me dy shokë të tjerë ramë dakord që kur të na thërriste emrin pedagogia, të ngriheshim në këmbë e të ngrinim lart dy gishta kur të bënim prezencën. Ashtu ndodhi. Dy shokëve të mi u fillonte emri njërit me A (Armand Mero, gazetar i njohur sot) dhe tjetri me M (Miran Kraja sot një biznesmen i suksesshëm). Në fillim u ngrit Mandi pas apelit u përgjigj “këtu” e ngriti dorën me dy gishta. Mesa duket pedagogia mendoi se qe rastësi e nuk e dha veten. Shokët e tjerë të grupit e vunë re dhe filloi një pëshpëritje e lehtë. Më pas i erdhi radha Mirit. Edhe ai bëri të njëjtën gjë, në këmbë me dy gishta lart dhe tha “këtu”. Pëshpërimat e shokëve u shtuan dhe pedagogia kuptoi se po ndodhte diçka, u skuq pak dhe vrenjti sytë. Në fund erdhi radha ime, u ngrita dhe përsërita të njëjtin veprim me dy gishta lart. U duk qartë se po e bënim me qëllim. E kuptuan shokët e kursit, e kuptoi edhe pedagogia, e cila u vu në pozitë të vështirë. E acaruar tha vetëm kaq: “Armand, Miran e Kreshnik në fund të orës mos u largoni”.

Intervistën e plotë e gjeni sot në Gsh.al në linkun http://www.gsh.al/2017/12/08/intervista-rrefimi-i-ish-dhjetoristit-collaku-librat-e-ndaluar-qe-shkembenim-me-edi-ramen-si-e-kopjonim-frojdin-dhe-kasetat-e-grupit-acdc/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb