BEOGRAD- Pesë mijë emigrantë, përfshirë refugjatët e larguar në Lindjen e Mesme kanë mbërritur gjatë 24 orëve të fundit në kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë, një rekord, njoftoi sot televizioni shtetëror serb, RTS. Fluksi i emigrantëve të nisur drejt Bashkimit Evropian nuk ka të ndalur.

Pesëdhjetë autobusë me rreth 2 500 emigrantë në bord, si dhe tre trena me rreth 3 000 të tjerë, janë nisur gjatë mesnatës nga Gjevgjelia, në kufirin me Greqinë, drejt kufirit me Serbinë në veri të Maqedonisë.

“Rreth 3 300 emigrantë, që u ndalën shkurtimisht në Kanjiza para se të vazhdonin rrugën, kanë kaluar tashmë kufirin me Hungarinë”, theksoi RTS. I ftohti dhe shiu, që kanë përfshirë rajonin, i shtohen vështirësive që hasin emigrantët.

Ata janë detyruar të kalojnë Hungarinë para hyrjes në fuqi, javën e ardhshme të një ligji të ri anti-emigracion që riforcon veçanërisht mundësitë për vendosjen e ushtrisë në kufi dhe e bën emigracionin e paligjshëm të dënueshëm me një masë që shkon deri në tre vjet burg.

Sipas Budapestit më shumë se 160 000 emigrantë kanë kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin hungarez që prej fillimit të vitit. Ndërkohë që rreth 42 000 persona më shumë pritet të mbërrijnë në Hungari që nga Greqia, Maqedonia dhe Serbia në dhjetë ditët e ardhshme.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: