TIRANE- Të tjera detaje e mesazhe publikohen nga konflikti Ndocaj-Jaku. Pas kërcënimit me jetë që mori nga vëllai i ish-deputetit të PS, Arben Ndoka, për të cilat njoftoi edhe Ambasadën e SHBA-ve, deputeti Eduart Ndocaj publikon të tjera SMS kërcënuese. Ai thotë se këto mesazhe i kanë ardhur nga prefekti i Lezhës, Altin Jaku.

Sipas Ndocajt, Jaku e ka kërcënuar me jetë, ndërsa publikon të plotë mesazhin që i ka ardhur nga numri 06820 64102 në orën 00.15 të datës 6 shkurt dhe që i përket prefektit të Lezhës Altin Jaku. Ndërsa pas Ndocaj ka ardhur edhe reagimi i prefektit. Mesazhet që shkëmbejnë dy shtetarët, njëri ligjvënës e tjetri drejtues vendor janë larg të qenit normale, të bmushura me fyerje, kërcënime e fjalë banale.

Në komunikimin përmes sms-ve, Jaku i drejtohet Ndocaj me shprehjet “S’ka perëndi që të shpëton ty, të prek aty ku ti s’ke shpëtim”.

Pas kësaj deputeti Ndocaj i është drejtuar me një letër të hapur,Kreut të Grupit Parlamentar të PS, Gramoz Rucit, zv. Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Ballës dhe Lindita Nikollës Koordinatore e PS për Qarkun Lezhë.

“Jam denigruar e kërcënuar nga Altin Jaku, Prefekt në Detyrë dhe një figurë e rëndësishme e PS në Lezhë. Pra, një prefekt në detyrë kërcënon një Deputet. Kërkoj, që Partia Socialiste, Grupi Parlamentar i PS të marrë masat disiplinore dhe jo vetëm kundrejt Altin Jakut.”,- thuhet në letrën e Ndocaj.

JA LETRA E HAPUR E NDOCAJ
Drejtuar: z. Gramoz Ruci, Kryetar i Grupit Parlamentar të PS
Taulant Balla, zv. Kryetar i Grupit Parlamentar të PS
znj. Lindita Nikolla, Koordinatore e PS për Qarkun Lezhë

Nga. Eduart Ndocaj, Deputet dhe anëtar i PS

Të nderuar kolegë, disa herë kam ngritur zërin për problematikat dhe mos funksionimin e PS në Lezhë.
Këto kritika i kam shprehur përmes opinioneve të mia. Këto opinione nuk janë personale, por të shumicës së socialistëve të thjeshtë në Lezhë që të pllakosur nga frika, heshtin e vetëm heshtin. Heshtja e tyre nuk dëshmon se ato janë palë me kapjen e PS, por dëshmon mungesën e mbështetjes nga forumet kryesore të Partisë.

Sot, situata politike e PS në Lezhë është shumë me rëndë se sa mungesa e strukturave, por është shumë me rrezikshme për shkak se ajo është bërë monopol të njerëzve që nuk kanë problem të denigrojnë e të kërcënojnë këdo që kërkon të thotë të vërtetën dhe kërkon të ketë një Parti të fortë.

Nuk është hera e parë që denoncoj problematikat e PS, nuk është hera e parë që jam ofruar për të dhënë kontributin tim, përderisa jam lezhjanë, jam deputet i PS dhe për faktin se nga 2013, PS e njoh mirë duke qenë që shumë socialistë të thjeshtë i kam pasur bashkëpunëtorë e sot janë padrejtësisht në harresë.

Motivi i kësaj letre nuk është për të analizuar PS e Lezhë, por diçka tjetër më e rëndë. Pas kritikave të bëra prej meje, krejt normale në një vend demokratik, pasi përdora të gjitha rrugët politike brenda forumeve, unë, Deputet i Grupit Parlamentar të PS, jam denigruar e kërcënuar nga njerëz që janë përfaqësues të institucioneve shtetërore, anëtarë të PS dhe që përfaqësojnë forumet drejtuese të PS në Lezhë.

Me konkretisht, unë jam denigruar e kërcënuar nga z. Altin Jaku, Prefekt në Detyrë dhe një figurë e rëndësishme e PS në Lezhë. Pra, një prefekt në detyrë kërcënon një Deputet. Kërkoj, që Partia Socialiste, Grupi Parlamentar i PS të marr masat disiplinore dhe jo vetëm kundrejt Altin Jakut.

Po ashtu, jam denigruar për shkak të detyrës, nga Ermal Pacaj, kryetar i FRESH dhe kandidat për Kryetar I PS-Lezhë. Nuk e di nëse akoma ky mund të konsiderohet kandidat për Kryetar i PS-Lezhë. Kërkoj që Grupi Parlamentar i PS dhe forumet e larta drejtuese të PS të marr masa disiplinore dhe jo vetëm kundrejt këtij personi.

Beteja ime për një transparencë në PS-Lezhë sapo ka nisur dhe do të bëj të gjithë betejat politike e jo vetëm duke u nisur nga mbledhjet e Grupit Parlamentar të PS, në foltoren e Parlamentit dhe në media.

Është e tmerrshme dhe alarmante që një deputet i Grupit Parlamentar të PS, kërcënohet me jetë, për shkak të kritikave dhe të mendimit ndryshe.

Të gjithë e dinë situatën politike të PS në Lezhë, procesin zgjedhor, por kanë pranuar me kënaqësi të heshtin duke zbatuar parimin “larg portës time”.

Po ashtu kërkoj që Forumet e Larta Drejtuese të PS, Grupi Parlamentar i PS të mbajnë një qëndrim zyrtar në lidhje me kërcënimet “kanosje me jetë” dhe “ofezë” kundrejt meje.

ALTIN JAKU PUBLIKON MESAZHET

Pas publikimit të mesazhit nga ana e deputetit Eduart Ndocaj edhe prefekti Altin Jaku ka publikuar versionin e tij të bisedës nëpërmjet mesazheve me të. Ai thotë se gjithë konflikti ka nisur pas një kërkese të tij për fshirjen e një komenti të Ndocaj në facebook. Më pas komunikimi mes tyre ka degjeneruar në sharje e fjalë banale.

“Ndjesë që më duhet të shpjegohem për njerëz si kaubojsi që ka një vit që vetëm denigron dhe akuzon. Për sqarim për të gjithë ju miq mund t’ju them se kam replikuar me të me sms por në asnjë moment nuk kam kërcënuar por i kam kërkuar të fshijë një koment që kishte bërë. Më poshtë po ju dërgoj komentin e tij për të cilin bëhet fjalë, si dhe një pjesë të sms ku shihet qartë që kemi qenë duke replikuar dhe asnjëherë nuk e kam kërcënuar. Me jeshile janë fjalët e mija!”, shkruan Jaku.

Komentet që Jaku i ka kërkuar Ndocajt të fshijë

Mesazhet Ndocaj-jaku (1)

Mesazhet Ndocaj-jaku (2)

Mesazhet mes Ndocajt dhe Jakut (jeshile prefekti)

Mesazhet.jpg
(ma.ar/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: