ITALI- Një shpërthim i madh ka ndodhur në një firmë të prodhimit të materialeve piroteknike në Modugno, afër Barit. Incidenti që ndodhi mëngjesin e sotëm shkaktoi vdekjen e shtatë personave dhe plagosjen e të paktën gjashtë të tjerëve, mes tyre një 28-vjeçar shqiptar. Viktima sipas mediave italiane është Saimir Merja, i cili punonte prej kohësh në këtë fabrikë.

Dëshmitarët në vendngjarje janë shprehur se zhurma prej shpërthimit ka qenë shumë e madhe. Përmes fotove të publikuara në media, shihet edhe tymi i madh që ka shkaktuar shpërthimi. Fabrika Bruscella ishte duke punuar me kapacitet të plotë për përgatitjen para festimeve që ndodhin në vende të ndryshme në këtë kohë. Në kohën e shpërthimit dyshohet se në ndërtesa kanë qenë të paktën 14 persona. Fillimisht ka shpërthyer një furgon dhe më pas shpërthimi është përhapur në të gjithë fabrikën.

Zona është izoluar krejtësisht dhe specialistët bënë shpërthimin e komanduar të pjesës tjetër të lëndës plasëse që ndodhej në ndërtesë. Nga lartë ndërhynë dy avionë për të shuar flakët që po përhapeshin me shpejtësi në pyllin afër. “Do të duhen të paktën 24 orë në mënyrë që zjarrfikësit të sigurojnë zonën për të kontrolluar edhe për persona të tjerë që mund të kenë mbetur nën ndërtesën që është shembur”, tha prokurori i Barit, Giuseppe Volpe. “vetëm atëherë mund të bëhet një bilanc i viktimave që deri tani duket tragjikisht i lartë”.

Ndër të plagosurit është edhe Bruscella Michele, 43 vjeç, një nga pronarët e fabrikës. Ai është shtruar në spital në gjendje kritike, me djegie në 85% të trupit. Edhe dy pronarët e tjerë të kompanisë, Antonio dhe Vincenzo Bruscella, ishin në fabrikë në kohën e shpërthimit, i pari mori plagë të rënda, ndërsa Vincenzo ka dëmtime të lehta. Në mesin e viktimave janë dy indianë, një shqiptar dhe tre italianë.

(b.e/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb