Nga: ERJOLA JATA*

TIRANË- Shumë shpejt përdoruesit e Eagle Mobile dhe Albtelecom do të përdorin cilësinë më të lartë të teknologjisë, shërbimin 4G. Ky shërbim do të ofrohet nga Eagle Mobile. Autoriteti i Komunikimit Elektronik dhe Postar ka bërë publik dhënien e licensës 4 G kësaj kompanie. Sipas Zv.Drejtorit të Përgjithshëm dhe njëkohësisht Drejtorit të grupit të Teknologjisë të Albtelecom dhe Eagle Mobile, Murat Cakmak janë duke u finalizuar punimet për ofrimin e shërbimit më të shpejtë me cilësinë më të lartë në kohë më të shkurtër. Por çfarë është shërbimi 4G?

“Teknologjinë 4G mund ta përshkruaj kështu: Nëse teknologjia aktuale 3G është një superstradë me dy korsi, tani e tutje ky numër do të rritet në 10 korsi dhe shpejtësia e transmetimit të të dhënave do të rritet shumë më tepër. Abonentët nëpërmjet celularit do të fillojnë të përdorin shumë lehtë jo vetëm shërbimet e internetit, por edhe shërbimet video, lojërat, madje edhe shërbimin televiziv. Me rritjen çdo ditë të numrit të pajisjeve celulare smart në treg, do të rritet gjithashtu edhe më tej përvoja në këto pajisje. Ne si Albtelecom do të përpiqemi të ofrojmë shpejtësinë maksimale të aksesit në internet tha Murat Cakmak.

Për këtë operator ky shërbim është ndryshe nga konkurrentët e tjerë në treg.

“Me sinergjinë që Albtelecom dhe Eagle Mobile kanë, ne do ta ofrojmë këtë shërbim në të gjitha zonat nëpërmjet fibrave optike. Kjo për ne krijon një avantazh të rëndësishëm. Abonentët tanë do të përjetojnë shpejtësi shumë më të lartë dhe cilësi shumë më të mirë në teknologjinë 4G, pas përvojës në 3G, pasi shërbimet me fibër optike do të bëhen domosdoshmëri për ofrimin e një 4G’je cilësore. Aktualisht ne jemi i vetmi operator që mund ta ofrojë. Abonentët tanë do ta ndjejnë ndryshimin në një kohë shumë të shkurtër”.

Z.Cakmak pohon se ndryshe nga shumë shtete të tjera tregu i telefonisë celulare në Shqipëri është konkurrues.

“Ndryshe nga shumë shtete me disa operatorë, në këtë treg ka shumë operatorë, pra katër të tillë. Kjo sjell me vete një konkurrencë shumë të ashpër. Ne si Eagle Mobile aktualisht jemi në pozitën e operatorit mobil më të preferuar për sa i përket Portabilitetit të Numrit”, tha ai më tej.

Për të rritur numrin e abonentëve përfaqësuesi i lartë i Eagle Mobile dhe Albtelecom premton për një shërbim sa më cilësor dhe me çmime sa më të ulëta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb