Nga: Valentina MADANI

Lazër Stani është dëshmitar i atyre ditëve të jashtëzakonshme të dhjetor ’90, kur ëndrra e lirisë kishte ngritur në këmbë një popull të tërë. Ish- themeluesi i PD-së tregon për “Gazeta Shqiptare” momentet më kyçe të lëvizjes së dhjetorit ’90 dhe debatet që e shoqëruan themelimin e PD-së. Një ndër firmëtarët e parë të partisë së parë opozitare tregon me detaje se si krerët e lëvizjes ishin të pasigurt në vendimin për krijimin e PD-së, ndërkohë që mes tyre kishte debate, deri dhe propozime që PD të ishte parti motër me PPSH-në. Por, sipas Stanit, ndërhyrja e Sali Berishës se kurrë nuk do të ndodhë një gjë e tillë bëri që salla në kinoklubin e Qytetit Studenti të shpërthejë në brohorima e duartrokitje.

Z.Stani, cila ishte situata me fillimin e lëvizjes së dhjetorit?
Ai dhjetor i vitit 1990, që më pas do të hyjë në histori, pikërisht prej Lëvizjes së Dhjetorit, e gjeti Shqipërinë në një muzg të llahtarshëm. Shqiptarët, që kishin pritur pesë vite me shpresë se diçka do të ndryshonte pas vdekjes së diktatorit, tashmë e ndjenin se thika u kishte shkuar në asht, e kuptonin se u kishte mbetur vetëm një mundësi zgjedhjeje: ose të ngriheshin e të përmbysnin diktaturën, ose të shuheshin ngadalë në skëterrën e urisë, varfërisë së skajshme dhe shtypjes mizore. “Kështjella e socializmit”, siç e quanin atëherë me mburrje Shqipërinë komunistët, ishte gërryer nga themelet, muret i ishin brejtur. Mbahej në këmbë si një fantazmë, duke ngjallur ende tmerr dhe frikë, ushqehej vetëm me panikun dhe kujtesën e llahtarshme të terrorit 45-vjeçar. Asgjë nuk funksiononte më: industria kishte falimentuar, bujqësia ishte shterpëzuar, tregu ishte paralizuar, shitoret ishin zbrazur. Uria ishte ulur këmbëkryq në çdo vatër, në çdo familje shqiptare. Diktaturat lindore kishin rënë njëra pas tjetrës nëpërmjet një revolucioni të butë, të kadifenjtë, ndonjëherë edhe me dhunë e përgjakje si në Rumani, ku diktatori me të shoqen u ekzekutuan, por kasta komuniste shqiptare përpiqej të justifikohej, deklarohej se Shqipëria nuk është as Lindje as Perëndim, se nuk kishte dështuar socializmi, po revizionizmi, se përmbysjet në Europën Lindore ishin pasojë e tradhtisë që i bënë Marksizëm-Leninizmit udhëheqjet e këtyre vendeve. Me këto arsyetime idiote, që nuk i besonin as vetë udhëheqësit komunistë shqiptarë përpiqeshin të fitonin kohë, të shpëtonin atë që mund të shpëtonin, ndërkohë që përdornin edhe dhunën e kërcënimet. Shenjat e para të pakënaqësisë ishin dhënë që në fillim të vitit me protestën e qytetarëve të Kavajës, me përpjekjen e qytetarëve të Shkodrës për rrëzimin e monumentit të Stalinit, me protestën e Rrugës së Kavajës dhe hyrjen më pas të mijëra qytetarëve në ambasadat e akredituara në Tiranë. Pas largimit të imponuar të më shumë se pesë mijë qytetarëve kurajozë nga vendi, udhëheqësit komunistë organizuan një miting të shëmtuar në sheshin “Skënderbej”, ku njëqind mijë njerëz u nxorën më dhunë në shesh për të dëshmuar unitetin parti-popull dhe ku u deklaruan kërcënime të tmerrshme si “Pushtetin e kemi fituar me gjak dhe pa gjak nuk e lëshojmë”. Udhëheqësi i rinisë komuniste i asaj kohe deklamoi nga tribuna vargjet e Vaso Pashës:
“Asht toka jonë
T’parët na e kanë lanë
Kush mos ta preki
Se vdesim t’anë”.
Sikur toka shqiptare të ishte tokë e komunistëve që prej zanafillës.
Kundër kësaj filozofie dhe propagande të vdekjes, që paralajmëronte përgjakjen e Shqipërisë në një luftë civile, nëse tentohej përmbysja e diktaturës, qe ngritur me forcë shkrimtari Ismail Kadare në një shkrim të botuar në atë kohë, ndërkohë që intelektualë të tjerë të njohur si Sali Berisha, Ylli Popa etj., botuan shkrime që binin në kundërshtim të hapur me vijën e partisë, shokuan burokracinë komuniste dhe ngjallën një shpresë të vagullt te qytetarët. Megjithatë, diktatura vazhdonte të tregonte dhembtë ndaj çdo tentative për t’u organizuar, për të krijuar organizata, ose lëvizje kundër regjimit. Megjithëse flitej për reforma e liberalizim, prapë qytetarët merreshin në polici e rriheshin barbarisht, nëse kërkonin një pasaportë për jashtë, që formalisht regjimi ua kishte lejuar, të rinjtë vriteshin në kufi, edhe pse kalimi i kufirit nuk cilësohej më në ligj tradhti kombëtare. Në qarqe të ndryshme, kryesisht në qarqet intelektuale të Tiranës, diskutohej në fshehtësi për fundin e regjimit, por pyetja se si do të përmbysej, gjithnjë mbetej pa përgjigje. Lëvizje të tilla të fuqishme, zakonishte i bëjnë të rinjtë, të rinjtë e grumbulluar në shkolla dhe universitete, por tek ne edhe kjo shihej me dyshim. Tek ne e drejta e studimit në universitet kalonte përmes filtrave politikë dhe studentët pothuajse të gjithë ishin me “biografi të mirë”, vinin nga shtresa dhe familje ose të pushtetit, ose të lidhura në një mënyrë ose në një tjetër me pushtetin. Fëmijët e familjeve të shpallura antikomuniste nuk kishin asnjë mundësi të frekuentonin auditorët e universiteteve, sepse persekutimi bëhej në linjë gjenetike në tri breza, në shtatë breza, pra ushtrohej gjenocid i pastër. Por ndodhi pikërisht ajo që nuk pritej: studentët u ngritën më 8 dhjetor, duke filluar atë që njihet si lëvizja e dhjetorit, që i bëri gjëmën diktaturës.

Si u përfshitë në lëvizjen e dhjetorit dhe më pas në themelimin e PD-së?
Mbrëmjen e 8 dhjetorit gjendesha në shtëpinë time në Pult. Prej tre muajsh, i përjashtuar nga puna, madje i shpallur edhe i vrarë në kufi, së bashku me time shoqe, prisja me shpresë se diçka do të ndodhte, duke ndjekur me vëmendje çdo lajm që mbërrinte deri aty nëpërmjet valëve të radios nga stacione të ndryshme transmetimi. I vetmi lajm i mirë që kisha marrë gjatë atyre muajve të errët qe arratisja e shkrimtarit Ismail Kadare, personaliteti më i madh i letrave, që më së fundi e kishte lënë regjimin në vetminë e tij të madhe. E kisha festuar atë natë, që e mora vesh ikjen e Kadaresë me bindjen se arratisja e tij do të shërbente si një kambanë për zgjimin e shqiptarëve. Por shpresa herë zgjohej e herë venitej, kur e kur dukej se asgjë nuk do t’i zgjonte shqiptarët nga gjumi i madh vdekjeprurës. Edhe mbrëmjen e 8 dhjetorit po ndiqja në dhomën time “Zërin e Amerikës”, kur u dha lajmi për protestat e studentëve dhe u transmetua një intervistë me Azem Hajdarin, një emër krejt i panjohur në atë kohë për mua. Zbrita poshtë në dhomën e ndenjes dhe nëna, duke më parë krejtësisht të ndryshuar, e kuptoi menjëherë se diçka e rëndësishme kishte ndodhur. U thashë se në Tiranë studentët ishin ngritur në protesta. “Nesër në mëngjes do të shkoj në Tiranë”, shtova pa iu drejtuar askujt. Mbretëroi një heshtje e thellë. Nëna ime me kryet të kthyer mënjanë, nuk po i mbante dot lotët, babai thithte i menduar cigaren, pa thënë as shko, as rri. Të nesërmen sa zbardhi drita u nisa për në Shkodër. Po atë ditë mora trenin e mbrëmjes që vinte nga Shkodra në Tiranë. Kur mbërrita unë, Qyteti Studenti ziente. Protestat vazhdonin. Po ashtu vazhdonin edhe përpjekjet për ta shuar Lëvizjen Studentore. Të nesërmen i takova pothuajse të gjithë protagonistet e kësaj lëvizjeje; Azem Hajdarin, Eduard Selamin me të cilin njihesha qysh më parë, Arben Imamin, Gramoz Pashkon dhe plot miq e të njohur të tjerë, që tashmë i ishin bashkuar kësaj lëvizjeje. Nga të gjithë ato debate pafund, herë-herë naive e pa sens politik, ajo që më bëri optimist ishte vendosmëria e studentëve për të mos u tërhequr, ndërsa thirrjet “Liri Demokraci” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” dëgjoheshin gjithandej. Kërkesat politike të studentëve tashmë ishin qartësuar: ‘Duam pluralizëm politik’. Pa shpalljen e pluralizmit, protestat studentore nuk do të ndalonin. Ndërkohë që këmbëngulej në këtë kërkesë politike, idetë për krijimin e një partie politike qarkullonin gjithandej, flitej për krijimin e një partie të studentëve, një partie të studentëve dhe intelektualëve, ndërkohë që mbështetja e intelektualëve dhe qytetarëve të Tiranës për studentët protestues rritej nga ora në orë. Nga ana tjetër, regjimi vazhdonte me gjuhën e kërcënimeve dhe të propagandës, përpiqej me çdo mjet të izolonte dhe neutralizonte lëvizjen studentore.

Çfarë kujtoni nga ato ditë?
Vetëm njëherë në jetë mund t’i takojë njeriut të jetojë midis ngjarjeve të tilla të jashtëzakonshme, ose edhe kurrë. Unë pata fatin të isha dëshmitar i atyre ditëve të jashtëzakonshme, kur ëndrra e lirisë kishte ngritur në këmbë një popull të tërë. Të gjithë ishim si të dehur nga kjo ëndërr. Mblidheshim te dhoma që ishte shndërruar në shtabin e lëvizjes, bisedonim me zjarr, shprehej vendosmëria për të vazhduar, merreshin e jepeshin lajme të ndryshme, shpesh kërcënuese, formuloheshin e rrëzoheshin kërkesa, diskutoheshin ide, bëheshin propozime nga më të ndryshmet. Shpesh protagonistët e lëvizjes me mungesën e plotë të përvojës politike më krijonin pasiguri, por gjithsesi u binda se pas këtyre protestave, Shqipëria nuk do të ishte më kurrë ajo që kishte qenë për 45 vite, një ferr i vërtetë për shqiptarët. Kjo bëri që të vihesha me mish e më shpirt në mbështetje të lëvizjes. E kisha të qartë se, nëse fitoheshin liritë politike, pra nëse fitohej pluralizmi politik, diktatura do të merrte fund. Asgjë më nuk do të mund ta mbante atë në këmbë. Mbaj mend se sa shumë gëzoheshim kur shikonim se çdo orë shtohej numri i qytetarëve të Tiranës, që vinin në Qytetin Studenti në mbështetje të studentëve. Mes tyre edhe shumë prej miqve e të njohurve të mi, shkrimtarë, poetë, gazetarë, aktorë, intelektualë të profesioneve të ndryshme, profesorë të universiteteve. Pothuajse e gjithë elita e vendit, aq elitë sa mund të krijohej nën një regjim diktatorial, u bashkua me studentët.

Si u njohët me z.Berisha dhe drejtues të tjerë të lëvizjes?
Me zotin Berisha, deri me në ato ditë dhjetori kisha vetëm një njohje virtuale, e njihja prej shkrimeve të botuara në gazeta dhe famës që qarkullonte rreth emrit të tij si mjek dhe intelektual. Një miku im më kishte folur, duke ma përshkruar me nota të jashtëzakonshme, si një personalitet që i tejkalonte kufijtë e Shqipërisë, si një personalitet shkencor dhe intelektual europian. Ardhja e Berishës në Qytetin Studenti dhe bashkimi i tij me studentët më krijoi sigurinë se Lëvizja Studentore po shndërrohej në një lëvizje të fuqishme dhe serioze politike. Berisha shquante midis gjithë protagonistëve të lëvizjes për tiparet e tij prej lideri të padiskutueshëm, me autoritet, i kompletuar, vizionar, i saktë në ato që thoshte, i qartë në projektin politik që po formësohej brenda kësaj lëvizjeje. Në kthesa të mëdha historike, roli i individëve të veçantë është përcaktues. Këtë rol përcaktues në fatin e lëvizjes së dhjetorit dhe në krijimin e Partisë Demokratike, padyshim që e ka luajtur Sali Berisha. Kjo nuk do të thotë se zbehet roli i protagonistëve të tjerë si Azem Hajdari, Aleksandër Meksi, Gramoz Pashko, Eduard Selami, Arben Imami dhe shumë të tjerëve, por Berisha ishte lideri i duhur, që do ta shndërronte lëvizjen e dhjetorit në lëvizje të fuqishme politike, që sfidoi diktaturën dhe e mposhti atë. Në atë dhomë të Godinës 15, që shërbente edhe si qendër e grupit organizator të lëvizjes studentore, takova për herë të parë Berishën, së bashku me protagonistët e parë të levizjës, pikërisht kur po diskutohej për emrin e partisë së parë opozitare pas 45 viteve diktaturë. Nuk mund të them se krijova ndonjë njohje me z. Berisha. Njohja erdhi në muajt e mëvonshëm, për shkak të angazhimeve në Partinë Demokratike.

Si u arrit deri tek themelimi i PD-së dhe kush ishin pro dhe kundër për krijimin e saj?
Ka pasur debate, por jo kundërshtime të dukshme për krijimin e partisë së parë opozitare. Debate që vinin nga mungesa e qartësisë politike, nga frika, ose edhe nga provokimet që vinin nga kupola e diktaturës, që rekomandonin krijimin e një partie studentësh, të izoluar nga qytetarët, nga intelektualet, nga mbështetja mbarë popullore, një farë strukture të ngjashme me organizatat që Partia e Punës mbante nën kontroll. Por, intelektualët që u bashkuan me studentët dhe vetë studentët kërkonin një parti të fuqishme opozitare, që do të shkallmonte diktaturën. Pikërisht kjo ishte ideja mbizotëruese, që solli aktin e krijimit të PD-së. Pas marrjes së vendimit për krijimin e partisë dhe dakordësisë për emrin nga grupi organizator, u procedua menjëherë me hartimin e programit, formulimin e listave dhe mbledhjen e nënshkrimeve. Kam qenë ndër të parët që kam firmosur në atë listë të themeluesve, pa asnjë mëdyshje, pavarësisht se pati edhe hezitime, pasiguri, disa nguruan të nënshkruajnë. Askush nuk ishte i sigurt për të ardhmen në sfidën përballë një diktature, që i kishte duart të lyera me gjak. Kjo është e shpjegueshme. Natyrisht, listat i firmosën intelektualët dhe profesorët që ato ditë u ishin bashkuar studentëve, por edhe qindra studentë. Ndërsa plotësoheshin listat me nënshkrime, kishte edhe ndonjë skenë komike. Dikush tha se duhej të gjenim edhe disa firma punëtoresh që partia të mos dukej intelektualiste dhe askush nuk e kundërshtoi. Atëherë u nxitua të mblidheshin disa firma elektricistësh, punëtorësh, minatorësh. Intelektualizmi ende shihej si një tipar borgjez, reaksionar. Gjithsesi, listat me firmat e nevojshme u mblodhën brenda ditës. Dokumentet për krijimin e partisë, kërkesa, programi dhe firmat e nënshkruesve u depozituan në Ministrinë e Drejtësisë. Pasditja e dymbëdhjetë dhjetorit ka qenë dita më e gëzuar e jetës sime. Ishim mbledhur në sallën e kinoklubit të Qytetit Studenti dhe po prisnim përgjigjen. Ardhja e lajmit për miratimin e Partisë Demokratike u shoqërua me një entziazëm të jashtëzakonshëm në sallë. Shpërthyen brohorimat, njerëzit i kishin sytë të mbushur me lot. Mes atij entuziazmi shpërthyes e merr fjalën Aleksandër Meksi. Dikush e ndërpreu nga salla: “Nuk duam pleq në parti”. Salla reagoi ashpër, duke e quajtur madje edhe provokator. Po fundja ç’faj kishte i shkreti. Socializmi i plakte shpejt njerëzit. Burrat mbi 50 vjeç konsideroheshin tashmë pleq. U ngrit një tjetër, (nuk po ia përmend emrin se nuk rron më) e tha se akti i krijimit të PD-së nuk duhet pritur me shqetësim. Partia Demokratike do të jetë parti motër me Partinë e Punës. Atë çast ndërhyri ashpër Berisha: “Partia Demokratike nuk do të jetë kurrë një parti motër me Partinë e Punës. Partia Demokratike do të jetë parti e fuqishme opozitare”. Fjalët e Berishës humbën midis duartrokitjeve të forta, brohorimave, fishkëllimave. Atë ditë të parë u projektua edhe aksioni i fuqishëm opozitar i kësaj partie, që më 22 mars të vitit 1992, përmbysi përfundimisht diktaturën.

A ka enigma themelimi i Partisë Demokratike?
Ne shqiptarët jemi shumë të dashuruar pas teorive konspirative. Shumica e këtyre teorive janë krijuar për të dëmtuar imazhin e Berishës, për të zbehur rolin e tij në lidershipin e PD-së dhe në përmbysjen e diktaturës, duke e futur përfundimisht Shqipërinë në rrugën e lirisë dhe të demokracisë. Është aluduar, se Berishën e sollën me porosi nga lart që të mbante nën kontroll lëvizjen opozitare. Tashmë kjo “enigmë” është sqaruar, Berishës mund t’i jetë kërkuar që të ndërmjetësojë te studentët, por ai bëri pikërisht të kundërtën, nxiti studentët drejt kërkesave të mirëfillta politike, siç është pluralizmi politik. A mund ta mendoni ju Berishën me një njeri mbi krye, me një njeri që i jep urdhra? Unë që kam bashkëpunuar shumë vite me Berishën kryetar të PD-së dhe me Berishën president, them me plot gojën: kurrën e kurrës. Berisha është nga ata njerëz që lindin për të qenë i parë, kurrë jo i dytë. Pikërisht për këtë them se nuk ka enigma në themelimin e PD-së, ka vetëm një shpirt të fuqishëm opozitar të studentëve dhe të intelektualëve që u bashkuan me ta, që papritmas u zgjua nga letargjia.

Në çfarë gjendje ishte PD-ja pas krijimit të saj? Për cilat arsye u përça më pas PD dhe përse kaq i vështirë bashkimi i saj?
Them se PD që në ditët e para pas krijimit ishte në një gjendje fantastike. Qindra njerëz i bashkoheshin çdo ditë, mbështetja për partinë opozitare rritej orë pas ore, pavarësisht situatës së vështirë politike, kërcënimeve të vazhdueshme, provokimeve, antimitingjeve të enveristëve. Në vitin e parë u larguan ata njerëz që e menduan PD-në një parti motër të Partisë së Punës, jo një parti opozitare, që po përgatitej të merrte pushtetin. PD-ja ishte shndërruar në partinë e shpresës të shqiptarëve. Pothuajse krejt elita krijuese dhe intelektuale e vendit e mbështeste fuqishëm PD-në, pa folur për mbështetjen e gjerë popullore nga jugu në veri. Përçarjet erdhën më vonë dhe mendoj jo për arsye parimore, po nga mospërmbushja e egove për pushtet. Edhe sot ndarjet frymëzohen po nga këto ego, jo nga parime dhe ide politike. Shumë nga kritikët e sotëm kanë qenë në pozita drejtuese në PD dhe në qeverisje dhe sa kohë gëzonin mandatet, në shumicën e rasteve të dhuruar dhe të pamerituar, nuk mbrojtën asnjë nga këto parime politike për të cilat flasin, nuk shprehën asnjë ide politike, për të cilën do të mund të mbaheshin mend. Opozitarizmi i opozitës, për llogari të pushtetit ose jo, është i papranueshëm në çdo kohë. Nuk dëmtohet kështu lideri i opozitës, apo struktura e lartë drejtuese, por në radhë të parë anëtarët e thjeshtë të partisë, demokratët që prej njëzet e shtatë vitesh kontribuojnë për këtë parti pa përfituar asgjë dhe sot kur fëmija, nipi ose mbesa iu kërkon një akullore në rrugë sikletosen, ndihen në faj, iu dhemb shpirti se e kanë të vështirë të plotësojnë një dëshirë kaq të thjeshtë një fëmije, për të mos folur pastaj për qindra vështirësitë me të cilat ata e përballojnë jetën e përditshme. Nuk e shikoj çështjen e bashkimit të PD si kthim në oborrin e saj të dhjetë apo pesëmbëdhjetë personave. PD, së pari duhet të bashkohet me anëtarësinë e saj, të shndërrohet në shpresë për demokratët, në shpresë dhe zë përfaqësues për të gjithë ata qytetarë që ndihen të braktisur, të keqtrajtuar dhe të nëpërkëmbur nga kjo qeveri. Dhe këtu përfshihen shumica absolute e shqiptarëve. Kjo, mendoj unë, është rruga e ringritjes së fuqishme të PD-së dhe opozitës.

25 vite nga themelimi i PD, a e fituan demokratët betejën ndaj së keqes?
Të gjitha ndryshimet e rëndësishme që kanë ndodhur në këtë vend gjatë këtyre 27 viteve janë meritë e padiskuteshme e Partisë Demokratike. Por beteja me të keqen, beteja me padrejtësitë, varfërinë, pushtetet e dhunshme, të korruptuara, beteja për një jetë më të mirë e më të denjë për qytetarët është e përhershme. Sot më shumë se kurrë Shqipëria ka nevojë për një politikë me fytyrë njerëzore, për një politikë humane që ka në qendër të vet njeriun, zhvillimin dhe mirëqenien e tij. E majta nuk e ka për traditë humanizmin. Aq më pak e majta shqiptare, që ka një traditë të dhunshme. Afrimi i programit të PD-së me atë të kristiandemokratëve gjermanë, për mua shënon në stad të ri për këtë forcë politike. Unë besoj se PD do ta fitojë edhe këtë betejë të radhës për të bërë Shqipërinë, së paku, një vend të jetueshëm për qytetarët e saj.

Burimi: http://www.gsh.al/2017/12/10/lazer-stani-u-propozua-qe-pd-te-jete-moter-ppsh-si-nderhyri-berisha-dikush-tha-meksit-sduam-pleq-ne-parti/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: