Paris SG në fundjavë siguroi titullin e 7 në historinë e klubit në “Ligue 1” dhe këtë e bëri pa patur Neymar-in në skuadër. Ylli brazilian u dëmtuar më 25 shkurt në sfidën kundër Marseille-s dhe që prej asaj kohe vazhdon rikuperimin në vendlindje.

Eliminimi nga “Champions League” por edhe qëndrimi jashtë fushe nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë shtuar zërat për largimin e 26-vjeçarit nga Parisi. Thuhet se kalimi i Neymar në “Berbabeu” është thjesht çështje kohë pasi “galaktikët” i kanë gati milionat.

Së fundmi është Emery, trajneri i francezëve, i cili i ka mohuar kategorisht këto zëra, duke folur me siguri se Neymar do të vazhdojë të luajë në Paris.

“Jam i bindur se do ta shohim Neymarin në Paris edhe sezonin e ardhshëm. Unë mendoj se ai është i lumtur te kjo skuadër, ndryshe nga opinioni që është krijuar. Është normale që skuadra të mëdha europiane të interesohen për një talent si ai, por kjo jo domosdoshmërisht nënkupton largimin e tij. Kam folur personalisht me Neymarin dy apo tri javë më parë. Është duke u rikuperuar mjaft mirë dhe besoj se do të jetë në dispozicion për të zbritur në fushë në fund të sezonit”, shprehet ai.

Tekniku spanjoll ka marrë kritika të shumta për eliminimin e skuadrës nga Champsionsi dhe tashmë largimi i tij konsiderohet çështje e mbyllur, por vetë Emery nuk e sheh ende veten jashtë projektit të PSG-së, sidomos pas titullit të fituar në kampionat.

“Sigurisht që titulli i Championsit është shumë i rëndësishëm, por fillimisht duhet të jesh një skuadër e konsoliduar në kampionatin dhe në këtë drejtim mendoj se kemi punuar mirë për ta bërë PSG-në një skuadër që hyn në historinë e futbollit francez. Ndoshta qëndrimi im është diskutueshëm, por unë e shoh ende veten pjesë të projektit të PSG-së.”

(balkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb