Nga: AURORA KOROMANI*
TIRANE – “Nuk kam dyshime për ngjarjen. Nëse në shtëpi do ishte familja ime, sot ata nuk do jetonin më”. Kështu shprehet për “Gazeta Shqiptare” kryekomisari Alfred Nomani, banesa e të cilit mëngjesin e së martës u hodh në erë pas aktivizimit të 400 gramë tritoli me fitil zjarrpërcjellës. I pyetur për lidhjen e atentatit ndaj tij me dy atentatet e tjera, objekti i të cilave dyshohet se ishte familja e ministrit të Brendshëm, ish-shefi i komisariatit numër 3 në Tiranë, aktualisht shefi i Krimeve në Drejtorinë e Policisë së Korçës, shprehet se nuk e di se kush mund ta ketë bërë diçka të tillë dhe se çfarë lidhjesh mund të ketë. “Nuk e di fare se çfarë lidhjesh mund të ketë. Nuk e di as kush më do mua të vdekur dhe se çfarë lidhjesh mund të ketë atentati në shtëpinë time me atentatet e tjera ndaj familjes së ministrit”, pohon Nomani. Ai thekson se ditën e ngjarjes ka qenë në krye të detyrës, edhe pse familjarët e tij nga frika kanë thënë se ai ka qenë me specializim në Amerikë. Mëngjesin e së martës, banesa e efektivit të policisë në rrugën “Arben Minga” në kryeqytet u hodh në erë rreth një orë pasi kishte shpërthyer farmacia e Bashkim Tahirit. Në banesën që ndodhet afro 40 metra larg farmacisë së babait të ministrit të Brendshëm, për fat të mirë gjatë momenteve të shpërthimit nuk kishte njeri.
Ku ishit në momentin e ngjarjes?
Unë isha në krye të detyrës, isha në punë në Korçë. Kam ardhur sapo e kam marrë vesh se çfarë kishte ndodhur.
Po përse familjarët tuaj deklaruan se ju ishit jashtë?
Ndoshta nga frika e momenteve të para pas shpërthimit, por familja ime është jashtë dhe i jam mirënjohës Zotit që në shtëpinë time në momentin që ka ndodhur shpërthimi nuk kishte njeri. Ju i patë edhe vetë dëmet që ishin shkaktuar nga shpërthimi dhe e kuptoni fare mirë se, nëse në shtëpinë time do ishte familja ime, ata sot nuk do jetonin më.
Zoti Nomani, keni ndonjë dyshim se kush mund ta ketë bërë një veprim të tillë?
Nuk kam dyshime fare, sepse nëse do kisha pasur ndonjë kërcënim apo ndonjë dyshim, do kisha marrë masa që më parë.
Por, në vitin 2013 ka pasur një tjetër sulm ndaj jush, pasi ju kanë djegur banesën me benzinë. Edhe atëherë në banesë nuk kishte njeri. Nuk menduat se sulmi parë ndaj jush nuk mjaftonte për të marrë masa?
Në atë kohë nuk mendova se ishte situatë për të marrë masa, sepse ishte një ngjarje jo shumë e rëndë. Por, këtë herë bëhet fjalë për tritol dhe për një sasi që ju e patë vetë se çfarë dëmesh ka bërë. Përveç dëmeve materiale të mëdha, nëse familja ime do ishte brenda, asnjë prej tyre nuk do kishte shpëtuar.
Mendoni se ngjarja ka lidhje me detyrën tuaj si punonjës policie?
Nuk di çfarë të mendoj, por gjëja e parë që më vjen në mend është detyra që unë kryej, por konkretisht nuk di çfarë të them. Duhet të presim përfundimet e hetimeve.
Po atë natë që kanë hedhur në erë banesën tuaj, kanë shpërthyer farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm, ndërkohë që është zbuluar në kohë një pako me tritol në një stacion autobusi pranë banesës së familjes së ministrit. Çfarë lidhjesh kanë këto ngjarje me shpërthimin në shtëpinë tuaj?
Nuk di çfarë të them dhe çfarë të mendoj. Nuk e di fare se çfarë lidhjesh mund të ketë. Nuk e di as kush më do mua të vdekur dhe se çfarë lidhjesh mund të ketë atentati në shtëpinë time me atentatet e tjera ndaj familjes së ministrit.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: