Nga: Max BOOT
Presidenti Trump dëshiron një paradë ushtarake në kryeqytetin e Amerikës. Ai thotë se kundërshtarët e tij politikë janë “anti-amerikanë” dhe “fajtorë për tradhti” pasi dështuan të duartrokisnin fjalimin e tij para kombit amerikan, ai mendon se FBI gjithashtu është fajtore për “tradhti” për hetimin mbi lidhjet e fushatës së tij me Rusinë, ai bën thirrje që kundërshtarja e tij politike, ish sekretarja e shtetit amerikan Hillary Clinton, të ndiqet penalisht, ai i quan mediat ‘armiku i popullit amerikan’, e përshkruan sistemin gjyqësor si një “shaka”, ai beson se “Shteti i Thellë” po komploton kundër tij. Ai kërkon besnikëri personale nga zyrtarët e lartë të forcave ligjzbatuese dhe detyroi të largoheshin dy zyrtarët më të lartë të FBI-së, drejtori James B. Comey dhe zv/drejtori Andrew McCabe pasi refuzuan ta bënin këtë. Avokatët e tij sugjerojnë që ai është mbi ligjin dhe nuk ka nevojë t’u përgjigjet pyetjeve nga prokurorët. Ai refuzon të paraqesë gjendjen e tij financiare dhe vazhdon të përfitojë nga kompania e familjes së tij. Ai denigron grupet e pakicave, poshtëron gratë, demonizon emigrantët, fyen një kontinent të tërë dhe përkrah simbolet e racizmit, shkruan ‘The Washington Post’.

Nuk është çudi atëhere që Trump admiron diktatorët si Vladimir Putin, Xi Jinping, Abdel Fatah al-Sissi dhe Recep Tayyip Erdogan. Ai madje lavdëroi Nursultan Nazarbayev të Kazakistanit që fitoi “rizgjedhjen” me 97.7% të votave se kishte bërë “një punë fantastike”. Ndërkohë Trump shpreh përbuzje për aleatët e zgjedhur në mënyrë demokratike si Kancelaren gjermane Angela Merkel dhe Kryeministren britanike Theresa May, të cilën kohët e fundit e kritikoi për Shërbimin Shëndetësor Kombëtar. Arsyeja pse Trump pëlqen diktatorët është se ai dëshiron të jetë si ata. Edhe ai do dëshironte “të fitonte” me 97.7% të votave, dhe kur nuk arrin, gënjen për përqindjen e fitores së tij dhe pjesëmarrjen në ceremoninë e tij të inaugurimit.

Nëse ekziston një gjë e tillë si “personalitet autoritar”, atëhere Trump është ky personalitet. Koncepti i diskutueshëm vjen nga sociologu Theodor W. Adorno dhe studiues të tjerë të cilët në 1950 publikuan një libër me të njëjtin titull që përfshinte një listë të karakteristikave autoritare – të cilët ata e quanin shkalla F (për fashist). Është shokuese dhe jo shumë surprizuese se sa nga ato karakteristika i përkasin presidentit: “Respekt për nënshtrim ndaj autoritetit të njohur?- Besimi në agresion ndaj atyre që nuk pajtohen me të menduarit konvencional, ose që janë të ndryshëm?- Një pikëpamje negative për njerëzit në përgjithësi?- Një nevojë për udhëheqje të fortë që paraqet pushtet pa kompromis?”

Trump nuk është si Adolf Hitler, ai është më tepër si Benito Mussolini, Juan Perón ose Hugo Chávez. Dhe nëse Trump do qeveriste në Itali në 1920, në Argjentinë në 1950 ose Venezuelë në 2000, ai padyshim do ishte një diktator tani. Por Trump është presidenti i një prej republikave kushtetuese më të vjetra dhe të qëndrueshme në planet.

Ndërkohë ka edhe balanca të tjera në vend që po funksionojnë. Prokurori special Robert S. Mueller III dhe FBI po hetojnë lidhjet e Trump-it me Rusinë. Shërbimi civil po përpiqet të mbajë vazhdimësinë me politikat afat-gjata në fusha të ndryshme nga mbrojtja e mjedisit deri tek politika e jashtme. Shtypi po bën një punë të jashtëzakonshme për të ekspozuar gënjeshtrat e Trump. Gjyqësori po shfuqizon disa nga rregullat e tij të propozuara. Madje edhe Kongresi i kontrolluar nga Republikanët arriti të paraqiste një projektligj për sanksionet të ashpra ndaj Rusisë të cilin Trump urrente ta nënshkruante.
Deri tani demokracia amerikane i ka rezistuar Trumpit. Megjithatë Trump ka vetëm një vit në Zyrën Ovale dhe tashmë Freedom House e ka renditur më poshtë SHBA-në në anketimin për lirinë në botë “për shkak të provave të ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016, shkelje të standarteve etike bazë nga administrata e re dhe një reduktim në transparencën e qeverisë”.

Edhe sa do të përkeqësohet situata nëse Trump qëndron në pushtet edhe tre vite të tjerë ose shtatë vite?

Ndoshta kjo është arsyeja se është e papranueshme që shumë republikanë po përkrahin përpjekjet e presidentit Trump për dëmtimin e kredibilitetit të FBI-së dhe Departamentit të Drejtësisë.
Ndoshta shkrimtarët Benjamin Wittes dhe Jonathan Rauch kanë të drejtë kur ju bëjnë thirrje votuesve të mbështesin Demokratët sepse “Partia Republikane, si institucion, është bërë një rrezik për sundimin e ligjit dhe integritetin e demokracisë amerikane”.

Artikulli i botuar në The Washington Post*

(Përktheu për BalkanWeb/Aleksandra Kola)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: