BEOGRAD- Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i ka thënë përfaqësuesit të NATO-s, Cesare Marinelli, se Serbia është ushtarakisht neutrale dhe se nuk do të bëhet anëtare e asnjë aleance ushtarake.

“Si shtet i pavarur dhe sovran, Serbia do të bashkëpunojë me aleanca të ndryshme dhe shtete, përfshirë edhe raportet e mira me aleancën veriatlantike, me qëllimi të ruajtjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon”, i ka thënë sot Vuçiçi shefit të Zyrës ushtarake të NATO-s për konkretizimin e bashkëpunimit të Serbisë dhe aleancës, ka njoftuar presidenca e Serbisë.

Vuçiç dhe Marinelli kanë diskutuar për disa aktivitete konkrete, të cilat duhet të kontribuojnë për mirëkuptim ndërmjet Serbisë dhe NATO-s, dhe për konkretizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, theksohet në njoftim.

Të dy bashkëbiseduesit janë shprehur se vizita e ardhshme e presidentit të Serbisë në selinë e NATO-s në Bruksel, ku do të bisedojë me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit, do ta konfirmojë përparimin në dialogun politik dhe bashkëpunimin praktik të Serbisë me NATO-n, raporton agjencia Beta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: