Protesta kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama hyn sot në ditën e 117-të, ndërsa qytetarët kanë paralajmëruar një ditë me dy tubime në kryeqytet.

Ndryshe nga ditët e zakonshme të protestës, këtë të enjte qytetarët do të mblidhen fillimisht në orën 09:30 para Kuvendit të Shqipërisë, në të njëjtën ditë kur deputetët do të zhvillojnë seancën plenare.

Protestuesit kanë paralajmëruar prej ditësh se seancat e Kuvendit do të shoqërohen me tubime paradite, duke e zhvendosur për disa orë protestën nga Kryeministria drejt Parlamentit.

Pasdite, qytetarët pritet t’i rikthehen skenarit të ndjekur prej muajsh, duke u grumbulluar në sheshin “Skënderbej” dhe më pas duke marshuar përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” drejt Kryeministrisë.

Edhe një ditë më parë, në protestën e 116-të, qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt godinës së qeverisë, ku vijuan me fjalime dhe thirrje kundër ekzekutivit.

Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i qeverisë. Në platformën e artikuluar gjatë protestave është kërkuar gjithashtu krijimi i një qeverie tranzitore me mandat 12-mujor, e cila, sipas organizatorëve, duhet të përgatisë vendin për zgjedhjet e ardhshme.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb