Politikë, mendim, veprim! Një familje e vetme në tri fusha la gjurmë të pazëvendësueshme në kohë të errëta kur Shqipërisë së copëzuar, i nevojiteshin fjalët e qiririt.
Në kuadër të 120-vjetorin të vdekjes së Naim Frashëri, u mbajtën dy aktivitetë në Tiranë këtë të martë, në Muzeun Kombëtar dhe në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve.

Me ç’rast, u promovua edhe libri i akademikut Sabri Hamiti, i cili si sintezë të studimeve ndër dekada tha për vëllezërit Frashëri se “Treshja e Frashërve që i mbulon tri fusha të identitetit të një populli, Abdyli veprimin; i dyti, Naimi, frymëzimin, pa të cilin nuk bën se nuk komunikohet; dhe është i treti Samiu, i cili krijon edhe enciklopedi, por krijon edhe traktatin nacional. Po t’i shohim këto tri elemente, që këtu i kemi tri figura të një familje që rrallë ndodh, pak vështirë është që një njeri sot, t’i ketë të tria këto dhe implikohet në politikë”.

Në të njëjtën linjë, ishte edhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili tha se “Të tre kanë pasur nga një fushë që kanë mbuluar, Naimi poet, Abdyli politikan, Samiu enciklopedist. Të tre i kanë dhënë Shqipërisë një model se si duhet të ecë njerëzimi. Kjo vepër e tyre ëshët e pavdekshme, edhe sot, marrin mësim e duhet të marrin nga drita e këtyre korifejve”.

Studiuesi Bardhyl Londo vërejti më tej se “gjuha shqipe arrin përsosmëri të madhe te poezia për Abaz Aliun, sa duket vërtetë që është gjuhë e perëndisë, siç thotë Naimi”
Për Besnik Mustafajn, Naim Frashëri është themeluesi i shqiptarizmës si temë madhore në poezinë shqipe, siç është edhe themelues i llojit të poetit politikan në letërsinë tonë kombëtare. Ndërsa Sadik Bejko u ndal të Naimi si “filozof i bektazhizmit, ithtar i bektazhizmit, ka shkruar librat e parë të bektashizmit dhe ishte mistik e poet shumë i madh”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb