TIRANE- Pas deklaratës së bërë dje nga deputeti i PD, Bardh Spahia se në pavijonin e Neonatologjise tek Materniteti i Ri është një situatë e rëndë, pasi nuk ka inkubatorë dhe poste për oksigjenimin e fëmijëve, madje gjatë 24 orëve kanë vdekur 3 neonatë, ka reaguar materniteti ‘Koco Gliozheni’.

Ky institucion ka mohuar kategorikisht ngjarjen, ndërsa thekson se asnjë vdekje nuk ka ndodhur për shkak të mungesës së inkubatorëve. Mes të tjerash materniteti bën me dije se 8 raste të vdekjeve muajt e fundit kanë ndodhur për shkak të anomalive të rënda.

Reagim i Maternitetit Koço Gliozheni
Në maternitetin Koco Gliozheni priten mbi 4 mijë lindje në vit në kushte optimale nga një personel mjekësor i kualifikuar; kryhen mbi 2500 intervente për patalogji obsetrikale dhe gjinekologjike të ndërlikuara me vdekshmëri amëtare Zero! Vdekshmëria nenonatale, përfshirë edhe këtë aktuale ka pësuar rënie nga vitit në vit.
Në lidhje me statusin e publikuar sot në rrjetet sociale, Materniteti “Koco Glozheni” ju bën me dije se në këtë spital, nuk ka patur humbje jete të neonatëve për shkak të mungesës së inkubatorëve apo mirëmbajtjes së tyre. Repartit të Reanimacionit, me investimet e kryera vitet e fundit, i janë shtuar dhe 4 inkubatorë të rinj.

Por cdo mjek e di se, ashtu si në cdo maternitet, paraqiten raste të anomalive të papajtueshme me jetën. 8 rastet e trajtuara gjatë muajve të fundit kishin anomali të rënda si kardiopati kongenitale, hidrops fetal, transfusion feto-fetal, me peshë 800-850 gramë dhe me moshë barre nën 26 javë, për të cilët ekipi i kualifikuar i mjekëve tanë bënë përpjekjet maksimale për trajtimin e tyre, por janë anomali të rënda, të papajtueshme me jetën, që fatkeqësisht ndodhin në të gjitha strukturat shëndetësore edhe në rajon, Europë. Ekipi i Maternitetit “Koco Glozheni” mbetet i përkushtuar në ofrimin e shërbimeve me standarte të larta në kujdesin ndaj nënës e fëmijës dhe u lutet mediave që të japin ndihmesën e tyre të vyer, duke mos lejuar përhapjen e lajmeve të rreme apo qëllimisht të deformuara në rrjetet sociale.

Statusi i plotë i Bardh Spahisë:
Situate e rende ne pavionin e Neonatologjise te Materniteti i Ri. Nuk ka inkubatore dhe poste per oksigjenimin e femijeve. Jane gjithsej 13 burime oksigjeni per 19 femije neonate qe kane nevoje e si pasoje e mungesave behen lidhje dyshe; 1 inkubator per 2 neonate. Per 30 ore si pasoje e ketyre kushteve ka pasur 5 vdekje neonatesh nga keto 3 vdekje ne 24 oreshin e fundit. Per muajin janar jane 10 raste te tilla fatale dmth 1 rast ne dite. Kur situata paraqitet e tille ne Tirane as nuk mund ta imagjinoj cfare ndodh ne rrethe. Per kete situate qe vazhdon prej 4 -5 muajsh jane vene ne dijeni strukturat drejtuese te Ministrise se Shendetsise. Papergjegjshmeria e atyre qe drejtojne shendetsine vazhdon, me pasoja te renda per jeten e foshnjave dhe nenave. Nderkohe Edvin Rama tallet me shqiptaret duke i uruar miremengjes nga mega vila e tij ne Surrel.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb