Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se në Parlamentin Evropian me 331 vota pro, është konfirmuar fillimi i trialogut për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në një status në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka shkruar se një vullnet kaq i fuqishëm politik, që buroi sot nga Parlamenti Evropian në Strasburg, rikonfirmon për të disatën herë se institucionet e Kosovës i kanë përmbushur të gjitha kushtet e parashtruara, siç e ka konfirmuar edhe Komisioni Evropian në Bruksel vitin e kaluar.

Postimi i plotë i Haradinajt
Nën lidershipin e eurodeputetes Tanja Fajon – në Parlamentin Europian me 331 vota për, u konfirmua për të dytën herë mandati për fillimin e trialogut për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Një vullnet kaq i fuqishëm politik, që buroi sot nga Parlamenti Europian në Strasburg, rikonfirmon për të disatën herë se institucionet e Kosovës i kanë përmbushur të gjitha kushtet e parashtruara, siç e ka konfirmuar edhe Komisioni Europian në Bruksel vitin e kaluar.

Është tërësisht e padrejtë, frustruese, dhe dekurajuese që qytetarëve të Kosovës vazhdon t’u mohohet e drejta e fituar për lëvizje të lirë në Europë.
Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, u bëjmë thirrje kryeqyteteve të shteteve anëtare të Bashkimit Europian, që t’i japin drejtim dhe epilog çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën, si e drejtë e fituar dhe e pakontestueshme, tani kur bëhen shtatë vjet nga data kur na është dorëzuar udhërrëfyesi për vizat.

Kosova vazhdon të mbetet e fokusuar në përkushtimin e saj për avansimin e rrugës sonë drejt Bashkimit Europian, dhe u qëndron fuqishëm besnike vlerave dhe parimeve për të cilat jemi zotuar bashkë në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb