NGA ENIDA HIMAJ*

Këngëtarja e mirënjohur Anastasia do të performojë sonte për herë të parë në Shqipëri. Prej kohësh është bërë i ditur lajmi se ylli i skenave botërore do të jetë e ftuar në Tiranë, mbrëmjen e 25 gushtit. Fansat po e presin me shumë emocion performimin e saj fansat, por jo vetëm. Venera Lumani do të ketë fatin të performojë mbrëmjen e sotme me divën. Ndër të tjera, Venera na rrëfen emocionin që ndjen për natën e sotme, ku modestisht rrëfen se e ndjen veten si para provimit, teksa do të këndojë këngë të repertorëve të ndryshëm.

Merrni pjesë në koncertin e Anastasias, që do të mbahet sot, si u përzgjodhët ju për të qenë pjesë e koncertit?
Ky është koncerti më i madh në të cilin kam nderin, kënaqësinë dhe privilegjin të këndoj. Si ftesë fillimisht na ka ardhur nga “Top Channel” e më pas kemi kaluar drejt organizatorëve, ku edhe bëmë përzgjedhjen dhe mënyrën se si do të prezantoheshim.

Mendoni se ju kanë dhënë shumë besim dhe vlerësim, duke ju lënë në koncertin e Anastasias?
Absolutisht ndjehem e vlerësuar dhe në të njëjtën kohë shumë me përgjegjësi që do të jem pjesë e koncertit të Anastasias në Tiranë, gjë që automatikisht më bën pjesë edhe e turit të saj europian. Na ngelet të përgatitemi mirë dhe të dalim në mënyrën më profesionale të mundshme.

Çfarë këngësh do të interpretoni?
Kam një hapësirë njëorëshe përgjatë koncertit. Unë do të këndoj një kolazh me këngët e mia. Do t’i miksoj që të kem kohë t’i këndoj të gjitha. Gjithashtu, do të sjell edhe “Poison”, këngën e famshme të Rita Orës.

A keni emocione për koncertin?
Patjetër që po, por mendoj se gjithçka do të shkojë mirë. Janë angazhuar shumë profesionistë për sonte dhe nuk ka sesi të mos shkojë çdo gjë mirë.

A ndjeheni si para provimit kur të këndoni para Anastasias?
E kam ndjenjën si para provimit, por e di që e kanë përgatitur fare mire dhe në fakt mezi pres që të ndodhë.

Cila është gjëja më e keqe që mund të ndodhë në koncert?
Në një koncert shkohet vetëm për gjëra të bukura. Preferoj që ato të këqijat të mos i mendoj fare.

Keni kontaktuar me Anastasian më herët?
Me Anastasian nuk kemi kontaktuar, thjesht pres ta takoj, mbase në ‘back stage’. Ndoshta aty do të kemi mundësi të shkëmbejmë ndonjë fjalë apo foto.

A e keni menduar një bashkëpunim me Anastasian?
Për momentin ne vetëm do të këndojmë, unë shpresoj shumë që në të ardhmen të ndodhë.
(m.k/SummerPages/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb