Kombëtarja shqiptare e futbollit ka humbur 7 pozicione në renditjen e përgjithshme të FIFA-s.

Përfaqësuesja kuqezi nga vendi i 25-të që ishte më 3 shtator ka rrëshkitur sot në të 32-tin, duke u parakaluar nga skuadra të tilla si Gana, Meksika apo Rusia. Kjo lëvizje e ndjeshme e kuqezinjve është pasojë e humbjes me Portugalinë në “Elbasan Arena” më 7 shtator, vetëm pak ditë pas barazimit 0-0 në Kopenhagen me Danimarkën.

Gjithsesi vendi i 32-të në klasifikimin e të gjitha përfaqësueseve në rang global, konsiderohet mjaft pozitiv për një kombëtare si Shqipëria, që ka shansin e artë të marrë pjesë për herë të parë në një event madhor të futbollit, siç është kampionati europian “Francë 2016’.

Vetëm dy muaj më parë, pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv për t’u dhënë 3 pikë kuqezinjve për sfidën e shumëpërfolur me Serbinë, Shqipëria shënoi një rekord historik duke u renditur e 22-ta në Botë.

Nga skuadrat e Grupit “I” eliminator ku bën pjesë edhe Shqipëria, Danimarka ka humbur 6 vende duke u pozicionuar e 28-ta, Portugalia ka fituar dy vende duke u renditur e katërta, Serbia tashmë e 63-ta ka fituar 3 pozicione, ndërsa Armenia nga vendi i 83-të ka zbritur në të 91-in.

Në 10 më të mirët e para mbetet Argjentina, ndërsa Gjermania ka spostuar në vendin e tretë Belgjikën. Spanja nga e 11-ta është ngjitur në vendin e 6-të, ndërsa Brazili ka humbur 2 pozicione duke u renditur i 7-ti.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb