Në mesazhin e tij të parë për vitin 2020, Papa Françesku e ka dënuar dhunën ndaj grave dhe bëri thirrje për t’i dhënë fund shfrytëzimit të trupit të gruas.
“E gjithë dhuna që u është shkaktuar grave paraqet një përdhosje ndaj Zotit”, tha Papa, gjatë një meshe në Bazilikën e Shën Pjetrit, në qytetin e Vatikanit.

Papa bëri thirrje për t’i dhënë fund shfrytëzimit të trupit të grave.
“Sa shpesh flijohet trupi i një gruaje në reklama, përfitime financiare, pornografi, shfrytëzohet si një sipërfaqe që duhet të përdoret”, tha ai, duke shtuar se trupi i femrës “duhet të çlirohet nga logjika e konsumit, dhe se ai duhet të respektohet dhe të nderohet.

Papa Françesku i vlerësoi gratë si “dhuruese dhe ndërmjetëse të paqes” dhe i nxiti që ato të bëhen pjesë e vendimmarrjes, në mënyrë që ta bëjnë botën më të bashkuar dhe më paqësore.
“Një nënshtrim i gruas është një nënshtrim për tërë njerëzimin”, tha ai.

Papa gjithashtu mbrojti të drejtat e grave për të migruar, në kërkim të një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre dhe dënoi ata që menduan vetëm për rritje ekonomike sesa për mirëqenien e të tjerëve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb